Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbi masën e SHBA-së për pezullim të Dialogut të planifikuar Strategjik, i cili sot në mbledhjen e qeverisë tentoi ta minimizonte atë, duke thënë se kontaktet e qeverisë së tij me amerikanët janë të rregullta.
Bajrami tha se Kurtit s’i duket asgjë pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA meqë s’është angazhuar kurrë për ndërtim raportesh me SHBA-në apo aleat tjetër, ndërsa tha se është tallur me Sekretarin amerikan dhe se është tallur me Shtëpinë e Bardhë.
“Natyrisht, se Kurtit nuk i duket asgjë pezullimi i procesit të fillimit të Dialogut Strategjik me SHBA-të sepse kurrë në jetën e tij nuk ka kontribu për të ndërtuar raporte me SHBA-të apo ndonjë aleat tjetër të shtetit tonë. Kurti është tallur me sekretarin amerikan, është tallur me Shtëpinë e Bardhë dhe tash po tallet me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dikush tjetër po ekzagjeron masën e fundit të SHBA-ve që është pezullimi i fillimit të Dialogut Strategjik”, ka shkruar Bajrami.
Ajo tha se dëmtimi i raportit me SHBA-në e gëzon Serbinë dhe jo ish-opozitën.
“Sipas deputetit Kurti, Ambasada Amerikane në Prishtinë qenka e veçuar nga politika e jashtme amerikane, me siguri edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka mendu që po bën shaka me një fqinj të rëndomtë, pra ky është niveli i seriozitetit të Kurtit i cili ka uzurpuar zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë, veprimin e të cilës po e presim me muaj. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje uroj shumë ta kuptojnë sa më parë që degradimi i raporteve Kosovë-SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por assesi ish opozitën. Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e shqetësuar për ndërprerjen e dialogut strategjik me SHBA-të dhe ne angazhohemi pa ndalë që raportet tona miqësore e diplomatike t’i ruajmë e thellojmë tutje”.
Bajrami tha se për shkak të Albin Kurtit, Kosova nga mesi i vitit 2023 është në sanksione të BE-së.
“Nuk ka marrë pothuajse asnjë njohje qe 5 vjet, përjashtim njohjes që e solli Pacolli, nuk është anëtarësuar pothuajse në asnjë organizatë. Të vetmen punë që ka bërë në këto pesë vjet Albin Kurti është rritja e tregtimit të energjisë elektrike dhe rreth 300 milionë Euro tenderat njëburimor”.
Bajrami tha se qytetarët “do ta dënojnë këtë sjellje të Kurtit që e ka dërgu në këtë pikë Shtetin e Kosovës!”./Express/
FTESE PËR PJESEMARRJE Ne procedurën e tenderit/gares për dhënien/perzgjedhjen e shërbimit të qirasë për automjete të pablinduara, pa shoferë,...