string(96) "bajrami-pergjegjes-per-bllokaden-eshte-fituesi-i-zgjedhjeve-kurti-po-e-denigron-albulena-haxhiun"

Lajme

Gazeta Express

03/06/2025 22:47

Bajrami: Përgjegjës për bllokadën është fituesi i zgjedhjeve – Kurti po e denigron Albulena Haxhiun

Lajme

Gazeta Express

03/06/2025 22:47

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe dështimin e 25-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ajo e konsideroi përgjegjës kryesor për këtë situatë partinë që ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit dhe ka siguruar 48 ulëse në Kuvend – Lëvizjen Vetëvendosje.

Duke komentuar pretendimet e Albin Kurtit se i ka votat për të formuar Qeverinë, por jo për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, Bajrami u shpreh se një gjë e tillë është e paarsyeshme dhe se, sipas saj, përbën denigrim të figurës së Haxhiut.

“Nuk mund të thuash i kam votat për Qeveri, por jo për Albulena Haxhiun. Nëse i ka 61 vota për Qeverinë, atëherë pse nuk i përdor për zgjedhjen e Haxhiut? Kjo do të thotë që po e denigron atë, sepse nuk ka logjikë që të njëjtat vota të mos përdoren për një pozicion tjetër”, tha Bajrami në RTKPrime.

Ajo shtroi edhe pyetjen nëse mosvotimi i Haxhiut është pasojë e mungesës së mbështetjes nga brenda Lëvizjes Vetëvendosje, dhe jo nga partitë opozitare.

“A po i bie që ka deputetë të Vetëvendosjes që nuk po ia japin votën Haxhiut? Sepse nuk besoj që ka deputetë të partive të tjera që do të votonin Kurtin pa marrëveshje politike”, shtoi ajo.

Bajrami mohoi akuzat se Haxhiu po bllokohet për shkak se është grua, duke theksuar se debati nuk është gjinor, por përmbajtësor.

“Nuk ka të bëjë kjo me gjininë. Unë vetë jam grua dhe jam aktive në politikë që nga viti 2010. Asnjëherë nuk është kontestuar Haxhiu për faktin që është grua, por sepse ajo është një figurë polarizuese dhe ka dështuar si ministre për katër vite”, tha ajo.

Sipas saj, në krye të Kuvendit duhet të vijë një figurë unifikuese, duke pasur parasysh se nga marsi i vitit të ardhshëm, kryeparlamentari do të ushtrojë edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Bajrami paralajmëroi se situata aktuale mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, pasi, sipas saj, është bërë e qartë që asnjë koalicion nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

aaaaa