Banditi çlirimtar dhe çlirimtari bandit - Gazeta Express
string(39) "banditi-clirimtar-dhe-clirimtari-bandit"

OP/ED

Gazeta Express

29/06/2023 15:13

Banditi çlirimtar dhe çlirimtari bandit

OP/ED

Gazeta Express

29/06/2023 15:13

Për mua – për aq sa kam mësuar nga historia, e jona dhe ajo në rajon të paktën – çdo bandit është çlirimtar dhe çdo çlirimtar është bandit. Përderisa nuk ka paqe, tolerancë, respektim të ndërsjellë dhe përmbushje të të drejtave

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Duke parë qëndrimin e pushtetit ndaj problemit të veriut në përgjithësi, ka disa pyetje që më bëhet se dalin në sipërfaqe vetvetiu. Po për mua – e do të isha shumë i lumtur të më konfiromohej, në çfarçdo mënyre, se nuk jam aspak i vetmi – është një pyetje më thelbësore që më rri në mendje dhe nuk e di cila do të ishte përgjigjja më e kënaqshme për të.

Pra: A duhej të na bënte përvoja jonë, nëse jo jemi të hapur, të drejtë, të bashkëndiejmë dhe mirëkuptojmë, atëherë të paktën të tregohemi korrekt?

Ne mbajmë mend – dhe kur nuk është e mjaftueshme dhe e mundshme të mbajmë mend, hulumtojmë dhe mësojmë – se regjimi serb (po përgjithësoj për aq sa nuk është e tepërt) një prej kënaqësive të tij perfide më të madha, e të tjerët do të thonë se kjo është praktika, e ka pasur ta etiketojë mospëlqimin, mospranimin, kundërshtimin dhe luftën tonë si mospëlqim, mospranim, kundërshtim dhe luftë terroriste. Gjithçka që ka pasur të bëjë me të drejtën, lirinë tonë, etiketohej në mënyrën më johumane.

Dhe ja ku jemi sot: ne duam ta bëjmë dhe po e bëjmë të njëjtën gjë që na është bërë ne. Sepse ne tash pretendojmë se kemi forcën ta bëjmë. Jo për t’u hakmarrë, do të thotë pushteti, por për të ruajtur rendin. Kjo do të thotë se, secili që e ka rendin në dorë, ka të drejtën ta përdorë forcën për ta ruajtur atë dhe secili që e kundërshton (atë rend) është terrorist.

Ne po e konfirmojmë këtë praktikë, përkatësisht kënaqësi perfide.  

E megjithatë, ne e dimë – dhe kur nuk e dimë, hulumtojmë dhe mësojmë – se jo gjithmonë forca e ka forcën. Ngase gjithmonë ka forcë mbi forcë, forcë përtej forcës. Regjimi serb qe detyruar në fund të ulej në tavolinën e bisedfimeve pikërisht përballë atyre që i quante terroristë dhe ndaj të cilëve kishte shpallur fletarreste.

E për mua është fare e qartë se regjimi ynë nesër do të detyrohet, se s’ka si të tjetë ndryshe, të ulet në tavolinën e bisedimeve përballë pikërisht atyre të cilët sapo e pati kënaqësinë t’i shpallë terroristë.

Duke qenë se dy qeveritë e tashme fashiste, ajo kosovare dhe ajo serbe, nuk e kanë ndër mend të ulen me vullnet dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje finale, as çfarëdo, mbase përnjëmend tashmë është e domosdoshme një konferencë ndërkombëtare.

Dhe sidomos, meqë as qeveria jonë nuk po i përmbush obligimet, sidomos pra të sillet në tavolinë Asociacioni i themeluar nga BE-ShBA.

Ja pse, që ta përmbyllim, do të ishte mirë të ishim korrektë ndaj kërkesave të bashkëqytetarëve tonë serbë, sidomos ngase kanë kaluar vetëm dy decenie prej se ne ishim, në njëfarë mënyre, në një gjendje ku kishim kërkesa dhe nevoja ndaj një rendi të cilin nuk e donim dhe natyrisht ishte shtypës ndaj nesh.

Asociacioni komunave serbe është një mënyrë, ashtu siç e lexoj unë, duke e pasur parasysh gjendjen në të cilën gjendemi, është pra një mënyrë që bashkëqytetarët tonë serbë të kthehen kah shteti ynë i përbashkët, duke e pranuar atë përfundimisht, dhe në të njëjtën kohë një mënyrë e tyre e kundërshtimit, pa asnjë rrezik dhe pa asnjë efekt, të këtij shteti – në kuptimin se Asociacionin mund ta konsiderojnë, për veten, një lloj të realizlimit të aspiratave të tyre.

Ne duhet të jemi korrektë, sepse, thënë qartë dhe troç, Asociacioni është një e drejtë dhe bashkëqytetarët tanë serbë kanë çdo të drejtë të aspirojnë për të, me të gjitha mjetet që, shpresojmë, nuk çojnë te mjeti i fundit.

Për mua – për aq sa kam mësuar nga historia, e jona dhe ajo në rajon të paktën – çdo bandit është çlirimtar dhe çdo çlirimtar është bandit. Përderisa nuk ka paqe, tolerancë, respektim të ndërsjellë dhe përmbushje të të drejtave.

Ta pranosh këtë premisë është korrektësi. Ne kemi çlirmitarë që thjesht janë banditë dhe natyrisht, ata do të kenë banditë që thjesht do të jenë çlirimtarë.

Më e mira që mund të bëjmë, më e mira që duhet të bëjmë, është të sjellim paqen dhe t’i respektojmë të drejtat përpara se të vijmë përfundimisht te ultimatumi ndërkombëtar.