“Bajram Rexhepi e Avni Koshtova”, PDK e VV përplasen për emërtimin e dy urave në Mitrovicë - Gazeta Express
string(87) "bajram-rexhepi-e-avni-koshtova-pdk-e-vv-perplasen-per-emertimin-e-dy-urave-ne-mitrovice"

Lajme

Gazeta Express

10/02/2026 19:51

“Bajram Rexhepi e Avni Koshtova”, PDK e VV përplasen për emërtimin e dy urave në Mitrovicë

Lajme

Gazeta Express

10/02/2026 19:51

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut është propozuar emërtimi i dy lokacioneve, një iniciativë që ka shkaktuar debate mes asamblistëve mbi mënyrën e nderimit të figurave historike dhe kontributin e tyre ndaj komunës dhe vendit.

Grupi i asamblistëve të PDK-së, ka propozuar që ura e re për këmbësorë mbi Ibër të emërtohet me emrin e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi dhe ajo për vetura të mban emrin e dëshmorit Avni Koshtova.

Por, kryetari i kësaj komune, Faton Peci dhe asamblistë të VV-së kritikuan PDK-në në Mitrovicë, se sipas tyre kjo parti nuk ka nderuar këto dy figura, Bajram Rexhepin e as Avni Koshtovën, sa ka qenë në pushtet PDK.

Valon Brahimi, asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se propozimi për emërtimin e dy lokacioneve nuk duhet parë si çështje politike.

“Po më vjen keq pse po e merrni këtë punë si politike. Nuk e di që Avni Hajredini-Koshtova ka qenë anëtar i ndonjë subjekti politik, jo e thatë, e para. E dyta, Bajram Rexhepi, para se të ishte anëtar i PDK-së, ka qenë anëtar i LDK-së, ka qenë doktor i luftës, ka qenë humanist, ka qenë kryeministri i parë i Kosovës me përkrahje të Dr. Ibrahim Rugovës dhe njëri prej kryetarëve të parë të kësaj komune, ka pasur një kontribut jashtëzakonisht të madh për vendin. Ky propozim duhet të shihet përtej bindjeve politike, seriozisht duhet të shihet përtej bindjeve politike, por meqë jemi tash në prag të 27-vjetorit të rënies së dëshmorit Avni Haredini-Koshtova, propozimi erdhi si rrjedhojë e saj, jo pse unë doja. Nuk po them që marrim vendim sot, duhet të më kuptoni drejt çfarë desha të them: thashë kërkojmë të iniciuar procedura e emërtimit të këtyre dy lokacioneve”- potencoi Brahimi.

Nga ana tjetër, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Kushtrim Zeneli, kritikoi PDK-në për mungesën e iniciativës gjatë katër viteve të kaluara. Ai tha se për katër vjet “kujt nuk i ka interesuar të propozojë këtë…”.

“Në katër vite qeverisje nuk është përkujtuar pikërisht këta, shumica prej tyre kanë qenë në ekzekutiv. Ti, për shembull, vetë personalisht nuk je kujtuar kurrë të ngresh ndonjë iniciativë, as për Bajram Rexhepin, as për Avni Koshtovën. Ku është lapidari i Avni Koshtovës, po ku është? Kush e ka bërë përmendoren në veri të Avni Koshtovës? Katër vite kujt nuk i ka interesuar të propozojë, përveç kësaj, ne e kemi propozuar”, tha ai.

E kryetari Faton Peci tha se emërtimet individuale nuk duhet të përdoren për përplasje politike dhe nënvizoi rëndësinë e konsensusit për figurat që kontribuojnë për Mitrovicën dhe Kosovën.

“Çështja është se unë mendoj se emërtimet individuale nuk duhet të jenë pjesë e diskutimeve nëpër seanca dhe potencialisht të shndërrohen në objekt përplasjeje mes zgjedhësve të popullit. Ka shumë propozime me emra kredibil që kanë dhënë shumë dhe kanë kontribuar jashtëzakonisht për Mitrovicën dhe për Kosovën, dhe në mesin e tyre janë edhe këta dy emra që ju i përmendët. Për të mos e nxjerrë keq edhe PDK-në, e cila pas katër vite qeverisjeje nuk ka lënë asnjë shenjë për ish-kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepin, pikërisht për të mos politizuar. Edhe meqenëse ju nuk e keni përmendur Bajram Rexhepin gjatë këtyre katër viteve për t’i dhënë ndonjë lokacion emërtimin e duhur, unë, si emër i respektuar i Bajram Rexhepit si kryeministër i parë, kam qenë pjesë e emërtimeve në qytet, sikurse jam edhe për dëshmorin në fjalë dhe për shumë të tjerë. Por për këtë, ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë, sepse ka nevojë për emërtime të reja të figurave të reja për rrugët dhe sheshet, dhe në këtë proces duhet të ketë një konsensus të gjerë, potencialisht për të gjitha këto emërtime të reja që do të vijnë”- tha Peci. /KosovaPress

Video:

Advertisement
Advertisement
Advertisement