Në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës po punohet për detajet e fundit, pak ditë para uljes në pistë të avionit të parë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër ecurinë e punimeve, teksa tha se, “më 8 maj, do kemi testin me uljen e avionit të parë në pistën prej 3,2 kilometrash në Vlorë, për të vijuar me certifikimet, që brenda sezonit veror të kemi uljet zyrtare”.
Balluku tha se po punohet me tre turne për të plotësuar afatet e përfundimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
“Pothuajse kanë përfunduar punimet në tërësinë e këtij investimi. Këtu punohet dhe me tre turne. Nuk është një kantier dosido, është pista e një aeroporti ndërkombëtar. Puna që bëhet këtu është një punë që kërkon shumë kujdes dhe që duhen të plotësohen të gjitha standardet. Kemi ngritjen e logjistikës, magazinat kargo që të mos kryhen vetëm fluturime me pasagjerë, por dhe me mallra. Gjithashtu kemi një komponent tjetër që është Akademia e Aviacionit Civil. Ky aeroport i ri hap 1200 vende pune”, theksoi Balluku.