Bajqinovci tregon dyshimet pse iu dogj vetura për 5 minuta, nis grumbullimi i provave për zbardhjen e rastit - Gazeta Express
string(107) "bajqinovci-tregon-dyshimet-pse-iu-dogj-vetura-per-5-minuta-nis-grumbullimi-i-provave-per-zbardhjen-e-rastit"

Lajme

Merita Miftari

23/02/2021 13:33

Bajqinovci tregon dyshimet pse iu dogj vetura për 5 minuta, nis grumbullimi i provave për zbardhjen e rastit

Lajme

Merita Miftari

23/02/2021 13:33

Për rreth pesë minuta i është djegur mbrëmë vetura Mefail Bajqinovcit, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, njëherit kandidat edhe për një mandat.

Incidenti ka ndodhur në afërsi të banesës së tij, aty ku zakonisht e parkon veturën, ndërsa një ditë pas Bajqinovci tregon shkakun e mundshëm të djegies së veturës së tij.

Lexo Edhe:

Në një bisedë për Gazetën Express, Mefail Bajqinovci tha se momenti i djegies së veturës është filmuar nga kamerat e sigurisë, teksa ka qenë edhe vetë në rrezik për t’u djegur.

I pyetur nëse ka dyshime në dikë për incidentin e shkaktuar, ish-deputeti tha se nuk ka dyshime në ndonjë person, por thekson se mund të ketë qenë ndonjë problem teknik i veturës.

“Nuk kam dyshime në askënd, nuk mundem me thanë atë. Prapë dyshoj që është problem teknik, por kerri mu kallë për pesë minuta”, tha Bajqinovci për Gazetën Express.

Tutje, ai rrëfeu momentin sesi e pa që vetura po i digjet dhe tentativën për ta ndaluar zjarrin.

“Janë kamerat krejt aty, kerri ka qenë para kamerave, zakonisht aty e kam parkuar. Kam hyp në automjet, kam shku rreth 100 metra prej aty dhe e kam derdh do bërrllog të banesës, qysh e derdhi zakonisht edhe kur jam kthy në automjet e vërejta që po vjen një erë. E hapa haubën, por nuk kam vërejt ndonjë gjë, kur jam kthy në automjet e kam pa zjarrin te pedalet…E ktheve rikuerc, tu e kthy e pash që po kallet vetura, gati u kalla edhe vetë. E lash veturën i hapa dyert edhe tentova me ja hek akumulatorin, gati u kalla. Nuk e disha çka po ndodh, kerri veç u kallë për 3-4 minuta”, tha më tej Bajqinovci.

Për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore e Prishtinës është në fazën e grumbullimit të provave.

“Për rastin në fjalë ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është në fazën e grumbullimit dhe sigurimit të provave lidhur me këtë ​rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Express.

Ndërsa, policia e ka klasifikuar incidentin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, përveç veturës së Bajqinovcit në afërsi të saj është përfshirë nga flakët edhe një veturë tjetër.

“Rr. Nora e Hoti, Prishtinë 22.02.2021 – 18:55. Viktimat meshkuj kosovarë kanë informuar se në rrethana të pa njohur në zjarr u janë përfshirë dy veturat e tyre, të cilat ishin të parkuara. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Njëra nga veturat është konfiskuar për ekzaminim të mëtutjeshëm. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës. /Gazeta Express/

Pamje nga vendi i ngjarjes: