Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas tensionimit të raporteve në koalicionin qeverisës pas shkarkimi të ministrit të Brendshëm Agim Veliu, nga kryeministri Albin Kurti.
Bajqinovci tha se kur Veliu e ka pranuar postin e ministrit të Brendshëm e ka ditur se shef i tij do të jetë Albin Kurti.
“Vet pranimi i postit të ministrit nga Agim Veliu në muajin shkurt, ka nënkuptuar se ai do ta ketë shef Albin Kurtin, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu. Veprimet e Veliut në koalicionin qeverisës, ishin gjithnjë në kundërshtim me hierarkinë qeverisëse. Nuk mund ta kesh shef Albin Kurtin, e të veprosh nën urdhrat e dikujt tjetër, që nuk i takon koalicionit qeverisës, madje Veliu ishte kundërshtari më i madh edhe i koalicionit VV-LDK “- tha Bajqinovci.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk i nënshtrohet askujt dhe nuk shantazhohet nga askush.
“Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti nuk i nënshtrohet e as nuk shantazhohet prej askujt. Ne nuk dëshirojmë ta shohim vendin prapë në zgjedhje në këtë kohë, por nëse ndodh kjo, jemi të gatshëm dhe më superior se në zgjedhjet e kaluara “- shtoi ai.