Azem Shkreli, poeti i modernës - Gazeta Express
string(29) "azem-shkreli-poeti-i-modernes"

Arte

Gazeta Express

27/05/2022 15:18

Azem Shkreli, poeti i modernës

Arte

Gazeta Express

27/05/2022 15:18

Azem Shkreli ishte poet dhe autor/publicist shumë i njohur. Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë moderne shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit, shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik, e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik, dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë, ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.
Azem Shkreli lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në
vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar
Fakultetin Filozofik, degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Për shumë vjet, ai ka
qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor
në Prishtinë, dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit
1997.
Ka botuar këto vepra në poezi: Bulzat (1960), Ëngjujt e rrugëve (1963), E di
një fjalë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981),
Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë:
Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipeve, Shtatë
nga ata, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqës (1983) etj. Poezitë e tij janë
përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të
fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit
të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së
sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër
poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim, “Zogj dhe gurë”,
botuar më 1997.
Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit, në fund të viteve pesëdhjetë
dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka
mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të
kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në
prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën
e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit. Kështu, Azem Shkreli, shënoi kthesën e parë më të rëndësishme
në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke
selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë
shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me
tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër…

Një poezi e autorit:

Lexo Edhe:

NË VEND TË PËRSHËNDETJES

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepëtirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim,
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër,
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes,
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur

/Gazeta Express