Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ndërprerja e dialogut të planifikuar strategjik të Kosovës me SHBA-në është ndër lajmet më të këqija për Kosovën në vitet e fundit.
Ajo tha se dëmi që ia ka shkaktuar dhe po ia shkakton Albin Kurti dhe partia e tij Kosovës është i pariparueshëm, ndërsa akuzoi atë se po çojnë përpara agjendën e Serbisë e Rusisë që Kosova të shkëpusë raportet e saj me aleatin strategjik të saj.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin, janë dhe do të jenë aleati i pazëvendësueshëm për Kosovën. Albin Kurti dhe Vetëvendosje po zbatojnë në përpikëri agjendën e Serbisë dhe Rusisë që Kosova të shkëputë raportet e partneritetit dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA-në. Secili prej nesh duhet të punojë për thellimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kush punon kundër është kundër Kosovës dhe është me Serbinë dhe Rusinë. Rrugë të mesme nuk ka!”, ka shkruar ajo.
Pak më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë të Albin Kurtit./Express/