Banorët e Straçincës kundër hapjes së gurores mbi fshat, Mexhiti: Koncesioni do të anulohet - Gazeta Express
string(89) "banoret-e-stracinces-kunder-hapjes-se-gurores-mbi-fshat-mexhiti-koncesioni-do-te-anulohet"

Maqedoni

Gazeta Express

24/09/2025 11:53

Banorët e Straçincës kundër hapjes së gurores mbi fshat, Mexhiti: Koncesioni do të anulohet

Maqedoni

Gazeta Express

24/09/2025 11:53

Banorët e Straçincës prej gati një jave kundërshtojnë një përpjekje të një kompanie për hapjen e një guroreje 300 metra vijë ajrore mbi fshat. Banorët për TV21 treguan se kompania kishte vendosur mjete shpërthyese dhe druanin se shpërthimet mund të shkaktojnë dëme materiale të objekteve. Mbrëmë ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, informoi se ka dhënë vendim negativ për hapjen e gurores, ndërsa ka paralajmëruar se koncesioni do të anulohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë transmeton Portalb.mk.

Mexhiti, mbrëmë (23.09.2025) vizitoi fshatin Straçincë dhe i njoftoi banorët se ministria që drejton ai ka dhënë vendim negativ për kërkesën e hapjes së gurrores në rajonin e Straçincës.

Ky vendim, tha Mexhiti, vjen si rezultat i shqetësimeve të vazhdueshme të banorëve dhe analizave të kryera nga institucionet përkatëse mbi ndikimin negativ që do të kishte një aktivitet i tillë në kushte vërshimesh, por edhe për shëndetin dhe jetën e këtyre banorëve.

“Ky është një lajm i shumëpritur për banorët e Straçincës, të cilët me vite kanë qenë të shqetësuar për ndikimin e mundshëm të gurrores në mjedisin dhe jetesën e tyre”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se leje për punë është dhënë vite më parë nga qeveritë e kaluara.

Hapi i radhës, sipas tij, është shfuqizimi përfundimtar i koncesionit, i cili është parashikuar të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Ky vendim do të përmbyllë zyrtarisht çështjen, duke e kthyer drejtësinë në anën e banorëve.

Për më tepër, Mexhiti theksoi angazhimin për pyllëzimin e sërishëm të kësaj zone.

Banorët shprehen se dëmi i gurores mund të jetë i madh mbi popullatën aty.

“Ne shpresojmë se ai ekip që i ka vendosur ato mina të vijë dhe t’i tërheq, sikur i ka vendosur t’i tërheqin dhe lajmet e fundit ne çfarë mendojmë dhe i kemi se në qeveri veçse është lënda prej ministrisë së energjetikës që asaj kompanisë t’i merret koncesioni”, tha një banor i Straçincës.

“Ky dëm do të jetë dëm për të gjithë popullin këtu, e kap edhe Haraçinën, Bërnjancën, Stajkovcin, Creshovën, Vinicën, diku 20-30 mijë banorë do t’i shohin dëmin asaj”, tha një tjetër banor i Straçincës.

Prej më shumë se një dekade ka pasur përpjekje për të vënë në funksion këtë gurore, por kjo u pengua pas kundërshtimeve të forta nga banorët.