Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, zhvilloi sot një interpelancë me opozitën sa i përket ndërtimit të segmentit Thumanë-Kashar dhe aksin “Rruga e Kombit”.
Në fjalën e saj në përgjigje të interpelancës së opozitës, ministrja e Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi se ndërtimi i infrastrukturës rrugore në Shqipëri po kryhet në përputhje të plotë me standardet e paracktuara nga BE.
Lidhur me segmentin Thumanë-Kashar, banorët e të cilës protestojnë kundër këtij projekti, Balluku theksoi se nuk ka asnjë shkelje dhe bëhet fjalë për 2 nyje dhe jo 4.
Po ashtu, ajo theksoi se deri në përfundim të këtij projekti, banorëve të zonës iu është dhënë edhe një zgjidhje provizore.
“I kemi dhënë një zgjidhje provizore kërkesës së banorëve të Thumanës, ka rrugë alternative dhe ajo video që vure këtu për të dëgjuar duke kopjuar liderin tënd suprem, nuk i lëviz asnjë fjalë. Është parim që të gjitha rrugët me pagesë, duhet të kenë alternativë. Dhe sot që flasim Thumana ka rrugë alternative, por është e gjatë dhe nuk është në gjendje të mirë. Rrugë alternative ka dhe nuk kam shkelur atë që kam thënë por nuk duan të përdorim atë rrugë të gjatë dhe kanë të drejtë. Do të ketë rrugë më të shkurtër, do të rrugë të dedikuar që nis menjëherë. Jemi në fazën e firmosjes së kësaj kontrate. Kemi sqaruar se ata do të aksesojnë në mbikalimin e Gramzës, duke zgjidhur kështu deri ditën që do të kemi rrethrrotullimin dhe mbikalimin e plotë në hyrje të Thumanës dhe atëherë do të pushojë zgjidhja provizore. Me banorët kemi rënë dakord edhe me diçka tjetër, që në rast se ata do ta shikojnë të arsyeshme, mund të konsiderojmë që edhe mbikalimin e Gramzës ta kthejmë në një nyje permanente”, tha Balluku.