Banorët e Mitrovicës së Veriut paralajmërojnë protestë ndaj kompanisë “Elektrosever” - Gazeta Express
string(82) "banoret-e-mitrovices-se-veriut-paralajmerojne-proteste-ndaj-kompanise-elektrosever"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 8:30

Banorët e Mitrovicës së Veriut paralajmërojnë protestë ndaj kompanisë “Elektrosever”

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 8:30

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot, më 25.08.2025, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj kompanisë “Elektrosever”, kompani kjo e cila ka vendosur njehsorët dhe po e bën faturimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit.

111 banorë nënshkruan peticionin ndaj kompanisë, duke e kritikuar atë për faturim joparimor, mungesë të transparencës, fatura të dyfishta, e diskriminim.

Mentor Boja, anëtar i Komitetit Lokal të Sigurisë Publike, tha se pas ankesave të njëpasnjëshme, njoftimi për shkyqje ka qenë arsyeja kryesore për ta marrë nismën për peticion.

“Njoftimi për shkyqje ka ardhur pas shifrës deri në 1 mijë e 500 euro. Kemi fillu me peticion sepse kemi qenë të njoftuar se brenda dy jave do të shkyqemi. Kjo ka qenë arsyeja që edhe për një periudhë shumë të shkurtër kemi arritur me i mbledh 111 nënshkrime”- tha Boja.

Boja potencoi se ka adresuar ankesë te Avokati i Popullit, te Zyra e Rregullatorit të Energjisë, te Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike, në “Elektrosever” e në Ministri të Ekonomisë dhe nëse sipas tij nuk ndërmerret asgjë, banorët do të detyrohen të mbajnë protestë.

“Sipas banorëve, këtu ka fatura deri në 4 mijë euro. Në qoftë se nuk realizohen të drejtat tona, atëherë jemi të detyruar të organizojmë protestë”- theksoi organizatori i peticionit.

Ndonëse ishte nisur me pritshmërinë se zyrtarët e “Elektroseverit” do të jenë prezentë në takimin e sotëm, qytetari Nevzat Qaushi tregoi pakanaqësitë e tij ndaj kompanisë.

“Qysh e arsyeton 4 mijë euro faturën për një motmot. Duhet me pasë fabrikë e jo amvisëri për me harxhu aq shumë”- u shpreh Qaushi.

Se janë vendosur njehsorët në mënyrë selektive e tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin.

“E kemi ditur që kemi me hasë në probleme. Ndonëse marrëveshja ka qenë të vendosen të gjitha orët elektrike,  dikujt tek tash iu ka vendosë, pas një viti”- tha Uglanin. /Kallxo