Ballsor Hoxha sfidon kritikën letrare – “Leximet e pafundme të Kadaresë” - Gazeta Express
string(68) "ballsor-hoxha-sfidon-kritiken-letrare-leximet-e-pafundme-te-kadarese"

Ballsor Hoxha sfidon kritikën letrare – “Leximet e pafundme të Kadaresë”

Arte

Gazeta Express

11/11/2021 22:01

Studiuesi Ballsor Hoxha promovon librin “Leximet e Pafundme të Kadaresë”, mbi interpretimet e shumëfishta të veprës së shkrimtarit, një botim i UET Press

“Çdo herë që Kadareja nuk e fiton çmimin ‘Nobel’, del fitues”. Ishin këto fjalët e shkrimtarit nga Prishtina, Ballsor Hoxha, teksa promovoi librin e tij më të ri, një kritikë jashtë skemave, e cila i rrëzon klishetë e vetë kritikës, mbi interpretimet e shumëfishta të veprës së shkrimtarit Ismail Kadare.

Lexo Edhe:

Autori i botimit më të ri të UET Press “Leximet e Pafundme të Kadaresë” rrëfeu se librin e ka shkruar në një moment revolte, jo vetëm për obsesionin që kemi për ta parë shkrimtarin e madh, Kadare duke fituar një “Nobel”, por edhe me atë që, Hoxha e quan “revoltë ndaj akademikës”.

“‘Nobel’ ka pasur një identitet, por tashmë nga kaluar në një avant-garde për zgjedhjet e tyre, gjë që për mua, Kadarenë e bën fitues, sa herë që nuk e merr. Nëse e merr atëherë për mua do të humbë vetë Kadareja, do të mbetet brenda një skeme. Jam revoltuar ndaj përkufizimit të veprës së Kadaresë, sepse sipas mendimit tim nuk ka akademi që të përkufizojë artin. Arti nuk përkufizohet”, u shpreh shkrimtari, i cili tha se me “Leximet e Pafundme të Kadaresë” ka synuar të krijojë lirinë e mendimit.

Promovimi i këtij libri, që rrëzon klishetë e kritikes, duke ju qasur tekstit letrar përmes leximeve të pasuruara me mendimin filozofik dhe estetikën e tekstit, erdhi në formën e bashkëbisedimit me studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në atë që tashmë të gjithë e njohin, Department’s Book Review.

“Kur shkruaj pyetem ‘se për kë do të shkruaj dhe kush do ta kuptojë këtë gjuhë. Kush do të ketë durimin të merret me të’. Por nga ana tjetër pikërisht për shkak të kësaj, provoj të dal jashtë skemave dhe të gjej mënyra jashtë tyre. Kam dashur t’i shkrij të gjitha temat prej metodës shkencore e deri tek arti i të lexuarit”, tha Hoxha.

Si një zhaner i veçantë i të shkruarit, janë të rralla botimet kritike, kritika profesionale apo kritika që ndërlidh shkrimtarin dhe lexuesin.

Edhe pse në media nuk mungojnë shkrime, recensa, ndalesa të posaçme mbi vepra dhe autorë, kritika mbetet një profesion më vete dhe një argument, i cili ka nevojë të zërë vend në mjedisin shqiptar.

Libri “Leximet e Pafundme të Kadaresë” është i ndarë në shtatë kapituj dhe autori përpiqet që në secilin prej kapitujve, të marrë disa tema identifikuese si për letërsinë, ashtu edhe për vetë Kadarenë.

Botimi vjen me parathënien e pedagoges së UET, Irena Myzeqarit e cila u shpreh se kritika që autori Hoxha i bën veprës së Kadaresë, e bën atë të akoma më të papërkufizueshëm.

“E bukura e autorëve të mëdhenj qëndron tek dinamika e pakohësisë. Kadare ka shkruar në një kohë duke dashur të jetë i asaj kohe, por duke i shpëtuar përkufizimit te saj. Dhe analiza që ju i bëni arrin ta përmbushë Kadarenë, në këtë synim që ai i kishte vënë vetes. Të shkruajë në një kohë, pa qenë vetëm i asaj kohe”, tha Myzeqari.

Në takimin promovues të librit, Ballsor Hoxha zbuloi se shkrimtarin e madh, Kadare e quan një “bjeshkë të namun”.

“Jo vetëm në kuptimin negativ, por edhe pozitiv”, tha ai, ndërsa nuk ngurroi të tregonte edhe një lloj meraku që kishte për të mos u keqkuptuar.

“Jam frikësuar shumë se mos keqkuptohet, por kjo është jo vetem liri, por edhe guxim, edhe motivim për t’u revolutar nga këto skema apo kufizime që kufizojnë artin”, do të shprehej shkrimtari Hoxha.

“Kisha ankthin e pritjes, deri sa do vinte kjo ditë dhe do të flisnim rreth këtyre gjërave. Jam menduar rreth kësaj shprehje, asaj çfarë e bën “bjeshkë të namum” dhe kumti që sjell. Letërsia merret me emocionin dhe krijon emocion, por edhe mendim dhe e nxit mendimin. Filozofia merret vetëm me mendimin. Letërsia e Kadaresë me del si një “bjeshkë e namun” për shkak të kumtit”.

Për studiuesin e letërsisë, Adil Olluri ajo që e karakterizon veprën e Ballsor Hoxhës është liria e interpretimit, ndërsa për gjuhëtarin Bardh Rugova, një pjesë e mirë e librit tregon idenë për të mbrojtur kulturën nga shkenca. /Gazeta Liberale