Autogolat e opozitës - Gazeta Express
string(20) "autogolat-e-opozites"

Autogolat e opozitës

OP/ED

Gazeta Express

15/04/2022 12:41

Kur partitë opozitare japin leksione për mënyrën se si duhet shpërndarë paraja Publike dhe sa duhet të jetë paga minimale, duhet të sjellin ndërmend çfarë kanë bërë me milionat e buxhetit në të kaluarën. Janë shembull se si nuk duhet vepruar.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Hapja rrugë e rritjes së pagës minimale në 250 euro u përcoll me reagime të mëdha e kritika nga partitë opozitare. Më shumë se të arsyetuara e të analizura mirë, reagimet ishin dofarë dëshirash që tingëllojnë bukur.

Shuma prej 400 eurosh u përmend nga opozita si shifër që është dashur ta ketë paga minimale. Por, zyrtarë të ish-pushteteve nuk e thanë asnjë fjalë pse nuk e rritën pagën minimale sa qenë në pushtet.

Paga minimale prej 130, respektivisht 170 eurosh është miratuar qysh në vitin 2011 dhe që atëherë nuk është ndërhyrë për ta rritur. E logjikshme do të ishte që kjo pagë të rritet varësisht nga rritja ekonomike. Po të ishte ndryshuar, ta zëmë, vitet e kaluara në 250 euro, tashmë do të flitej për avancim.

Qasja e tillë e opozitës, që vetëm të kritikojë qeverinë ndonëse ka rritur këtë pagë pas 11 vjetësh, po i vjen përshtati qeverisë. Në fakt, në këtë mënyrë opozita po shënon autogola. Nuk mundesh vetëm të kritikosh se gjithçka po bëhet keq ose jo në mënyrën e duhur, përderisa ndër vite sa ke qenë në pushtet nuk ke ndërmarrë asgjë.

Njësoj ndodhi edhe me reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pas vendimit të qeverisë për ndarjen e 100 eurove për qytetarët. Ka qenë vetë kjo parti që ka kërkuar jo vetëm njëherë që zyrtarëve publikë t’iu ndahet kjo shumë, si shtesë në paga. Kur qeveria veproi, duke vendosur që 100 euro t’u jepen zyrtarëve publikë, punëtorëve të sektorit privat, pensionistëve e studentëve, zyrtarë të AAK’së thanë se nuk ishin para të mjaftueshme. Nëpërmjet të tilla deklarimeve, kjo parti vetëm sa tregon se sa jokonsistente është në këtë kërkesë.

Ndërkohë, muhabet në vete është se kush janë ata opozitarë që kritikojnë mënyrën e shpërndarjes së parasë publike. Vendimi që ka marrë qeveria mund të mos jetë i duhuri, por nëse kthehemi vetëm pak muaj mbrapa ndeshemi me një realitet të hidhur sa i përket mënyrës se si ishte trajtuar buxheti i shtetit.

* * *

Nëse kthehemi disa vjet mbrapa menjehërë na vjen ndërmend vendimi i kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj, për t’u falur borxhe milionëshe kompanive prodhuese të ujit. Arsyetimi ishte “veç m’u ka tekë”. Milionat për kompaninë Bechtetl-Enka janë në proces gjyqësor, ndërkohë që nga paratë e rezervave shtetërore financoheshin projekte filmike.

E nëse kthehemi disa muaj mbrapa, atëherë na vjen ndërmend vendimi i qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti për të subvencionuar me miliona euro biznese që nuk e kishin ndalur punën gjatë pandemisë. Pra, kur partitë opozitare japin leksione për mënyrën se si duhet shpërndarë paranë publike, është mirë të reflektojnë çfarë kanë bërë me milionat e buxhetit në të kaluarën. Janë shembull se si nuk duhet vepruar.

Andaj, duhet të jenë shumë të kujdesshëm çfarë thonë dhe kush e thotë. Nëse dalin para gazetarëve ish-zyrtarë pushteti të korruptuar ose të atillë që kanë aktakuza dhe provojnë të shesin moral, atëherë nuk mund të flitet për gjë tjetër, veçse për degradim, për mjerim. Të paktën qytetarët duhet të kursehen nga leksionet e të tillëve, që nuk kanë lënë rast pa shfrytëzuar për të përfituar financiarisht, për të zhvatur e keqpërdorur.

Duke kritikuar qeverinë për gjërat të cilat në të kaluarën nuk i kanë bërë ose i kanë bërë keq, ish-pushtetarët vetëm sa po i ndihmojnë Albin Kurtit, madje duke i legjitimuar atij edhe veprime e vendime që mund të mos jenë të duhura. Në të tilla raste e rëndësishme është jo vetëm çfarë thuhet, por edhe kush e thotë.

* * *

Unë jam kundër logjikës së dhënies së parave, siç ka bërë Qeveria Kurti, sepse bëhet fjalë për 100 milionë euro që shpërndahen dhe “iu kryejnë punë” qytetarëve vetëm për një muaj. Siç jam kundër shtimit të ndihmave sociale, ngase në këtë mënyrë vetëm sa shtohen parazitët që nuk punojnë dhe presin t’i ushqejë shteti. Natyrisht, në një situatë të vështirë ekonomike e sociale, këto para mirëpriten nga qytetarët. Por, a zgjidhet problemi? Jo. A ka “hesap” qeveria që t’i shpërndajë çdo muaj nga 100 milionë euro? Jo, sigurisht. Qasje tjetër, më strukturore, është e nevojshme të vihet në zbatim. Ka modele nga shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë se si i janë qasur këtij problemi. Sigurisht, brenda mundësive që i ka shteti i Kosovës.

Shpërndarja e parave qytetarëve nuk është gjë as e re, as e paparë. Është zgjidhja më e lehtë dhe më populiste. Si e tillë, duhet kritikuar me qëllimin që të gjenden zgjidhje më të mira. Zgjidhje që nuk po i ka as opozita që t’i propozojë.