Banka ProCredit në Kosovë - një shtytës i financimit të gjelbër dhe tranzicionit të energjisë në vend - Gazeta Express
string(99) "banka-procredit-ne-kosove-nje-shtytes-i-financimit-te-gjelber-dhe-tranzicionit-te-energjise-ne-vend"

OP/ED

Gazeta Express

23/06/2022 10:56

Banka ProCredit në Kosovë – një shtytës i financimit të gjelbër dhe tranzicionit të energjisë në vend

OP/ED

Gazeta Express

23/06/2022 10:56

Eriola Bibolli, Drejtoreshë Gjenerale e ProCredit Bank në Kosovë

Është e ditur që ndryshimet klimatike, mbrojtja e ambientit, tranzicioni i energjisë dhe dekarbonizimi, vitet e fundit kanë dominuar të gjithë kryetitujt, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat. Muajt e fundit, ky zë i fuqishëm u bë edhe më i zëshëm që nga paraqitja e pandemisë dhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, pra lufta në Ukrainë.

Lexo Edhe:

Në gjithë këtë ambient kompleks, Kosova ka një ‘miks’ të energjisë më të ndotur në Europë, ballafaqohet me mungesë të furnizimit me energji, përderisa përjeton nevojë për rritje të konsumit të energjisë. Një hap i logjikshëm do të ishte që Kosova të përshpejtojë tranzicionin e energjisë drejt burimeve fleksibile dhe më të gjelbra, në mënyrë që të arrihet një e ardhme drejt një ekonomie më të gjelbër që nuk emeton dioksid karboni ‘neto-zero’.

Fatkeqësisht, është jashtëzakonisht e dukshme që tranzicioni energjetik sapo ka filluar të marrë formë në Kosovë. Si do të lëvizë ky tranzicion është ende e paqartë, por pavarësisht nga forma, një gjë është e qartë: do të kërkojë kapital, financim, stimuj dhe njohuri. Roli i sektorit financiar në mbështetjen e këtij tranzicioni është thelbësor për alokimin e kapitalit për projekte më të qëndrueshme. Nuk mund të kishte moment më të mirë se tani, për të treguar historinë e Bankës ProCredit si bankë lidere dhe me përvojën më të gjatë në Kosovë, në shtyrjen përpara të agjendës së qëndrueshmërisë dhe financimeve të gjelbra.

Përderisa, identiteti i bankës ProCredit zhvillohet ndërmjet bankingut të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm, qasja e saj ndaj financimit të gjelbër inkorporon realitetin e Kosovës, si vend i vonuar në agjendën e tranzicionit të gjelbër dhe dekarbonizimit, duke bartur barrën e një ‘miksi’ energjetik të varur nga karburantet fosile. Ky përfaqëson një potencial të madh të pashfrytëzuar dhe një nga sfidat më kritike infrastrukturore me të cilat përballet vendi.

Shumë më lehtë do të ishte të themi që Banka ProCredit është e përkushtuar në adresimin e ndryshimeve klimatike si dhe financimin e qëndrueshëm dhe të gjelbër. Deri sot, jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton.

Për shumë institucione, kjo është ende një rrugë shumë e gjatë që të kalojnë nga slloganet që të tërheqin vëmendjen dhe promovimet shumë sipërfaqësore të bankimit të qëndrueshëm, deri në marrjen e hapave konkret dhe arritjen e ndikimit të drejtpërdrejtë.

Pse ndodh kështu? Për bankën ProCredit, rreshtimi drejt financimit të qëndrueshëm dhe drejtimi i bankës me përgjegjësi, nuk ka qenë gjithmonë i lehtë dhe as i thjeshtë. Është një rrugëtim që kërkon të bësh zgjedhje dhe të vendosësh prioritetet e duhura që shpesh janë në konflikt me njëra tjetrën. Kjo shpesh nënkupton, të heqësh dorë nga fitimi, duke refuzuar klientë që kryejnë aktivitete jo miqësore për ambientin, të tilla si plastika njëpërdorimshme, ose vendimi për të mos financuar projekte në zona të mbrojtura, ndërkohë që të gjithë të tjerët në sektorin bankar vazhdojnë të injorojnë standarde të tilla të gjelbra, dhe të maksimizojnë fitimet për afate shumë të shkurtra, me një kosto të lartë degradimi mjedisor për periudha afatmesme dhe afatgjata.

Me shumë krenari mund ta them që për bankën ProCredit fjalët përkojnë me veprimet dhe jemi zotuar që vërtetë të kemi ndikim në këtë aspekt dhe jemi faktor kyç dhe një hap para në gjithë rrugëtimin e Kosovës drejt tranzicionit të gjelbër.

ProCredit në Kosovë nuk është fillestare në financimin e gjelbër dhe atë të qëndrueshëm. Ne, jemi përfshirë në financim të gjelbër për më shumë se 18 vite, qysh nga viti 2006. Si banka më e madhe në Kosovë për segmentin e NMVM-ve, kemi vepruar sipas rolit që ia kemi dhënë vetes, dhe jemi shndërruar në pararendës që ta dërgojmë vendin në drejtim të rritjes së qëndrueshme dhe më të gjelbër.

Sot, banka ProCredit parasheh ambicien për ta përqafuar Menaxhimin Social dhe Mjedisor ( MSM) dhe për të përshpejtuar masat e financimit të gjelbër, si përgjigje ndaj ndryshimeve të shtuara klimatike dhe degradimit të mjedisit, të kombinuara me planet e dekarbonizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Në anën tjetër, rruga drejt tranzicionit të energjisë dhe rritja e qëndrueshmërisë janë mjaft komplekse dhe s’mund të bëhen vetëm. Kërkojnë partneritet strategjik dhe zotim të të gjithë akterëve, duke filluar nga qeveria.

Të gjithë po presim me padurim të kemi strategjinë energjetike të vendit, si një plan orientues për të nxitur tranzicionin energjetik të vendit, i shoqëruar nga procese të thjeshta dhe transparente që do ta lehtësojnë zbatimin e projekteve.

Investitorët dhe klientët s’do të duhej të dekurajohen për shkak të pengesave burokratike dhe joefikase gjatë procesit. Do të duhej të hiqet sistemi i tarifave nxitëse dhe të instalohej një sistem i përzgjedhjes përmes ofertuesve/ankandeve, konkurrent, që bazohet në treg, i cili do ta zëvendësonte subvencionimin e çmimeve të energjisë së karburanteve fosile, etj.

Më pas, mbikëqyrësit dhe rregullatorët bankarë duhet të marrin të dhënat, të kenë transparencë në dhënien e informacioneve shpjeguese dhe raportuese, të miratojnë një gjuhë të përbashkët komunikimi, etj.

Cila është qasja e bankës ProCredit ndaj financimit të gjelbër dhe çka na dallon nga të tjerët?

Të gjitha principet tona, pra të bankës ProCredit udhëhiqen nga parimet drejt një mjedisi më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm. Pikënisja jonë, ndryshe nga institucionet e tjera financiare, është përvetësimi i kornizës bazë nga institucioni ynë, e që është miqësor ndaj mjedisit. Kjo fillon me ne, me synimin për të minimizuar ndikimin tonë negativ në mjedis në veprimet tona të përditshme, për të promovuar proaktivisht një mënyrë të qëndrueshme të të bërit biznes si pjesë integrale e identitetit dhe strategjisë së biznesit të institucionit tonë. Për ta arritur këtë, ne kemi zhvilluar dhe zbatuar një sistem gjithëpërfshirës të menaxhimit mjedisor (EMS) që bazohet në tre shtylla:

Shtylla 1. Menaxhimi i brendshëm mjedisor, i përbërë nga procese dhe procedura që na ndihmojnë që sistematikisht të reduktojmë ndikimin tonë të drejtpërdrejt ndaj mjedisit.

Shtylla 2. Menaxhimi i rrezikut mjedisor dhe social gjatë kredidhënies. Kjo shtyllë synon të na ndihmojë në zbutjen e rreziqeve mjedisore dhe sociale të klientëve tanë dhe të investimeve të financuara.

Shtylla 3. Kreditimi i gjelbër. Përfaqëson ambicien tonë për të pasur një ndikim pozitiv mjedisor në Kosovë duke promovuar investimet e gjelbra. Fokusi i këtij shkrimi është pikërisht që të hedh një vështrim dhe të elaborojë pikëpamjet e kësaj shtylle.

Për ne financimi i qëndrueshëm nuk ka të bëjë vetëm me kreditë e gjelbra, por ka të bëjë me ndikimin më të gjerë mjedisor dhe social të kreditimit. Kuptimi i klientëve tanë dhe nevojave të tyre, si dhe mbështetja e tyre për të filluar tranzicionin energjetik dhe dekarbonizimin e bizneseve të tyre, ka rëndësi të madhe për ne.

Ne, rregullisht, ofrojmë burime njerëzore për ndërgjegjësimin e klientëve përmes fushatave edukative për të adresuar thellësisht të kuptuarit e duhur për çështjet komplekse rreth investimeve të qëndrueshme dhe të gjelbra.

Ne i ndihmojmë klientët të eksplorojnë përfitimet e tranzicionit të energjisë, të kuptojnë teknologjitë dhe investimet që duhet të ndërmarrin, rreth fleksibilitetit të energjisë, në mënyrë që të arrijnë struktura efikase të shpenzimeve për afat të gjatë.

Në terma financiarë, kredidhënia e gjelbër është në rritje dhe përbën gati 17% të portofoliit tonë të gjithëmbarshëm kreditor, deri në mars 2022; ne synojmë ta tejkalojmë 20% deri në fund të vitit 2022. Kreditë e gjelbra ndahen në tri kategori kryesore:

– Kredi për efiçencën të energjisë si për klientët e NVM-ve ashtu edhe për klientët e amvisërive (80% e kredive tona të gjelbra deri në mars 2022). Kjo përfaqëson pjesën më të madhe të kredive tona të gjelbra të cilat inkurajojnë investimet në efiçencë të energjisë si për NVM-të ashtu edhe për amvisëri, duke rritur kursimet, përdorimin të efektshëm si dhe zvogëlimin e faturave të energjisë elektrike.

– Kreditë për energjinë e ripërtërishme. Potenciali më i madh për energji të ripërtërishme në Kosovë është në energjinë diellore dhe energji të gjeneruar nga era. Padyshim, kjo paraqet të ardhmen e një ‘miksi’ energjetik për Kosovën dhe diskutimi mund të jetë vetëm sa shpejt mund ta shfrytëzojë vendi këtë potencial. Përvoja kryesore e bankës ProCredit deri më tani ka qenë financimi i projekteve të energjisë diellore. Kosova gëzon rrezatim diellor relativisht të lartë, ndërmjet 1200 dhe 1500 kWh/m2, që përkthehet në prodhim të konsiderueshëm të energjisë elektrike nga panelet diellore. Banka ProCredit, është fuqishëm e fokusuar në shfrytëzimin e këtij potenciali dhe ka mbështetur financimin e investimeve në instalimet e paneleve diellore në dy dimensione:

A) Financim në shkallë më të vogël
Fokusi ynë për NVM-të është ti mbështesim investimet në panele fotovoltaike të decentralizuara në shkallë të vogël që mbulojnë çatitë e ambienteve të biznesit për vetëkonsumim. Ne pothuajse kemi dyfishuar numrin dhe volumin e projekteve në PV në 2021 dhe kemi ambicie ta rrisim edhe më tej gjatë vitit 2022. Këto projekte i shohim si hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të “miksit” të energjisë, klientëve më të qëndrueshëm dhe një të ardhmeje më të gjelbër .

B) Financim i projekteve në shkallë të lartë

Kjo është formë më pak e zhvilluar e investimit dhe financimit në vend, për një sërë arsyesh. Derisa mungesa e një kornize të qartë ligjore dhe barrierat e tjera administrative i bëjnë investimet mjaft të vështira, sektorit bankar në përgjithësi i mungon ekspertiza në vlerësimin e investimeve në energjinë e ripërtërishme përmes një metodologjie financimi projektesh. Ndryshe nga kjo situatë, ProCredit ka investuar në ngritjen e kuadrove të trajnuara brenda bankës, për t’u angazhuar dhe për të vlerësuar projektet e financimit të projekteve të energjisë së ripërtërishme. Në qendër të kësaj metodologjie është vendimi bazuar në qëndrueshmëri të rrjedhës së parasë në të ardhmen, dhe jo sikur në të kaluarën , siç ishte qasja tradicionale e vlerësimit të financimit të NVM-ve.

Megjithatë, qasjes së re të financimit të projektit, sigurisht që nuk i mungojnë rreziqet, veçanërisht në një treg pa përvojë. Prandaj, ekuilibri midis projekteve pa burime të ardhurash dhe atyre me burime të plota të ardhurash, do të bëjë ndryshimin për një përshtatje të shpejtë të teknologjisë dhe një tranzicion të shpejtë të energjisë. Por, për ta përfshirë financimin e projekteve pa burime të ardhurash, kërkohen skema garantuese ose mbulueshmëri me kolateral, për ti përmbushur standardet e kualifikimit për garanci nga banka. Kjo i jep një rëndësi të madhe çdo dritareje për garanci kreditore për ER nga FKGK, si një mundësi e rëndësishme në sistemin financiar.

– Investime të tjera të menaxhimit mjedisor, si alternativat e riciklimit, menaxhimi i mbeturinave, bujqësia e qëndrueshme etj.

Është e rëndësishme të theksohet se pjesë e përpjekjeve të grupit ProCredit për të vlerësuar rrezikun klimatik dhe për të kufizuar ndikimin tonë në ndryshimet klimatike, jemi angazhuar për të matur dhe zbuluar emetimet e gazrave serrë, të lidhura me portofolin tonë të kredisë dhe investimet, në përputhje me standardet financiare të llogaridhënies për emetim karboni.

Ju ftoj që të lexoni raportin e grupit tonë Raporti i ndikimit 2021. Nëse e konvertojmë në ndikimin që bën në ambient, ulja e CO2 nga portfoli ynë i kredisë së gjelbër është 638,545 tCO2 eq.

Në fund të fundit, për ne, nuk mjafton të tregojmë sa kredi të gjelbra kemi financuar, por është më e rëndësishme të bëjmë matje dhe të zbulojmë reduktimin e emetimeve të CO2 dhe ndikimin real që kjo ka në mjedis.

Çfarë ishte rrugëtimi ynë drejt financave të qëndrueshme dhe kreditimit të gjelbër, çfarë na bën të suksesshëm?

Faktori kyç kanë qenë vitet e përkushtimit dhe investimeve të vazhdueshme në kapacitetet e brendshme dhe përvetësimi i parimeve dhe qasjes sonë. Ambicia për financim të qëndrueshëm dhe më të gjelbër nuk është qasje afatshkurtër. Ka filluar me vizionin dhe vendosmërinë e aksionerëve dhe menaxherëve për të adoptuar parimet e gjelbra dhe për të ndërmarrë veprime konkrete.

Krijimi i kuadrove të menaxhimit mjedisor dhe social, kërkon njohuri dhe ekspertizë solide në lidhje me aspektet teknike dhe ligjore të projektit; kërkon investime në aftësitë e modelimit financiar/ financimit të projekteve dhe zhvillimin e teknikave të përshtatshme të menaxhimit të rrezikut të kredisë.

Trajnimet e rregullta të stafit në bankë, përmes Akademisë të ProCredit dhe përmes shkëmbimit të rregullt të përvojave me banka të tjera të grupit ProCredit, kanë qenë shumë të rëndësishme për një sukses të qëndrueshëm.

Raporti ynë i ndikimit të grupit 2021 përfaqëson lidershipin tonë, vazhdueshmërinë tonë në financim të qëndrueshëm dhe bankim të përgjegjshëm, përparimin tonë në reduktimin e emetimeve të karbonit dhe përshpejtimin e huadhënies së gjelbër, duke e ilustruar me matrica/forma transparente.

Përderisa, mjedisi i përkeqësuar dhe ndryshimet klimatike përbëjnë një sfidë të vazhdueshme për ne, brezit tonë i mbetet të veprojë me urgjencë. Banka ProCredit është e përkushtuar ta ndjekë këtë rrugëtim. Çështje thelbësore është bashkimi i forcave me të gjitha palët e tjera të interesuara , për të nxjerrë gjithë potencialin e tregut dhe për të mbështetur rrjedhën e kapitalit drejt klientëve dhe investimeve të gjelbra në Kosovë. Ne synojmë të qëndrojmë në ballë të kësaj përpjekjeje globale dhe lokale, duke konfirmuar se kjo është pjesë e asaj që jemi: një bankë e përgjegjshme, etike, e qëndrueshme për të cilën kanë rëndësi parimet, mjedisi dhe shoqëria.