Lëvizja Besa shquhet për punë të mëdha, sidomos në pushtetin lokal, dhe secili që nuk mund ta mbajë këtë ritëm do të duhet ta lirojë vendin për dikë më efikas. Kështu thotë deputeti Adnan Azizi në një intervistë për Lajm TV, duke sqaruar vendimin e fundit të Kuvendit Qendror të partisë për të filluar analizën e punës të të gjithë funksionarëve.
“Lëvizja Besa shquhet për sukseset dhe ndryshimet që ka sjellë, për punën e madhe që ka bërë në pushtetin lokal, në Komunën e Zhelinës dhe në veçanti Komunën e Tetovës. Aspiratat dhe pretendimet tona janë që funksionarët tanë duhet ta bëjnë maksimumin edhe në ekzekutiv”, tha Azizi.
Ai shpjegoi se Lëvizja Besa e ka praktikuar këtë qasje edhe në Komunën e Tetovës dhe është dëshmuar e suksesshme si metodë.
“Edhe unë, edhe ministri në fjalë, edhe të gjithë funksionarët, ministra, zv/ministrat, drejtorët, do të duhet t’i nënshtrohemi një procesi të skanimit dhe vlerësimit të punës së secilit një nga një. Në rast se nuk janë arritur objektivat që i ka ngarkuar subjekti, këto persona duhet të hapin rrugën dhe tu lënë hapësirë personave tjerë që do të jenë më efikasë. Kjo ka ndodhur edhe në Tetovë, ne kemi bërë ndryshim të drejtorëve, kemi bërë edhe këmbim të disa pozitave, dhe kjo gjithmonë në sensin e asaj që ne të bëjmë më të mirën e mundshme”, deklaroi Azizi.
Ai tha se shqiptarët presin shumë nga Besa dhe nga VLEN-i dhe do të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar rezultatet e duhura në qeverisje.
tag_katrorimaqedoni_2