Qeveria ka lehtësuar procedurat për fermerët që aplikojnë për të përfituar naftë pa taksa në bujqësi, nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2025.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave kanë miratuar ndryshime në udhëzimin “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit për programin e bujqësisë dhe zhvillimit rural për vitin 2025”, duke thjeshtuar dokumentacionin që duhet të ngarkohet në sistem gjatë aplikimit.
Sipas ndryshimeve të botuara në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se “çdo subjekt përfitues duhet të provojë aktivitetin bujqësor për të cilin aplikon, duke paraqitur: faturë blerje për një nga inputet si material mbjellës (farëra ose fidanë)/ plehra kimike/ pesticide; ose faturë për shitjen e prodhimit”.
Faturat mund të ngarkohen në sistem në momentin e aplikimit ose mund të dorëzohen fizikisht në Agropika ose në zyrat qendrore të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.
Udhëzimi përcakton gjithashtu se dokumentacioni që duhet të ngarkohet në sistem është edhe për statusin e pronësisë: Certifikata e pronësisë, shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese kur fermeri e disponon atë; AMPT, kur aplikanti ka AMTP për tokën bujqësore të lëshuar në emër të tij si përfaqësues i familjes bujqësore; kur aplikanti është anëtar i familjes bujqësore që ka marrë tokën në pronës duhet të dorëzojë AMTP, Certifikatë familjar e gjendjes më 1.8.1991, Marrëveshje dakordësie e shumicës së anëtarëve të familjes bujqësore në gjendjen aktuale, në lidhje me punimin/përdorimin e tokës nga aplikues. Dhe në rastet kur aplikanti e ka marrë tokën bujqësore me qira ose në përdorim, duhet të dorëzojë kontratë qiraje, kontratë huapërdorjeje ose dokument të ligjshëm të nënshkruar mes palëve (shoqëruar me dokumentet përkatëse të pronësisë).