Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e fundit të xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës.
Janë zhvilluar dy ndeshje interesante, njëra në Suharekë e tjetra në Podujevë.
Ballkani i ka bërë konak skuadrës kampione, Dritës, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, në fushën e blertë nuk kishte fitues, pasi ndeshja u mbyll me shifra të barabarta prej 1-1.
Fillimisht ishte Ballkani që doli në epërsi përmes Sunday Adetunjit në minutën e 16-të, derisa Eris Abedini u ndëshkua me të kuq në minutën e 21-të, duke lënë skuadrën suharekase me një lojtar më pak.
Më pas, në pjesën e parë, në minutën e 32-të, ishte Besnik Krasniqi që përmes një supergoli barazoi rezultatin në 1-1.
Pak para përfundimit të ndeshjes, Ballkani e mori edhe një të kuq, kësaj here Geralb Smajli, duke mbetur me nëntë lojtarë në fushë.
Në anën tjetër, Ferizaj që kishte udhëtuar në Podujevë, mori një pikë të madhe, duke mbetur ende në garë për një vend në Europë.
Ndeshja e luajtur në “Zahir Pajaziti” po ashtu u mbyll me shifrat prej 1-1.
Veçse në Podujevë, ishte Ferizaj që fillimisht e mori epërsinë, përmes Edon Sadriut në minutën e 60-të të ndeshjes.
Nëntë minuta më vonë, Ardit Tahiri i Llapit e barazoi rezultatin përmes pikës së bardhë të penalltisë.
Me këto rezultate, Drita shkon në kuotën e 70 pikëve në vendin e parë, si kampione tashmë. Derisa Ballkani arkëton pikën e 58-të në kampionat.
Ferizaj në anën tjetër ka 49 pikë, në vendin e katërt, teksa Llapit i janë vështirësuar punët në pjesën e poshtme të tabelës. Llapjanët e Tahir Batatinës lanë 41 pikë në vendin e tetë, pozitë që të dërgon në barazh.
Xhiroja e 34-të e Superligës së Kosovës luhet gjatë fundjavës./GazetaExpress/