Procedurat administrative dhe burokratike të ndërlikuara të pranimit dhe ngurrimi europian kanë favorizuar depërtimin e fuqive në ngritje e sipër në Ballkanin Perëndimor: Rusia kundërshton zgjerimin e BE-së dhe NATO-s; Kina dhe Turqia ofrojnë modele të shoqërisë bazuar në parime jo-demokratike. BE-ja është gjithnjë e më e kushtëzuar nga decentralizimi i fuqisë botërore përballë së cilës po e ripërshtat strategjinë e saj për të mbetur aktori kryesor në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, anëtarësimi në BE është alternativa e vetme
Nga: Liridon Lika
Neologjizmi « Ballkan Perëndimor » është një koncept politik, gjeopolitik dhe teknik, i krijuar nga Bashkimi Europian (BE) në dhjetor të vitit 1998, për të përcaktuar një zonë gjeografike të kontinentit europian që përfshin gjashtë shtete: Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Në fillim të viteve 2000, gjithçka tregonte se shtetet e Ballkanit Perëndimor ishin të destinuara të integronin projektin e përbashkët europian sa më shpejt të ishte e mundur. Por procesi i zgjerimit është ngadalësuar për shkak të ngecjes në realizimin e reformave dhe problemeve bilaterale politike e ekonomike ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, shoqëruar me « lodhjen e zgjerimit » të BE-së. Në rrethanat e këtij ngadalësimi të anëtarësimit në BE, aktorët e rinj të cilësuar si fuqi në ngritje e sipër (emerging powers në anglisht), të tilla si Rusia, Kina dhe Turqia, kanë bërë përpjekje të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon. Në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, shprehja « fuqi në ngritje e sipër » nënkupton shpërndarjen e fuqisë botërore dhe vënien në dyshim gradual të rendit ndërkombëtar të dominuar për shekuj me radhë nga fuqitë tradicionale perëndimore.
Prandaj hulumtimi ynë ngre hipotezën se Ballkani Perëndimor sot përbën një fushë konkurrence midis fuqive të mëdha që aspirojnë të rrisin ndikimin e tyre në rajon. Ashtu si Rusia dhe Kina, Turqia – edhe pse zyrtarisht një kandidate për anëtarësim në projektin europian – synon të konkurrojë me BE-në në Ballkanin Perëndimor dhe të maksimizojë interesat e saj. Pyetja kërkimore që shtrohet është si vijon: a po përballet strategjia e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor me konkurrencën nga shtrirja e ndikimit të fuqive në ngritje e sipër, sikurse Turqisë në rajon?
Politika e zgjerimit të BE-së: shpresa të mëdha dhe rezultate të përziera
Ballkani Perëndimor nuk është një rajon homogjen, por përbëhet nga kombe, shtete, gjuhë, kultura dhe besime të ndryshme. Nga viti 2000 dhe veçanërisht 2003, me samitin e Selanikut, BE-ja u angazhua për zgjerimin e saj drejt Ballkanit Perëndimor sipas parimit « rast pas rasti » ose në një proces të përshkruar nga Brukseli si « meritokratik ». Duke vendosur parimet e kushtëzimit dhe europianizimit, autoritetet europiane synuan të promovojnë sigurinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë e lirë të tregut. Sidoqoftë, kjo strategji ka sjellë rezultate të pabarabarta dhe të përziera. Që nga vitet 2007-2008, edhe vet BE-ja është dobësuar nga kriza të shumta (ekonomike, politike, migrimit). Kështu që, procesi i pranimit në gjirin e saj të shteteve të Ballkanit Perëndimor është ngadalësuar. Në këto rrethana, fuqitë në ngritje e sipër kanë përfituar nga situata për të rritur ndikimin e tyre në rajon, duke konkurruar kështu me BE-në.
Shtrirja e ndikimit (projeksioni) të fuqive në ngritje e sipër në Ballkanin Perëndimor
Shfaqja e fuqive në ngritje e sipër po lëkund gjithnjë e më shumë baraspeshën e fuqisë në botë, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Sa i përket Rusisë, ajo vazhdon të promovojë lidhjet e saj politike, ekonomike dhe tradicionale me vende të caktuara në rajon, duke e paraqitur veten e saj si një aleat më të afërt se BE-ja. Rusia pohon një marrëdhënie të veçantë me komunitetet sllave dhe ortodokse të Ballkanit Perëndimor, kryesisht në Serbi. Doktrina zyrtare ruse kundërshton zgjerimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kina po përpiqet gjithashtu të zgjerojë ndikimin dhe praninë e saj strategjike në Europë, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Më 2012, ajo morri nismën 16 + 1, e cila u bë 17 + 1, një nismë bashkëpunimi me 17 vende të Europës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore. Kina përpiqet të konkurrojë me BE-në përmes modelit të saj autokratik dhe parimeve të saj jo-demokratike.
Turqia po përpiqet gjithashtu të rrisë praninë e saj në botë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Afrikë, Kaukaz, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Ankaraja synon të vendosë veten e saj si një udhëheqëse rajonale. Që nga viti 2002, me ardhjen në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Turqia ka miratuar një politikë shumëdrejtimëshe, shumëdimensionale, autonome, proaktive dhe konkurruese me BE-në. Projeksioni dhe depërtimi i Turqisë në Ballkanin Perëndimor ka dy dimensione kryesore: njëri neo-osman, tjetri të një fuqi në ngritje e sipër. Neo-osmanizmi është një strategji e politikës së jashtme turke, e cila mbështetet në trashëgiminë osmane për t’i shërbyer interesave të Turqisë bashkëkohore. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Turqia ka shtrirë ndikimin e saj në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrafshet politike, ekonomike, mediatike, arsimore, kulturore dhe fetare.
Ankaraja po bënë përpjekje që ta përmirësojë imazhin e saj në Ballkanin Perëndimor. Shtrirja e ndikimit të saj në rajon mbështetet në konceptin e fuqisë së butë (soft power). Fuqia e butë është një mënyrë e tërthortë e ndikimit, apo aftësia e një vendi për të arritur qëllimet e veta pa përdorur forcën, përmes tërheqjes, joshjes, imazhit pozitiv dhe kulturës. Shembujtë në vazhdim shfaqin disa nga mënyrat përmes të cilave Turqia përpiqet që të shtojë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor : vizitat e shpeshta zyrtare, invesitmet në ekonomi (privatizimi), organizimi i aktiviteteve kulturore, prania e mediave turke në gjuhët e Ballkanit Peëndimor, ndikimi kulturor përmes serialeve televizive, restaurimi dhe ndërtimi i objekteve fetare, hapja e universiteteve dhe kolegjeve turke, dhurimi i bursave për të studiuar në Turqi, botimi dhe përkthimi i literaturës turke në gjuhët e Ballkanit Perëdimor, etj.
Pengesat e shtrirjes së ndikimit turk në Ballkanin Perëndimor
Shtrirja e ndikimit turk nuk është e mirëpritur gjithmonë dhe gjithkund në Ballkanin Perëndimor për një mori arsyesh:
Në këtë shkrim, po përmendim tre pengesa kryesore për projeksionin turk në Ballkanin Perëndimor. Së pari, ato që ndërlidhen me vet Turqinë, siç janë papajtueshmëria midis neo-osmanizmit dhe vlerave europiane, retorika e papranueshme, ndonjëherë ofenduese dhe kërcënuese e udhëheqësve turq, si dhe kufizimet e kapaciteteve turke të fuqisë materiale dhe jo-materiale.
Së dyti, përkundër vështirësive të shumta ekonomike, financiare dhe politike, BE-ja mbetet aktori kryesor në Ballkanin Perëndimor – si për nga imazhi, ashtu edhe nga mjetet e saj ekonomike.
Së treti, Turqia përballet me shumë pengesa në Ballkanin Perëndimor për shkak të perceptimit negativ të periudhës së pushtimit dhe sundimit osman, orientimit pro-europian të shteteve në rajon ose tërheqjes (joshjes) së konsiderueshme të ushtruar nga pesha ekonomike, politike, sociale dhe normative e BE-së.
Shqipëria dhe Kosova
Në rastin konkret të Shqipërisë dhe Kosovës, që nga Mesjeta nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, Rilindja Kombëtare në shekullin e XIX-të dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), shqiptarët janë të orientuar drejt Perëndimit.
Në ditët e sotme gjithashtu, për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, anëtarësimi i vendeve të tyre në strukturat Euro-Atlantike është një përparësi strategjike. Për shembull, sondazhi i Barometrit Ballkanik për vitin 2018 tregon se 83% e qytetarëve të Shqipërisë dhe 84% e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë anëtarësimin në BE si një gjë të mirë. Prandaj, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë alternativë tjetër, përveç realizimit të reformave në mënyrë që të anëtarësohen në BE.
2016 | Good thing | Neither good nor bad | Bad thing |
Albania | 81 | 12 | 6 |
Bosnia and Herzegovina | 33 | 42 | 21 |
Kosovo | 83 | 12 | 2 |
North Macedonia | 47 | 36 | 15 |
Montenegro | 38 | 33 | 18 |
Serbia | 21 | 40 | 21 |
2017 | Good thing | Neither good nor bad | Bad thing |
Albania | 81 | 14 | 5 |
Bosnia and Herzegovina | 31 | 46 | 18 |
Kosovo | 90 | 6 | 3 |
North Macedonia | 54 | 33 | 11 |
Montenegro | 44 | 29 | 22 |
Serbia | 26 | 37 | 30 |
2018 | Good thing | Neither good nor bad | Bad thing |
Albania | 83 | 11 | 4 |
Bosnia and Herzegovina | 45 | 36 | 17 |
Kosovo | 84 | 11 | 4 |
North Macedonia | 59 | 28 | 11 |
Montenegro | 53 | 28 | 10 |
Serbia | 29 | 39 | 22 |
Përpilimi i të dhënave nga autori bazuar në informacionin e mbledhur në Barometrin e Ballkanit.
Nismat e reja për zgjerimin europian drejt Ballkanit Perëndimor
Përveç mesazhit të etërve themelues të BE-së, për shkak të mosmarrëveshjeve bilaterale ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të rrethanave të shtrirjes së ndikimit të Rusisë, Kinës dhe Turqisë në rajon, disa vende anëtare po shtyjnë institucionet europiane të përshpejtojnë mekanizmin e anëtarësimit në BE në mënyrë që të kundërshtojnë dhe pengojnë ndikimet e fuqive në ngritje e sipër. Kështu, përballë ndryshimeve në këtë kontekst ndërkombëtar, BE-ja dhe disa nga shtetet e saj anëtare (p.sh. Gjermania, Austria) kanë shprehur një vetëdijësim të ri duke marrur disa nisma që promovojnë zgjerimin. Këto nisma përfshijnë Procesin e Berlinit (2014), strategjinë e re të zgjerimit të Komisionit Europian (2018) dhe mbajtjen e samiteve BE-Ballkan Perëndimor në Sofje (2018) dhe Zagreb (2020).
*
Si përfundim, procedurat administrative dhe burokratike të ndërlikuara të pranimit dhe ngurrimi europian kanë favorizuar depërtimin e fuqive në ngritje e sipër në Ballkanin Perëndimor: Rusia kundërshton zgjerimin e BE-së dhe NATO-s; Kina dhe Turqia ofrojnë modele të shoqërisë bazuar në parime jo-demokratike. BE-ja është gjithnjë e më e kushtëzuar nga decentralizimi i fuqisë botërore përballë së cilës po e ripërshtat strategjinë e saj për të mbetur aktori kryesor në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, anëtarësimi në BE është alternativa e vetme.
Një version më i shkurtër i këtij shkrimi është botuar në frengjisht më 16 dhjetor 2020 në faqen zyrtare të Shoqatës belge frengjishtfolëse të shkencës politike/Association belge francophone de science politique (ABSP): https://absp.be/Blog/balkans-integration-europeenne/
Ky shkrim është një përmbledhje e shkurtër e doktoraturës së autorit :
Lika Liridon (2020), Ballkani Perëndimor në udhëkryq të integrimit europian dhe të shtrirjes së ndikimit të fuqive në ngritje e sipër. Analizë e kornizës trekëndore midis Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Europian dhe Turqisë, Doktoraturë në shkencat politike dhe shoqërore, Universiteti i Liezhës, 472 faqe. Kjo doktoraturë mund të shfletohet në platformën orbi: https://orbi.uliege.be/handle/2268/248622
Dr. Liridon Lika është ligjërues në Qendrën për Studime të Marrëdhënieve Ndërkombëtare/ Center for International Relations Studies (CEFIR) të Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Liezhës (Belgjikë). Ai vazhdon gjithashtu studimet e postdoktoraturës në Fakultetin e Arteve dhe Shkencave Sociale në Universitetin e Maastricht-it (Holandë). Kërkimet e tij përqendrohen në shtetet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht Kosovën dhe Shqipërinë, veprimin e jashtëm të Bashkimit Europian (BE) dhe politikën e jashtme të fuqive në ngritje e sipër ndaj Ballkanit Perëndimor.
Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) është një gjendje e rëndë që prek rrugët e frymëmarrjes. SI SHKAKTOHET? Faktori kryesor...