“Autoriteti” politik është fe - Gazeta Express
string(27) "autoriteti-politik-eshte-fe"

OP/ED

Gazeta Express

06/04/2026 10:26

“Autoriteti” politik është fe

OP/ED

Gazeta Express

06/04/2026 10:26

Shkruan Ben Andoni

Mjafton një qejfmbetje e ndonjë anëtari të lartë tek PS-ja ose PD-ja dhe njerëzit nisin të bëjnë hipoteza për ndryshimin e pritshëm dhe rrymat brenda partisë! Media e merr sakaq kauzën dhe vazhdon me projeksionet e veta duke shpalosur kampet kundërshtare dhe krizat, ku tashmë duket se ish-ministrja e Jashtme Spiropali dhe ish-zv.kryeministri Braçe po përgatiten për ndryshime në PS! 

Në fakt, kjo ka pak gjasa të ndodhi dhe z. Braçe e ka përcaktuar qartë qëllimin e tij për kandidaturën bashkiake. Njësoj me përpjekjen e ish-deputetit Salianji për zgjedhjet në PD dhe sfidën ndaj kryetarit Berisha. Tek e fundit nuk ndryshon asgjë në status quo shqiptare. Përpjekja e individit në politikën tonë është e madhe vetëm sa të kapet një post, pastaj gjërat rrjedhin vetë. Që do të thotë se: Njeriu që kap pushtetin në vend nuk di të sillet “normal”, por punon sesi ta mbrujë këtë forcë për ta përdorur për kultin e vet.

Mit’hat Frashëri e kishte një ide për këtë në kapërcyell të shekullit XIX në vitin e largët 1900. “Shqipërisë shpëtimi dhe fatbardhësia i ka për t’i ardhurë duke zenë njerësit tregërinë, mjeshtërinë dhe të heqin dorë nga dashurija që kanë te buka me helm e qeverisë”. Dhe, si shembull jepte një nga këshillat e Adam Smith në ekonomi politike për rastin britanik: “Tregëria dhe mjeshtërija e ndritoi Ingliterënë”. Më kot. Gjysmë shekulli më vonë, ai do të vdiste i vetmuar në një dhomë hoteli në Nju Jork, por shumë pak nga idetë e tij do të përthitheshin ndër shqiptarë. I kanalizuar me një forcë politike që nuk i përballi dot komunistët, tregoi se reflektimi duhet të fillonte në vetë këto njësi tek Balli Kombëtar. Më shumë se një shekull më pas, shqiptarët jo vetëm nuk kanë nxjerrë mësime, por sot të përballësh një autoritet (lexo pushtetar) në Shqipëri është gati e pamundur. Studiuesit e shkencave politike bashkojnë si arsye këtu trashëgiminë e shkuar (shpesh e bëjnë këtë, lidhur me Osmanët), por edhe vlerat që një popull ndërton si koncept ndryshe për politikën dhe sidomos gjyqësorin. Kjo e fundit e lidhur me besimin ndër njerëz si pushteti i vetëm që mund të bëjë ndryshimin dhe ta ndihmojë. Por pushteti politik në Shqipëri jo vetëm nuk sfidohet, ndërsa precedentët e shkuar jo thjesht nuk korrigjohen dhe të ishte nxjerrë mësim, por thjesht sa theksohen. Autoriteti i pamat i Zogut që përfundoi si monark, u mbyll vetëm me pushtimin fashist të vendit. Autoriteti i Komunizmit nën Enver Hoxhën dhe pushteti i Alisë tek ne u sfidua nga ekonomia e shkalafitur shqiptare por më shumë se kaq nga trendi ndërkombëtar që kulmoi me Rënien e Murit të Berlinit, ashtu siç ndodhi rënia e Berishës në ‘98 vetëm falë Skemave Piramidale. Në të vetmin rast ndryshe, ish-kryeministri Fatos Nano, duket se duke qenë tejet i nginjur me pushtetin, pëlqeu më shumë të tërhiqej pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme duke lënë një precedent të paarritshëm në politikën tonë. Përpjekjet e mëpastajme të ngjitej në postin e presidentit të vendit rezultuan bosh. Autoriteti i tij kishte firuar bashkë me të gjithë infrastrukturën për ta mbajtur atë. Të tjerë lojtarë u shfaqën në skenë, për ta ruajtur status quonë tonë politike dhe kulturore.

Me atë që shihet, boshllëku i madh që krijon figura politike që drejton tek ne, është pikërisht ajo që ne nuk e mbyllim dot. Dhe, jo më kot, kur i referohemi periudhave historike nuk i adresohemi ideve të asaj kohe, legjislaturave ose periudhave monarkike e presidenciale me referenca kohorë, por me identifikimet e emrave të autoriteteve: Koha e Zogut, e Enverit, e Ramizit, e Berishës së parë, e Nanos, e Berishës së dytë, e Ramës. Kjo është një nga trashëgimitë më të mëdha të perandorisë osmane, i cili paraqet njeriun e fortë që është sipër dhe identifikohet me tagrin e tij. Mënyra sesi e shpërndan pushtetin (rasti i Ramës, Berishës dhe Kurtit në Kosovë) e bën të pamundur afrimin e të tjerëve, që nuk janë pjesë e saj. Ende sot referimet e perandorisë osmane dhe liderët e asaj kohe janë pjesë frymëzimi. “Nuk je yni”, e përmbledh mendimin një personazh i Kadaresë në veprën e tij. Në këto kushte është e vështirë që të sfidosh një lider shqiptar të tillë. Me Berishën janë përpjekur, por përfundimi ka qenë katastrofik. Kurse paraardhësit e tij të Monarkisë dhe Komunizmit e zgjidhnin problemin në gjenezë. Pasojat: Dhjetëra të vrarë, burgosur, internuar qoftë në Komunizëm dhe Mbretëri. Figura e drejtuesit ruante deri fuqi patriarkale (folklori ynë dhe kultura politike ndihmuan me këtë rast), ndaj dhe goditjet që u bënë më vonë në retorikën ndaj Zogut dhe Enver Hoxhën pikërisht ishin të lidhura me minimizimin e kësaj stature…për të fryrë autoritete të tjera. Ahmet Zogun e lidhën me lapërdhinë dhe hajninë, kurse Hoxhën me homoseksualizmin.

Lidershipi Ballkanik, në formën e tij kulturore, sipas hulumtimeve të shumta, përshkruan një lloj që e do pushtetin me çdo kusht, jo thjesht për ta ushtruar por për të krijuar një kult. Autokratët që drejtojnë këto alternativa, përfituar prej problemeve të sistemeve të mëparshme (sidomos socialiste), e duan shumë pushtetin (rasti Rama dhe Berisha, plus dhe Kurti janë të patëmetë në këtë drejtim) dhe duan të kenë nën vete këdo në formacionet e tyre. Ky autoritet i tyre mundësohet nga një sistem gjyqësor që nuk e kupton pavarësinë e pushtetit të vet dhe ndikohet politikisht, ndërkohë që ata që duan të përballen me autoritetet, falë tij, duhet të matin veten disa herë kundër tyre dhe digën e gjyqësorit, që nuk i prek “të fortët”.

Ngjarjet e “2 Prillit”, “21 Janarit, “Gërdecit”, korrupsionit të sotëm po arkivohen paçka se çdo vit thuhet se do punohet për zbardhje. Nuk mjaftojnë këto, po në të gjithë këtë hulli, njeriu i sotëm shikon forcën e pushtetit që ka disiplinuar edhe krimin e organizuar. Bota e errët e tyre ruan marrëdhënie me politikanët, sikur të jenë bashkëpunëtorë të vjetër, fakt që reflektohet te njerëzit, të cilët përgjigjen me indiferencë dhe braktisje të votimeve. Të kujtosh zgjedhjet në Elbasan, Durrës, Dibër dhe Dosjet për këto zgjedhje, dekurajohesh dhe frikësohesh. Ashtu si nga nja armatë e tërë, të cilët punësohen si shenjë “klientelizmi” dhe force për të mbajtur bazën e këtij autoriteti. Jo më kot, patronazhimi i PS-së është bërë i lodhshëm dhe është në çdo qelizë, ku cilido që rrëshqet mund ta provojë në kurriz se njeriu i sotëm shqiptar është i varur nga pushtetarët deri për punën e zakonshëm, shërbimet ose mbijetesën ekonomike. Po guxove ta sfidosh këtë pushtet, atëherë ke humbur burimet e mbijetesës.

Kjo është situata pas 36 vitesh demokraci në Shqipëri, ku media dhe shoqëria civile zgjedhin autocensurën ose rrugë të bëra thjesht për ta gërvishtur një pushtet që prodhon autoritet tek kryeministri dhe njerëzit pranë tij. Çdo lloj autoriteti të tremb, por ai i sotëm, i cili ka zvogëluar çdo përmasë tjetër është bërë i lodhshëm dhe shqetësues. “Nuk ka nevojë të ndash monarkun nga turma; çdo autoritet është po aq i keq”, shkruante cinik në kohën e tij Oscar Wilde.

Autoriteti i sotëm në Shqipëri i pushtetarëve të çdo lloji është njësoj me fenë. Nuk kundërshtohet. Pranohet. Dhe, njeriu bëhet pjesë e diçkaje në mënyrë të vetëdijshme shpesh dhe të pavetëdijshme për ta mbajtur këtë autoritet gjithnjë në interes të pak njerëzve. Këtë s’po kupton dot Salianji me Spiropalin etj.. Kanë ushqyer vetë një autoritet që nuk i përfill tani. Tek e fundit, edhe ata janë thjeshtë pjesë e turmës. Më thjesht: Ne. Të gjithë i jemi dorëzuar fesë që quhet autoritet. (Homo Albanicus)

Advertisement
Advertisement
Advertisement