Banka e Zhvillimit - mes propagandës politike dhe nevojës ekonomike - Gazeta Express
string(65) "banka-e-zhvillimit-mes-propagandes-politike-dhe-nevojes-ekonomike"

OP/ED

Gazeta Express

28/10/2024 11:24

Banka e Zhvillimit – mes propagandës politike dhe nevojës ekonomike

OP/ED

Gazeta Express

28/10/2024 11:24

Fondi sovran dhe krijimi i bankës së zhvillimit janë dy koncepte të ndryshme. Synimi i qeverisë për të zbatuar fondin sovran në kontekstin kosovar më është dukur gjithmonë infantil… Keqpërdorimi i parasë publike mund të bëhet lehtësisht edhe përmes krijimit të një banke të zhvillimit

Fadil Sahiti

Diku në një portal lexova deklaratën e ministrit të financave të Kosovës lidhur me synimin e qeverisë për të formuar një bankë zhvillimore! Në fillim nuk e besova portalin, sepse deklarata më dukej shumë e fuqishme; e fuqishme në kontekstin dhe kuadrin e konceptit aktual qeverisës të kësaj qeverie – në pushtet prej 4 vitesh. Deri më tani, kjo qeveri me bujë dhe arrogancë e ka propaganduar qëllimin e saj për të krijuar një mekanizëm qeveritar – e quanin Fondi Sovran – që pritej të ishte lider i reformave në Kosovë! Ndoshta më shumë se përmbajtja, atyre u ka pëlqyer koncepti i fjalëpërfjalshëm i tij – fjala “sovran”. Në dritën e përvojës politike katërvjeçare, shpresoj dhe dua të besoj se kryeministri dhe qeveria e kanë kuptuar se sot në këtë botë nuk ka asgjë sovrane. Por është mirë që përveç dëshirës utopike, nuk kanë bërë asgjë për të vënë në jetë idenë e tyre ‘sovrane’.

Nuk kam informacion nëse ky ndryshim i papritur ka ardhur si rezultat i reflektimit të tyre thelbësor. Nuk është e pamundur që edhe kjo të jetë propagandë politike në vazhdimësi, të një mekanizmi propagandistik që vetëm këta dhe kundërshtarët e tyre politik dinë ta zhvillojnë para zgjedhjeve.

Megjithatë, fondi sovran dhe krijimi i bankës së zhvillimit janë dy koncepte të ndryshme. Pa dashur të harxhoj kohën e lexuesit në analizën e konceptit të parë, dua të theksoj se synimi i qeverisë për të zbatuar fondin sovran në kontekstin kosovar më është dukur gjithmonë infantil. Konceptin e fondit sovran, siç e ka përdorur kryeministri dhe gjithë të tjerët, e kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj si një mjet të mirëmenduar të propagandës politike. Për më tepër, zbatimi i saj në kontekstin kosovar më dukej krejtësisht absurd. Edhe pse të njohura në teorinë dhe praktikën ekonomike, nisma të tilla mund të përdoren lehtësisht si mekanizëm për keqpërdorimin e parasë publike për interesa të ngushta politike.

Keqpërdorimi i parasë publike mund të bëhet lehtësisht edhe përmes krijimit të një banke të zhvillimit. Mirëpo, kur nisma të tilla, si kjo, zhvillohen në bazë të një analize paraprake të mirëmenduar, me objektiva të qarta ekonomike, të ndërtuara me parime profesionale, efektet e saj në ekonominë e Kosovës mund të jenë më të shpejta dhe shumë pozitive. Për më tepër, e zhveshur nga ndikimi politik, krijimi i një banke të zhvillimit për Kosovën dhe ekonominë e saj është një domosdoshmëri. Arsyet se përse mendoj kështu i kam shtruar në librin tim të fundit. Megjithatë, shkurtimisht më poshtë po përmendi disa objektiva kryesore mbi të cilat do duhej të mbështetej kjo bankë.

Duke menaxhuar kryesisht paranë publike të këtij populli, një bankë e tillë do të duhej të ofronte kredi me kosto shumë më të ulët se bankat komerciale aktuale. Detyra e bankës zhvillimore do duhej të jetë mbështtja e firmave eksportuese, firmave prodhuese dhe me aftësi inovative. Shkurt, kjo bankë duhet të financojë në radhë të parë kompanitë me rritje të lartë ekonomike, të cilat do shërbejnë si model për të gjitha firmat e tjera. Në veçanti, një bankë e bazuar në parime të qeverisjes së shëndoshë do të adoptonte një perspektivë më të gjerë ekonomike mbi përfitimet e investimit në sektorë të veçantë, duke përfshirë sektorë që mund të sjellin përfitime shoqërore afatgjata nga zhvillimi i teknologjive që do të implementohen. Një fokus tjetër shumë i rëndësishëm i kësaj banke duhet të jetë ngritja e një sistemi inovativ kombëtar, përmes së cilit firmat kosovare do të mund të ndihmohen të zhvillojnë një bazë teknologjike konkurruese që u mundëson atyre të jenë akterë në tregun rajonal dhe më gjer.