Barcelona nuk e ka humbur besimin për përmbysjen e madhe ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve dhe kjo reflektohet edhe te lojtarët e saj.
Mesazhi më i fundit ka ardhur nga talenti i ri Lamine Yamal, i cili e ka ndezur entuziazmin te tifozët me një postim domethënës në rrjetet sociale, shkruan “Gazeta Express”.

Sulmuesi i ri “Blaugrana” e ka ndryshuar fotografinë e profilit, duke e vendosur një imazh të LeBron James nga finalet e NBA 2016, kur legjenda amerikane realizoi një nga përmbysjet më të mëdha në historinë e sportit, duke rikthyer serinë nga 1-3 në 4-3.
Një veprim që nuk ka kaluar pa u vënë re dhe që shihet si një mesazh i qartë: Barcelona beson te “Remuntada” dhe nuk e ka ndërmend të dorëzohet, pavarësisht vështirësive.
Postimi i Yamal është interpretuar si një motivim për skuadrën dhe tifozët, duke kujtuar se në sport gjithçka është e mundur, sidomos kur bëhet fjalë për përmbysje historike si ajo e realizuar nga LeBron me Cleveland Cavaliers një dekadë më parë.
Megjithatë, gjesti ka hapur edhe diskutime, me disa që e shohin si një sinjal vetëbesimi dhe të tjerë që e konsiderojnë si presion shtesë në një moment delikat të sezonit.
Në çdo rast, mesazhi është i qartë: Barcelona beson dhe është gati të luftojë deri në fund për ta përmbysur rezultatin pas humbjes 0:2 në çerekfinalen e parë në Camp Nou. /Gazeta Express