Në emisionin Kosova Live, Paulina Nushi ka rrëfyer me emocione të forta historinë e aksidentit që i ndryshoi përgjithmonë jetën familjes së saj, ku babai i saj, Ilir Nushi, mbeti në karrocë invalidore pas një aksidenti të rëndë trafiku.
Ajo ka folur për ditën e aksidentit, gjendjen e rëndë shëndetësore të babait, pasojat e përhershme në jetën e familjes dhe përpjekjet e vazhdueshme për drejtësi dhe kompensim.
Pas këtij rrëfimi, për emisionin Kosova Live, avokati i familjes Nushi, Kujtim Kërveshi nga Kërveshi & Partners Law Firm, ka dërguar një përgjigje zyrtare, në të cilën ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zvarritjen e procedurave gjyqësore dhe neglizhencën institucionale në trajtimin e rastit.
Sipas avokatit, çështja e Ilir Nushit, i cili ka pësuar lëndime të rënda dhe të përhershme, duke mbetur me invaliditet të theksuar dhe dëmtim të përhershëm të aftësisë për punë dhe jetesë, po përballet me vonesa të pajustifikueshme në Gjykatën e Apelit, pas ankesës së të paditurës – Byroja Kosovare e Sigurimeve (BSK).
“Në praktikë, ka raste kur të aksidentuarit nuk arrijnë ta përfundojnë procesin ligjor, sepse ndërrojnë jetë pa e pritur personalisht vendimin për kompensim, për shkak të vonesave të pajustifikueshme,” thuhet në përgjigjen e avokatit.
Ai ka shtuar se Gjykata Themelore ka aprovuar kërkesëpadinë, ndërsa procedura e vendimmarrjes në Gjykatën e Apelit tashmë ka hyrë në vonesë të pajustifikueshme, duke e cilësuar këtë situatë si një precedent të rrezikshëm shoqëror.
Video: