Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar pas emërimit të tij si shef i ekipit Negocaitor të Kosovës për Dialogun me Serbinë.
Ambasadori Bajrami ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti që ia ka besuar një pozitë të tillë dhe ka thënë se do ta kryej punën me përgjegjësi në shërbim të Kosovës.
“E pranova me ndjenjë të thellë detyre dhe përgjegjësie emërimin si Kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë. Duke falënderuar Albin Kurti për besimin e dhënë, angazhohem ta ushtroj këtë përgjegjësi me përulësi dhe integritet, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shkruar Bajrami.
Dje, kryeministri Albin Kurti emëroi Agron Bajrami në pozitën e kryenegociatorit të Republikës së Kosovës në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kryeministri Kurti e uroi Bajramin për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja, njoftoi Zyra e kryeministrit.
Krahas pozitës së re, Bajrami është ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës./KosovaPress