Banka Botërore e ka hequr Kosovën nga Lista e Vendeve në Situata të Brishta dhe Konfliktit. Në lidhje me këtë ka reaguar Banka Qendrore e Kosovës, e cila tha se ky është vendim i rëndësishëm dhe moment domethënës për Kosovën, që pasqyron progresin e vazhdueshëm të vendit në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, stabilitetit makroekonomik, qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit.
“Në veçanti, kjo çështje u adresua me theks gjatë Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore të prillit të vitit 2025 në Washington DC, ku u argumentua në mënyrë të detajuar nevoja për një reflektim më të saktë të maturisë institucionale të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e BQK-së.
Tutje, BQK-ja tha se disa nga përfitimet kryesore që priten për Kosovën pas heqjes nga Lista e Vendeve në Situata të Brishta dhe Konfliktit janë përmirësimi i perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit, rritja e besimit të investitorëve dhe ulje e vlerësimeve për rrezik financiar, mundësi më të favorshme për financim zhvillimore dhe qasje në kapital privat dhe komplementon, sipas BQK-së, vlerësimin e parë sovran kreditor të Kosovës.
“Kjo arritje forcon më tej besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe përforcon përpjekjet e përbashkëta të institucioneve për realizimin e vizionit tonë afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirje financiare dhe integrim evropian”.
“BQK shpreh falënderimet e saj për menaxhmentin e Bankës Botërore, ndërsa mbetet e përkushtuar të avancojë më tej reformat, të thellojë transparencën dhe të forcojë partneritetet ndërkombëtare që kontribuojnë në stabilitetin makro-financiar dhe reputacionin global të Kosovës”, thuhet në reagim.