Banorët e fshatit turistik Theth bllokuan urën hyrëse për afro dy orë në shenjë proteste kundër aksionit të autoriteteve për prishjen e 40 objekteve pa leje.
Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë. Ata e quajnë ndërhyrjen një “masakër urbanistike” që mund të dëmtojë rëndë turizmin dhe ekonominë vendase, duke u zhvilluar në kulmin e sezonit turistik. Banorët kërkojnë pezullimin e aksionit dhe nisjen e një dialogu me institucionet për zgjidhje afatgjata.
Në protestë mori pjesë edhe deputetja Gerta Bardeli, e cila pati një debat të ashpër me policinë. Ky aksion erdhi pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi ndërhyrjen si një përpjekje për të “shëruar” Thethin, duke e quajtur këto objekte si ndërtim të paligjshëm.