Avionët e helikopterët pushtojnë qiellin, Kroacia tregon "muskujt" me paradën madhështore ushtarake - Gazeta Express
string(96) "avionet-e-helikopteret-pushtojne-qiellin-kroacia-tregon-muskujt-me-paraden-madheshtore-ushtarake"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 19:34

Avionët e helikopterët pushtojnë qiellin, Kroacia tregon “muskujt” me paradën madhështore ushtarake

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 19:34

Në një atmosferë krenarie kombëtare, sot në kryeqytetin kroat u mbajt një nga paradat më të mëdha ushtarake të dekadës, me rastin e 30-vjetorit të operacionit “Stuhia” (Oluja) dhe Ditës së Fitores dhe Falënderimit ndaj Atdheut. Ceremonia nisi në orën 17:00 dhe përfshiu më shumë se 3,400 pjesëmarrës, 500 mjete luftarake dhe joluftarake, si dhe 40 avionë ushtarakë të Forcave Ajrore kroate.

Parada u zhvillua përgjatë rrugës “Grad Vukovar”, në një itinerar prej 2.4 kilometrash, nga Avenia “Marina Držić” deri tek “Savska”, me një gjatësi formacioni që arriti rreth 1,800 metra. Në krye të paradës qëndronin 200 flamuj të njësive historike dhe luftarake, të ndjekur nga 24 ekselone këmbësorie, ku përfshiheshin ushtarë aktivë, kadetë, rezervistë, si dhe përfaqësues të institucioneve civile dhe të sigurisë, shkruan A2 CNN.

Formacionet e ushtrisë kishin bërë përgatitje intensive gjatë dy javëve të fundit në bazën ushtarake Pleso, ku çdo ditë stërviteshin për të përsëritur marshimin pesë herë në ditë.

Parada përfshiu edhe pjesëtarë nga forcat e armatosura të nëntë vendeve mike, përfshirë SHBA, Britaninë e Madhe, Hungarinë, Poloninë dhe Portugalinë, duke theksuar karakterin ndërkombëtar të ceremonisë.

Në qiellin e Zagrebit u zhvillua një ceremoni spektakolare fluturimi, me pjesëmarrjen e helikopterëve, dronëve Bayraktar, avionëve të transportit, helikopterëve Black Hawk, dhe kulmoi me fluturimin e avionëve luftarakë Rafale, krenaria më e re e Forcave Ajrore Kroate.