Mbrëmë në “Hani i dy Robërteve” u hap ekspozita e fotografit Agron Dragaj, e titulluar “Atë që nuk mund ta fshijë koha”.
Nga Donjeta Abazi
Dragaj thotë së kjo ekspozitë, që nuk tenton të impresionojë, por të dëshmojë, është përmbledhje e 25 viteve punë në shumë vende, përfshirë histori nga Kosova, Shqipëria, Sri Lanka, Afganistani, Mianmari, Tajlanda, Filipinet, Mauritania, Ukraina e më tej.
Ekspozita e fotografit Agron Dragaj, me titull të ngarkuar e domëthënës, “Atë që nuk mund ta fshij koha”, është pikërisht e tillë. Ajo është më shumë se një koleksion fotografish; është një rrëfim i gjatë, i copëzuar në fragmente, për botën në të cilën jetojmë, për dhimbjen dhe shpresën, për fëmijët që jetojnë nëpër luftëra, për gratë e mbuluara me burka, për sëmundjet e rënda e për varfërinë.
Histori që duhen dëshmuar
Dragaj e përdor fotografinë jo si një dritare të bukur drejt realitetit, por si një pasqyrë të thyer. Dhe në secilën copë të kësaj pasqyre, ne shohim fragmente jete shohim fytyra fëmijësh që nuk njohin lodra por njohin urinë, gra që bartin mbi supe jo vetëm fëmijët por edhe barrën e mungesës së burrave të tyre të ikur, burra që ngrisin duart në qiell jo në lutje por në shenjë ankthi, proteste e dhimbjeje.
Në këtë ekspozitë, kultura dhe shoqëria shfaqen të zhveshura nga çdo retorikë. Nuk kemi të bëjmë me imazhe të lëmuara, të filtruar për konsum. Përkundrazi, kemi realitete të ashpra, të cilat shpesh bota përpiqet t’i fshehë ose t’i harrojë. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e titullit, ka plagë që nuk mbulohen, ka kujtime që nuk fshihen, ka histori që duhen dëshmuar.
Një fëmijë që fle mbi një dyshek të shtruar në dysheme, një grua e mbështetur në murin prej balte të shtëpisë së saj, një burrë i armatosur me tatuazhe që e bëjnë trupin e tij një libër të hapur, secili imazh është një tregim më vete. Nuk ka nevojë për fjalë, nuk na nevojitet gjuhë e mprehtë për shpjegime, fundja fotografia këtu është vetë gjuhë. Është dëshmi, është protestë e heshtur.
Por jo veç dokumentim
Dragaj nuk bën vetëm dokumentim. Ai prek thellësisht dimensionin kulturor dhe human. Na tregon se edhe në mes të dhimbjes, kultura është ajo që i mban gjallë njerëzit është një shall që “mbron” trupin e një vajze, një mur i thjeshtë prej balte që bëhet strehë, një këngë e padëgjuar që mbijeton mes heshtjes së luftës. Kultura këtu nuk është thjesht folklor, është rezistencë, është mënyra e vetme për të mbijetuar.
Ekspozita është gjithashtu një pasqyrë e heshtjes sonë kolektive. Ne shpesh e shohim dhimbjen vetëm si një lajm të shpejtë, një fotografi në një faqe interneti, një moment që kalon si çdo gjë tjetër. Por Dragaj na detyron të ndalemi. Na vendos përballë realitetit dhe nuk na lejon të kthejmë kokën anash. Ai na kujton se nuk bëhet fjalë për “ta”, por për “ne”. Dhimbja nuk ka kufij gjeografikë. Varfëria, lufta, padrejtësia nuk janë ngjarje të largëta, ato janë pjesë e historisë njerëzore.
“Atë që nuk mund ta fshijë koha” është një ekspozitë që nuk të ofron rehati. Ajo nuk është një udhëtim turistik përmes imazheve të huaja. Përkundrazi, ajo është një ballafaqim. Dhe kjo është ajo që e bën të fuqishme, nuk na jep përgjigje, por na lë me pyetje. Na lë me një ndjenjë përgjegjësie.
Në një kohë kur arti shpesh reduktohet në zbukurim, në treg dhe në spektakël, puna e Dragajt vjen si një kujtesë e fuqishme se arti është mbi të gjitha kujtesë dhe dëshmi. Fotografia e tij është një akt politik, etik dhe kulturor. Është një arkiv i dhimbjes dhe i mbijetesës.
Dhe ndoshta, ky është mesazhi më i thellë i ekspozitës: koha mund të fshijë shumë gjëra ndërtesa, qytete, sisteme, por nuk mund të fshijë gjurmët e njerëzve, nuk mund të fshijë historitë e tyre. Sepse kujtimi është më i fortë se harresa. Dhe fotografia, kur bëhet me përgjegjësi dhe ndjeshmëri, është mjeti më i fuqishëm për ta mbajtur atë kujtim gjallë.
Ajo që e thotë vetë autori për ekspozitën
“Prej njëzet e pesë vitesh kam ndjekur me aparatin tim historitë e vuajtjes dhe forcës njerëzore. Nga Kosova në Ukrainë, nga Afganistani në Mauritani, nga Sri Lanka në Nepal, nga Birmania në Filipine, nga Shqipëria në Tajlandë. Çdo fotografi është një dëshmi e kujtesës, e qëndrueshmërisë dhe e njerëzimit.
Ato tregojnë për luftëra dhe plagët që ato lëne pas, për fshatra të shuar nga fatkeqësitë natyrore, për familje të ndara nga mërgimi, uria e varfëria. Po aq edhe për betejat e heshtura: jetë të prekura nga HIV-i dhe vrasia, nga gjakmarrja dhe armët, nga barra e mbijetesës dhe ajo vijë e hollë mes dëshpërimit dhe forcës për të ecur përpara. Madje edhe për elefantët e nënshtruar nën punë te rënda.
Disa prej këtyre aseteve u shfaqën e u zhdukën menjëherë; të tjera me janë besuar pak nga pak, përmes ditëve dhe heshtjes. Secila ruan atë që koha nuk mund ta fshinë: kujtesën, qëndrueshmërinë dhe fillin e brishtë të njerëzimit tonë të përbashkët.
Në disa vende jam thyer shume herë, në të tjera kam qëndruar vetëm pak javë. Por kudo, njerëzit që takova, edhe nën presionin e luftës, varfërisë apo humbjes, me treguan sa e madhe është forca e njeriut për të mbijetuar.
Kjo retrospektive nuk synon te impresionojë. Synon të dëshmojë. Qëndron si dëshmitare dhe si homazh për ata që hapën dyert dhe jetët e tyre, dhe për të vërtetat qe mbeten kur gjithçka tjetër të është marrë.
Faleminderit që hyni në këtë udhëtim”
Biografia:
Agron Dragaj është fotograf i pavarur zvicerano-kosovar. Ai ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës në vitin 1992 dhe në “New York Institute of Photography” (NYIP). Pasioni për fotografinë e shtyu të bëhej një fotograf i gjithanshëm, ekstrovert dhe i pavarur, i specializuar në fotografi udhëtimi, portrete, dokumentar dhe fotogazetari.
Pesë vite pune në Sri Lanka u përmblodhën në dokumentarin “Portraits of Displacement”, i cili paraqet zhvendosjet dhe përpjekjet humanitare të agjencive të OKB-së dhe OJQ-ve ndërkombëtare – jo vetëm si pasojë e dy dekadave të luftës civile, por edhe si rezultat i zhvendosjes së njerëzve pas cunamit që goditi bregdetin e Sri Lankës më 26 dhjetor 2004.
/Gazeta Express