Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se as presidentes Vjosa Osmani dhe as Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka penguar fakti që Radomir Llaban ishte gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, kur ajo e kishte rrëzuar Qeverinë Hoti.
Ajo shkroi në Facebook se sulmet që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese, po bëhen me dëshirën për ta parë atë “pa kuorum”.
“FAKTE: As Vjosa Osmanit, as LVV-së nuk iu ka penguar përbërja e Gjykatës Kushtetuese kur kjo Gjykatë ka rrëzuar qeverinë në vitin 2020, asnjë zë, asnjë fjalë në atë kohë. Albulenë, Sulmet që ju bëni gjykatave tregojnë më shumë për ju sesa për gjykatat. Po i bëni gati 5 vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe, përpos sulmeve ndaj gjykatave, asnjë punë, asnjë reformë s’ta mban kush mend. Mos mendoni që kemi harruar, të gjithëve na kujtohet se si pas sulmit terrorist në Banjskë, Radojçiqit iu krijua një korridor dhe ai iku në pikë të ditës nën vëzhgimin e kamerave dhe deri më sot asnjë shpjegim s’ka dhënë qeveria e LVV-së. Për më tepër, qeveria e LVV-së pas sulmit terrorist në Banjskë ka pasur mundësi që ta shpallë organizatë terroriste Listën Serbe, por nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe sot provoni të shisni patriotizëm dhe, sa herë që ndonjë vendim i ndonjë institucioni nuk ju pëlqen, disi tentoni ta lidhni me Serbinë dhe Radojçiqin. Mos se po ju njohim!”, shkroi ajo.
Bajrami tha se “po shihet sheshazi se ju LVV dhe Vjosa Osmani po e doni Gjykatën Kushtetuese pa kuorum. Veç na tregoni pse?”.
“Se kjo veç Kosovës nuk i shkon për shtati. Në fund, sa i përket njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kujt po i shisni përralla, oj zonjë? Votimi i fshehtë 48 herë është refuzuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit. Ndërsa ju vetë, zonja Haxhiu, keni dështuar 6 herë në votim të hapur dhe 48 herë në votim të fshehtë. Vota jonë kundër komisionit për votim të fshehtë ka qenë votë kundër komisionit, votë kundër votimit të fshehtë dhe votë kundër jush për kryetare të Kuvendit”, shkroi ajo.