Në Zvicër po ndodhin raste shqetësuese ku azilkërkues me probleme të rënda të shëndetit mendor, përfshirë edhe persona me tendenca vetëvrasëse, trajtohen në spitale, por më pas merren nga policia për t’u dëbuar. Ndërkohë që nuk ka shifra të sakta, ekspertët raportojnë disa raste të tilla në vit, veçanërisht në kantonet gjermanishtfolëse, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Shumë prej këtyre personave dërgohen në vende të tjera të Bashkimit Evropian ku më parë kanë aplikuar për azil ose janë futur në BE. Organizatat që punojnë me azilkërkuesit kritikojnë ashpër këtë praktikë, duke theksuar mungesën e kujdesit mjekësor dhe shkeljen e marrëdhënies së besimit midis pacientëve dhe stafit spitalor. Ata paralajmërojnë se ndërhyrjet policore në spital mund të shkaktojnë frikë dhe shqetësim për pacientët e tjerë.
Një rast konkret që ka tronditur është ai i një nëne afgane, e cila ka dy fëmijë dhe një gjyshe. Familja arriti në Zvicër në vitin 2022, por për shkak të problemeve të shëndetit mendor, gjyshja dhe më pas nëna u shtruan në spitale psikiatrike. Pas një tentative vetëvrasjeje, nëna u trajtua në një njësi trajtimi psikiatrik në Bernë. Në mars 2023, ajo u mor nga policia në mes të natës dhe u dërgua në Aeroportin e Cyrihut për t’u dëbuar, ndërsa fëmijët dhe gjyshja prisnin fluturimin.
Jürg Schneider, vullnetar për azilkërkuesit në Bernë, e përshkroi këtë ngjarje si një tronditje. Avokatja Elena Liechti dhe psikiatri Patrick Weihs kritikojnë mungesën e vlerësimit të saktë të situatës dhe konsiderojnë se këto veprime janë të papërshtatshme, duke theksuar se pacientët nuk po simulojnë simptomat, por janë në një gjendje të rëndë psikologjike, transmeton albinfo.ch.
Autoritetet në kantonin e Bernës deklarojnë se situata shëndetësore e azilkërkuesve vlerësohet me kujdes dhe se veprimet bëhen në konsultim me spitalet. Megjithatë, për shkak të afateve të ngushta ligjore për rastet e Dublinit, ato janë nën presion për të kryer dëbime brenda gjashtë muajsh. Klinikat psikiatrike, për arsye konfidencialiteti, nuk komentojnë, por theksojnë se bashkëpunimi me autoritetet është në përputhje me ligjin.
Rasti i familjes afgane ka sjellë edhe pasojë konkrete. Gjykata Administrative e Bernës ka urdhëruar kantonin të rishikojë proporcionalitetin e dëbimit. Aktualisht familja është ende në Evropë, me dy gratë të stabilizuara shëndetësisht, por me një të ardhme ende të paqartë, transmeton albinfo.ch.
Pritjes i erdh fund! Rrjeti i marketeve më të mëdha në Kosovë, ETC ka njoftuar për fillimin e fazës...