Një burrë nga Arizona, i cili u deklarua fajtor për akuzat për vrasje pasi e la vajzën e tij 2-vjeçare të vdiste në një veturë për orë të tëra ndërsa temperaturat u rritën në 44 gradë Celsius, ka kryer vetëvrasje.
Christopher Scholtes, 38-vjeç, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij të mërkurën, ditën kur ai duhej të paraqitej në gjykatë për dënimin e tij, njoftoi Prokurorja e Qarkut Pima, Laura Conover, raporton KosovaPress.
Të dhënat online për zyrën e Mjekut Ligjor të Qarkut Maricopa konfirmojnë se Scholtes vdiq. Ai ka lënë pas dy fëmijë të tjerë dhe gruan e tij.
Vajza 2-vjeçare vdiq në një veturë jashtë shtëpisë së familjes së saj më 9 korrik. Pamjet e sigurisë nga shtëpitë aty pranë tregojnë se ajo mbeti vetëm në veturë për rreth tri orë
Kondicioneri nuk ishte ndezur, sipas autoriteteve. Një ankesë e paraqitur më vonë nga prokurorët tha se Scholtes e dinte që vetura dhe kondicioneri fikej automatikisht pas 30 minutash.
Prokurorët thanë se Scholtes, i cili ishte i papunë, e gjeti fëmijën të vdekur në veturë menjëherë pasi gruaja e tij, një mjeke, u kthye në shtëpi nga puna dhe pyeste veten se ku ishte ajo. Vajza 2-vjeçare u shpall më vonë e vdekur në një spital aty pranë, thanë zyrtarët.
Scholtes u arrestua më 12 korrik dhe u shpall fajtor për vrasje të shkallës së dytë dhe akuza për abuzim me fëmijë në tetor dhe pritej të kalonte 30 vjet burgim.
Dokumentet e gjykatës zbuluan se Scholtes ishte i shpërqendruar nga video-lojërat ditën që vajza e tij vdiq dhe “rregullisht” i linte fëmijët e tij vetëm në veturë.