Vendi mund të shkojë në zgjedhje, dhe kjo, sipas Hykmete Bajramit, vetëm për faj të LVV-së dhe Albin Kurtit, i cili, siç thotë ajo, “insistonte që ta merrte për vete edhe pozitën e Presidentit, në mënyrë që ta kapte shtetin”. Ajo tha mbrëmë në Pressing në T7 se Vjosa Osmani do të rizgjidhej presidente nëse këtë do ta donte Kurti. Bajrami nuk e sheh “krejt të natyrshëm”, madje as “të lehtë” një kthim të mundshëm të saj në LDK.
Gazeta Express
Në rezultatin e dytë më të keq të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndonjëherë, që e sollën zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Hykmete Bajrami ishte e vetmja në këtë parti që pati rritje votash prej zgjedhjeve paraprake.
Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares duke ia kërkuar këtë edhe kryetarit të partisë, për shkak të atij rezultati të dobët, sheh përpara sërish zgjedhje.
“Nëse shkojmë në zgjedhje, faji është i LVV-së”
Ajo tha mbrëmë në Pressing në T7 se “nëse shkojmë në zgjedhje – dhe të gjitha indikacionet aty po çojnë – faji duhet të dihet dhe të jetë i qartë: është i Lëvizjes Vetëvendosje”.
Kryeministri Albin Kurti, sipas saj, synoi ta vendoste në karrigen e shefit të shtetit një njeri partiak që do t’i shërbente për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor.
“Asnjë parti politike deri më sot – pra, pas rezultatit të 28 dhjetorit – nuk e ka pasur as shansin më të vogël që të zgjedhë Presidentin. Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me minoritetet, ne e dimë të gjithë që i kanë pasur 66 vota në Kuvend. Dhe këtu nuk është faji i Lidhjes Demokratike të Kosovës, as i partive të tjera parlamentare, është ekzkluzivisht i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, duke mos pasur 2/3 e votave në Kuvend, insistonte që ta merrte për vete edhe pozitën e Presidentit, në mënyrë që ta kapte shtetin. Qëllimi ka qenë që të kemi një president partiak i cili do t’i shërbente në katër vitet e ardhshme, të ketë kapje të Gjykatës Kushtetuese, të ketë kapje Këshillit Prokurorial dhe të ketë kapje të Këshilit Gjyqësor. Dhe kështu ta përmbyllin kapjen e të gjitha institucioneve. Sepse ata e dinë mirë se çfarë kanë bërë në 6 vitet e kaluara”, tha ajo.
Bajrami përmendi “mijëra kontrata njëburimore të cilat janë bërë në kundërshtim të plotë me ligjin e prokurimit, rritje të çmimit të energjisë pa kurrfarë arsyetimi, mafi energjetike, mafi farmaceutike në Kosovë”, ndërsa foli për qeverisjen e LVV-së.
Këto, thotë ajo, janë arsyeja pse Kurti, sipas saj, dëshironte t’i kapte të gjitha institucionet e drejtësisë.
“Kemi plot shkelje, emërime në institucione të pavarura të personave partiakë duke shkelur të gjitha normat dhe rregullativat ligjore. Andaj këta e dinë që po s’i kapën institucionet e drejtësisë, një nga një do t’i kapë ligji dhe do të jenë në burg”.
“S’pati ofertë për marrëveshje për Presidentin”
Vendi po pret një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, e cila nëse do të vendosë t’i japë të drejtë presidentes Vjosa Osmani e cila kishte nxjerrë një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, do të ketë zgjedhje të reja parlamentare.
Do të ishte hera e parë që vendi do të shkonte në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së Presidentit.
Për këtë çështje, Bajrami thotë se “asnjëherë nuk ka pasur asnjë ofertë për asnjë marrëveshje politike” nga Kurti.
“Në takimet ku zoti Abdixhiku ka marrë pjesë, asnjëherë nuk është diskutuar për emra. Asnjëherë. Në mënyrë komplet të njëanshme janë hedhur kandidaturat e zotit Konjufca dhe zonjës Mulhaxha Kollçaku, por nuk ka pasur kërkesa”, tha ajo.
Marrëveshja potenciale, siç thotë Bajrami, do të ishte “sikur zoti Kurti të hapte debatin, të thoshte ‘propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë këto’ dhe të vinte, për shembull, me disa emra dhe të hapej debati, të kërkoheshin disa emra nga Lidhja Demokratike e Kosovës, disa emra nga Partia Demokratike e Kosovës, pse jo edhe të tjerë nga shoqëria civile dhe të bëhej një debat”.
“Kurti s’e deshi Osmanin presidente, do të zgjidhej edhe pa votën time”
Hykmete Bajrami kujton vitin 2021, kur Albin Kurti, pasi ishte bërë kryeministër për herë të dytë, e kishte mbështetur Vjosa Osmanin për presidente. Këtë, ajo tha se kishte mundur ta bënte duke pasur një debutet më pak sesa tash dhe pa pyetur fare për votat e LDK-së.
“Zonja Osmani – duhet ta dinë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, siç e di edhe ajo vetë – nuk ka qenë kandidate dhe sot nuk është Presidente për shkak se s’ka qenë kandidate e preferuar për zotin Kurti”, tha ajo.
“A e dini ju që në vitin 2021 zoti Kurti nuk e ka pyetur asnjë deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës nëse janë për ose kundër Vjosa Osmanit”, tha Bajrami.
Nëse Osmani do të ishte kandidate e Kurtit për Presidente, Bajrami tha se “do të bëhej edhe pa votën e Hykmete Bajramit”.
Këtë herë, ajo tha se në asnjë takim që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e Presidentit, kryetari i LVV-së nuk e ka propozuar Osmanin.
“S’kam ndryshuar opinion për Vjosa Osmanin, ajo ka ndryshuar opinion për Albin Kurtin”
Bajrami ende mendon njëjtë për punën e Osmanit në Presidencë, duke vënë në dukje ndryshimin e qëndrimit të saj për Kurtin.
“Unë nuk kam ndryshuar opinion për Vjosa Osmani. Vjosa Osmani ka ndryshuar opinion për Albin Kurti”, tha ajo.
“Vjosa Osmani nga viti 2019 kur e ka quajtur Albin Kurtin ‘Hugo Chavez’. Më vonë kur Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë duke bashkëqeverisë me të (Kurtin) dhe ka ardhur në përfundim që zoti Kurti është njeri i rrezikshëm për të qeverisur me Kosovën dhe e ka prishur koalicionin me të, e ka formuar qeverinë tjetër, zonja Vjosa Osmani ka dalë kundër partisë së saj, është bërë me zotin Kurti, është bërë një ndarje e Lidhjes Demokratike të Kosovës , ka shkuar në studio dhe ka thënë ‘unë paskam pasë paragjykime për të sepse kam ndejtë me njerëz të gabuar'”.
Bajrami edhe sot e mban përgjegjëse Osmanin për rritjen e LVV-së në vitin 2021, “nga 25% në 50%”.
Bajrami s’e sheh të lehtë kthimin e Osmanit në LDK: “Nuk qenë në studime”
Vjosa Osmani ka thënë se do t’i shqyrtojë opsionet e angazhimit të saj të ardhshëm politik pas përfundimit të mandatit si presidente dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka hapur një derë për kthimin e saj.
“Unë nuk jam njëra prej atyre që kthimin e zonjës Osmani e shoh krejt të natyrshëm dhe shumë të lehtë”, thotë Hykmete Bajrami. “Zonja Osmani nuk ka qenë në studime jashtë shtetit qe 6 vite, që me u kthy aq lehtë”.
Ajo thotë se elektorati besnik i LDK-së ka ende hidhërim me Osmanin.
“Në vitin 2021 zonja Osmani ka dalë prej Lidhjes Demokratike të Kosovës, ia ka shkaktu një humbje shumë të thellë LDK-së, e ka rritë eksponencialisht zotin Kurti, prej 25% në 50%, dhe në atë kohë, elektorati ynë, besimtarët tanë, ata që na kanë votuar edhe në situatat më të rënda, janë hidhëruar shumë me zonjën Osmani. Atyre hidhërimi nuk iu ka kaluar edhe sot”.
Sipas saj, kryetari dhe strukturat vendimmarrëse të partisë do të duhej të bënin matje për efektin që mund ta kishte një kthim i mundshëm i Osmanit në partinë më të vjetër në vend.
“Unë besoj që zoti Abdixhiku dhe strukturat vendimmarrëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të bëjnë një analizë, të shohim se cila do të jetë pritja për zonjën Osmani, të pyesim, të bëjmë matje, të dalim në terren, dhe të shohim se çfarë net efekti do të ketë prurja potenciale e zonjës Osmani në LDK”, tha ajo.
Osmani do të duhej t’u kërkonte falje votuesve të LDK-së, thotë Bajrami
Nëse Osmani do të kthehej, Bajrami thotë se votuesve të LDK-së “ua ka borxh një kërkimfalje”.
“Zonjës Osmani, nëse vendos me u kthy në LDK, konsideroj që u ka borxh një kërkimfalje të gjithë votuesve të LDK-së. U ka borxh t’u shpjegojë se pse e ka ndryshuar qëndrimin dhe qysh prej një njeriu shumë të mirë, një kryeministri që punon për Kosovën, Kurti u shndërru në njeri të rrezikshëm”, tha ajo.
Përveç kësaj, Bajrami e sheh të nevojshëm edhe një “garanci” që Osmani s’do të afrohej sërish me Kurtin pas zgjedhjeve të reja.
“Në anën tjetër duhet një garancë, edhe nga zonja Osmani, por edhe nga organet vendimmarrëse, në këtë rast nga zoti Abdixhiku, se çka do të bëhet që qëndrimet gjatë fushatës të ngelen edhe qëndrime pas fushatës. Të mos i ndryshojmë prapë qëndrimet, prej Hugo Chavezit me u shndërru Kurti prapë në njeri të mirë kur ulemi për të biseduar për karrigen e Presidentit”.
Rivaliteti brenda partisë
Abdixhiku është dukur disi entuziast ndërsa e ka komentuar një kthim të mundshëm të Osmanit në LDK.
Megjithëse Bajrami e sheh ndryshe këtë çështje, thotë se nuk ka “asnjë lloj hatërmbetje, as asgjë”, me kryetarin e partisë, të cilit ia kishte kërkuar dorëheqjen pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Zhvillimet dhe debatin në LDK për rezultatin e dobët në zgjedhjet e fundit, Bajrami e sheh si normal.
“Nuk e kanë gërry LDK-në zhvillimet e natyrës çfare e kemi bërë, debatet nga 28 dhjetori deri më sot. Demokracia e brendshme nuk e gërryen… LDK-në e kanë gërryer ndarjet”, tha ajo, duke përmendur LDD-në e Nexhat Dacit dikur dhe ikjen e Vjosa Osmanit në vitin 2021.
Në LDK, ajo tha se tani “nuk ka ndarje, nuk ka klika”.
“Nuk ka pasur klane, të paktën jo në të cilat unë kam qenë e përfshirë”.
Tha se nuk ka “asnjë raport të keq me asnjë figurë të LDK-së”.
Ajo vetë, tha se do të angazhohet t’u qëndrojë besnike votuesve.
“Nëse dikush më sheh si rivale, është diçka tjetër. Unë rivalëve të mi, edhe brenda partisë, edhe jashtë partisë, u bëj thirrje të përballen me mua dhe të mos më çojnë të fala përmes njerëzve në studio televizive”, tha ajo.
Ajo s’përmdni mospajtime as me Doarsa Kica Xhelilin, me të cilën ka pasur zëra se nuk kanë marrëdhënie të mira.
“Kam raporte normale”, tha Bajrami, duke komentuar disa zëra se kishin pasur mosmarrëveshje për numrat në listën e kandidatëve për deputetë në dy zgjedhjet e fundit.
“Unë nuk e kam marrë numrin e saj. Pse e kam marrë numrin e saj? Numrin e kujt e ka marrë kur ka ardhë më 9 shkurt?”, tha ajo. “Nuk janë pronë e askujt numrat”.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...