Punësimi është rritur për 20%, papunësia ka rënë në 4%, thanë kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, duke folur për qindra-mijëve vende të reja pune. “Papunësia ka rënë në të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës”, tha sot Banka Botërore. Veç 37.1% e kosovarëve janë të punësuar, sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanit Perëndimor.
Gazeta Express
Në Kosovë, vetëm 37.1% e popullsisë në moshë pune është e punësuar. Fjalë për fjalë kështu thotë Banka Botërore, institucioni më i thirrur në glob për t’i vlerësuar çështjet e ekonomisë, në një raport të publikuar sot.
Raporti i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor tregon se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të rajonit përjetuan një rritje të moderuar ekonomike gjatë këtij viti. Por ndërsa kjo e nxiti punësimin në këtë pjesë të Europës , shkalla e papunësisë në Kosovë lëvizi.
“Papunësia ka rënë në të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës”, thuhet në një pjesë këtij raporti.
Në vendet e tjera të rajonit, shkalla e punësimit (grup-mosha mbi 15 vjeç e aftë për punë) ka shënuar përmirësim të madh, duke arritur në 48.5% këtë vit, thotë Banka Botërore, duke e quajtir “nivel historik”. Shkalla e papunësisë, ndërkaq, arriti në 11.3% në qershor të këtij viti.
Ndërsa Kosova e ka numrin më të ulët të të punësuarve, në Shqipëri shkalla e punësimit ishte 66.7% përi, në fund të vitit 2023, që e tejkalon shkallën e shteteve anëtare të BE-së (54.4%).
Megjithë rritjen e punësimit në Ballkanin Perëndimor, BB flet për “një shtrëngim të tregut të punës” që “ka çuar në rritje të shqetësimeve midis bizneseve”, që thuhet se përmendin “mungesat e fuqisë punëtore dhe mospërputhjet e aftësive”.
Në Kosovë thanë 10.7% e 4%, Kurti: S’ka më parulla “duam punë”
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij është e para pas luftës në Kosovë që nuk është përballur me protesta me parulla “Duam punë”.
Kjo, sipas tij, është “pasojë e drejtpërdrejtë” e qindra-mijëra vendeve të punës që thotë se u krijuan.
“Jemi Qeveria e parë në Kosovën e pasluftës ku nuk ka pasë asnjë protestë të vetme në të cilën figuron parulla ‘Duam punë’. Duam paga më të larta – sigurisht. Kushte më të dinjitetshme të punës – padyshim, por ‘Duam punë’ nuk ka më parulla. Dhe kjo besoj që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021′, tha Kurti më 8 tetor, në Konferencën për Turizmin e Qëndrueshëm, që u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Si potencial të vendit për investime, përmendte “fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit”, afërsinë me tregjet e Evropës perëndimore, “rritjen ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit” dhe “zhvillimin e projekteve infrastrukturore”.
Kurti thotë se Kosova është zhvilluar e pasuruar dhe se qytetarët tash jetojnë më mirë sesa në kohën para se ai të qeveriste.
Kur mandati po shkon drejt fundit, pushteti po flet për rritje të madhe të punësimit në vend. Shifrat që i veçon e thekson vazhdimisht, Kurti ia atribuon rritjes ekonomike që thotë se ndodhi këto vjet.
“Krahasuar me vitin 2021, tash që po flasim më 2024, bruto produkti vendor është për 1/3 më i lartë, ndërkaq buxheti shtetëror vjetor është për 35% më i lartë. Sigurisht që kjo është përkthyer edhe në punësim të shtuar. Krahasuar me para tri viteve, punësimi në Kosovë është rritur me 20%, përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar e padyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”, ka deklaruar ai më 29 gusht.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është prodhuesja e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës dhe përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave. Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, në tremujorin e katërt të vitit 2023 papunësia në vend ishte 10.7%. Vitin e kaluar, ASK-ja tha se brenda dhjetë vjetësh, papunësia në Kosovë kishte shënuar rënie për mbi 17%. Nga 30% sa kishte qenë në vitin 2013, kishte rënë në 12.6%.
Lëvizja Vetëvendosje më 17 shtator citonte një sondazh të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). “Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë”, shkruante partia e Kurtit në një postim në Facebook. “Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%…”.
Si? 65% prej një mijë persona të anketuar në Kosovë kishin thënë se janë të punësuar me pagë duke u përgjigjur në njërën prej pyetjeve të atij sondazhi: “Cili është statusi juaj aktual i punësimit?”.
Shifrat që s’përmenden
Ndërsa shifrat e Kurtit, LVV-së e ASK-së duken shumë pozitive, disa të tjera nuk përmenden në asnjë rast.
677 mijë e 571 njerëz (57%) janë të pallogaritshëm. Këta persona që mund të punojnë, sipas të dhënave të ASK-së, nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë, as nuk kërkojnë punë.
Kjo përqindje përfaqëson pjesën e popullsisë që ASK-ja e quan “ekonomikisht jo aktive”, e cila përfshin grupmosha prej 15 deri në 64 vjeç.
Prej këtyre, 440 mijë e 448 janë gra dhe 237 mijë e 123 burra.
Ndërsa Qeveria flet për punësim të madh, punëdhënësit raportojnë gjithnjë e më shumë vështirësi për të gjetur punëtorë. Këtë problem e kanë deklaruar më së shumti bizneset në sektorin e bujqësisë, gastronomisë, ndërtimtarisë dhe tekstilit.
Mijëra vende të lira pune gjenden edhe në platformat online, nëpërmjet të cilave bizneset kërkojnë punëtorë.
Trendi i emigrimit të kosovarëve është në rritje edhe sipas shifrave zyrtare, ndërsa të dhënat e Agjencisë së Punësimit të Kosovës flasin për rënie të numrit të punëkërkuesve.
Shtetasit nga Kosova dhe Shqipëria kryesojnë me një diferencë të dukshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për nga numri i kërkesave për azil në Bashkimin Europian, sipas një raporti të fundit të Agjencisë Europiane për Azilin (EUAA).
Raporti thotë se 3,375 kosovarë paraqitën kërkesa për azil në një vend të Bashkimit Europian në gjysmën e parë të këtij viti.