Banorët thanë se xhandarmëria serbe hyri në Karaçevë, reagon Policia e Kosovës - Gazeta Express
string(77) "banoret-thane-se-xhandarmeria-serbe-hyri-ne-karaceve-reagon-policia-e-kosoves"

Banorët thanë se xhandarmëria serbe hyri në Karaçevë, reagon Policia e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

08/04/2021 15:20

Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se xhandarmëria serbe është parë në territorin e fshatit Karaçevë të Kamenicës, mesditën e së martës, raporton Express

Sipas policisë, aty është mbajtur një takim zyrtar në mes të përfaqësuesve të KFOR-it amerikan, turk dhe palës serbe.

Lexo Edhe:

“Në datën 06.04.2021, është mbajtur një takim zyrtar në mes të përfaqësuesve të KFOR-it, në përbërje prej KFOR-it Amerikan, Turk dhe palës serbe. Referuar informacioneve zyrtare lidhur me zhvillimet e realizuara në terren vlerësohet se nuk kemi të bëjmë me hyrje të Gjendarmerisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, por kemi të bëjmë me realizim të një takimi zyrtar në cilësi të takimeve të rregullta”, thuhet në reagimin e policisë.

Njëjtë si policia kanë deklaruar të mërkurën edhe nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se aktiviteti ka qenë takim i rregullt i KFOR-it amerikan dhe turk me pjesëtarë të ushtrisë serbe.

“Jemi në dijeni për aktivitetin e sotëm përgjatë brezit kufitar në Karaçevë. Ka qenë takim i rregullt i KFOR-it amerikan dhe turk me pjesëtarë të ushtrisë serbe”, ka deklaruar Kryeziu për Express.