Bakayoko nxit spekulimet për kthim në San Siro: Të gjithë e dinë që Milanin e kam në zemër - Gazeta Express

Bakayoko nxit spekulimet për kthim në San Siro: Të gjithë e dinë që Milanin e kam në zemër

Sport

Gazeta Express

12/08/2020 14:12

Futbollisti i  padashur në skuadrën e Chelseat, Tiemoue Bakayoko, e ka hapur derën për një kthim të mundshëm në San Siro, duke thënë se “të gjithë e dinë që Milani është në zemrën time”.

Chelsea investoi 40 milionë funte për transferimin e Bakayokos gjatë verës së vitit 2017, pasi ai kishte luajtur rol kyç në skuadrën e Monacos që kishte arritur ta fitojë trofeun e Ligue 1, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, mesfushori francez nuk arriti të vazhdojë me të njëjtën formë edhe në sezonin e tij debutues në Premierligë dhe shpejt e humbi vendin në formacion të parë në Stamford Bridge.

Chelsea në fund vendosi ta huazojë Bakayokon në Milan për sezonin 2018/19, ku ai bëri paraqitje më të mira, përderisa kuqezinjtë për pak sa nuk e arritën një vend në top katërshe të Serisë A.

Megjithatë, klubi italian nuk e shfrytëzoi opsionin për ta blerë Bakayokon gjatë verës në formë permanente dhe për këtë arsye Chelsea e huazoi atë sërish për sezonin 2019/20, këtë herë te ish-klubi i tij, Monaco.

25-vjeçari i zhvilloi 23 ndeshje për klubin francez para se sezoni të ndërpritej para kohe shkaku i përhapjes së koronavirusit dhe tani është kthyer në Chelsea, ku ka kontratë deri më 2022.

Mediume të shumta evropiane kanë raportuar se Milani i ka nisur negociatat me Chelsean për edhe një huazim tjetër të Bakayokos, me opsionin për ta blerë verën e ardhshme për 35 milionë euri.

Kur u pyet për këto spekulime lidhur me të ardhmen e tij, ish-ylli i Monacos nxiti edhe më shumë spekulimet për një kthim potencial të tij në San Siro.

“Të gjithë e dinë se Milani është në zemrën time dhe se unë kam kujtime të mira atje”, ka thënë Bakayoko.

“Për momentin jam lojtar i Chelseat, por do ta shohim se si do të shkojnë gjërat në futboll”. /Gazeta Express/