Shkruan: Kurt Gostentschnigg
Shënime mbi rikonstruksionin e fushës politike
Një prej qëllimeve të projektit FWF, “Albanologjia austro-hungareze 1867–1918 – një rast i imperializmit kulturor?”[1], në Institutin e Historisë, dega e Historisë dhe Antropologjisë së Europës Juglindore, Universiteti i Graz-it, ishte pikërisht rindërtimi i fushës “politikë”, si bashkëpjesëmarrëse në marrëdhëniet austro-hungareze-shqiptare, duke aplikuar për këtë qëllim konceptet kyçe “illusio”, “doxa” dhe “kapitale”, të huazuara nga prakseologjia e Pierre Bourdieu-s. Në monografinë e titulluar paraprakisht “Albanologjia austro-hungareze 1867–1918. Shkenca midis politikës dhe ushtrisë”, që do të botohet si rezultat i këtij projekti kërkimor, emërtohen ndër të tjera aktorët individualë dhe kolektivë të fushës politike, duke analizuar qëndrimet dhe motivet e tyre.
Illusio-ja specifike, d.m.th. njohja e interesave të fushës politike, konsistonte në përpjekjen e përbashkët që nga njëra anë Shqipëria e ardhshme e pavarur të bëhej politikisht një aleat besnik i Monarkisë, për ta instrumentalizuar si njëfarë ledhi mbrojtës kundër pansllavizmit dhe imperializmit italian, si dhe nga ana tjetër të forcohej ekonomikisht si një partnere tregtare në lulëzim e sipër, për të mbrojtur hegjemoninë ekonomike të Monarkisë në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Doxa-ja specifike, d.m.th. parimet e përbashkëta të politikanëve dhe diplomatëve, manifestohej në bindjen e natyrshme se detyra e Austro-Hungarisë ishte përmbushja e një misioni qytetërues jo vetëm në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Shqipëri. Dallimi qëndronte vetëm në mënyrën e zbatimit, sepse ndryshe nga Bosnja, ku në një kontekst drejtpërsëdrejti imperialist okupacioni dhe aneksimi, ky mision do të udhëhiqej kryesisht prej zyrtarëve perandorakë dhe mbretërorë (gjerm. “k. u. k.”), në Shqipëri, në kontekstin e një dhune indirekte strukturore dhe kulturore. Misioni në fjalë duhej realizuar prej aktorëve austrofilë vendas, të cilët – këshilluar gjithnjë në prapaskenë prej përfaqësuesve diplomatikë dhe agjentëve të Ministrisë së Jashtme austro-hungareze (gjerm. “Ballhausplatz”[2]) – synuan fillimisht autonominë e më tej pavarësinë e vendbanimeve shqiptare prej Perandorisë Osmane, për të marrë më pas funksionet drejtuese të principatës formalisht të pavarur.
Aktorët individualë konkurronin me anë të kapitalit ekonomik, kulturor, social dhe simbolik të tyre për ruajtjen ose ndryshimin e marrëdhënieve të pushtetit brendapërbrenda fushës politike. Bazuar në thënien shqiptare se “Qafa lëviz kokën”[3], ekzistonte një hierarki jozyrtare sipas rëndësisë e këtyre aktorëve politikë e diplomatikë. “Koka“ ishin padyshim ministrat e jashtëm si Agenor Goluchowski, Alois Lexa von Aehrenthal, Leopold Berchtold dhe Stephan Burián, si dhe Perandori, të cilët nga jashtë merrnin vendimet diplomatike dhe të politikës së jashtme, por që detyrimisht duhej të merrnin gjithmonë parasysh situatën e ndërlikuar të interesave të diplomacisë së aleancave ndërkombëtare, për çka edhe kritikoheshin prej shqiptarëve austrofilë, të cilët çështjen shqiptare donin ta zgjidhnin me mjete ushtarake. Gjithsesi, shumicën e vendimeve të tyre lidhur me Shqipërinë ata e merrnin mbi bazën e informacioneve dhe këshillave që u vinin prej “qafës“ së tyre, d.m.th. prej konsujve në terren dhe këshilltarëve në Ballhausplatz, siç ishin Theodor Ippen, Ludwig von Thallóczy, August Kral dhe Alfred Rappaport, që në sfond ishin bërësit e vërtetë të politikës lidhur me Shqipërinë.
Aktiviteti i Kral-it në Shqipëri
August Ritter von Kral[4], një prej aktorëve individualë kryesorë të fushës politike, luajti një rol vendimtar në organizimin dhe veprimtarinë e Kongresit të Alfabetit të Manastirit në nëntor 1908. Së paku bashkëvendimtar ka qenë roli i tij gjatë aksionit sekret të Monarkisë për Shqipërinë në vitet 1908-1909 kundër Malit të Zi, në një fazë kritike të kryengritjes myslimane më 1914 në Shqipërinë e Mesme, gjatë aksionit sekret të Monarkisë për Shqipërinë më 1914 kundër Serbisë dhe Malit të Zi, në themelimin dhe veprimtarinë e Komisisë Letrare në Shkodër në vitet 1916 deri 1918, lidhur me dy planet konkurruese më 1918 për dërgimin e monumenteve antike në Sarajevë ose për ndërtimin e një muzeu kombëtar shqiptar, si dhe në çështjen e diskutueshme rreth ndarjes së axhendave të komisarit civil prej përfaqësuesit të ministrisë së jashtme në kohën e administrimit ushtarak austro-hungarez të Shqipërisë.
Kongresi i Alfabetit në Manastir në nëntor 1908
Më 1905 Kral u emërua konsull në Shkodër, me detyrë zgjidhjen njëherë e mirë të çështjes së alfabetit në një mënyrë të kënaqshme për të gjitha grupimet, me qëllim që aksioni për Shqipërinë i Austro-Hungarisë të mos pengohej më tej. Ai mendonte se dallimi mes alfabeteve që përdoreshin në Shqipëri ishte një prej shkaqeve kryesore të mosmarrëveshjes midis shqiptarëve.[5] Sipas tij grindjet rreth alfabetit mbanin përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e ngadaltë të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Thuajse secili prej alfabeteve ekzistuese ishte vënë në shërbim të një feje të caktuar. Për shkak të mungesës së një mjeti të përbashkët komunikimi, sakrificat e mëdha që Austro-Hungaria bënte në dobi të nxitjes së qëllimeve kombëtare shqiptare në pjesën katolike të Shqipërisë Veriore, mbeteshin gati të panjohura për pjesën tjetër të Shqipërisë dhe për këtë arsye përgjithësisht nuk ia arrinin qëllimit.
Megjithëkëtë, parimi i neutralitetit i deklaruar deri atëkohë nga ana e Ministrisë së Jashtme ose mospërfshirjes në çështjet shqiptare nuk duhej shkelur. Për shkak se një mirëkuptim i drejtpërdrejtë mes Ndre Mjedës, drejtues i shoqërisë letrare “Agimi” dhe Prenk Doçit, drejtues i shoqërisë letrare “Bashkimi” ishte i pamundur, Kral u përpoq t’i bindte që të dy mbi domosdoshmërinë e një kompromisi me toskët, për të kapërcyer gjithë mosmarrëveshjet e mundshme përmes përcaktimit të një alfabeti të vlefshëm për gjithë Shqipërinë.[6] Me qëllim që një ujdi e tillë të ishte jetëgjatë, Kral mbështeste idenë e një alfabeti të përbërë nga të tri sistemet e mëdha alfabetike: ai i shoqërisë Agimi, i shoqërisë Bashkimi dhe alfabeti i Stambollit. Në mirëbesim të plotë, këtë aksion ai e kishte vënë në udhë si tek përfaqësuesit e alfabetit të Stambollit[7], që tashmë i njihte personalisht, ashtu edhe tek personat kyç në Shkodër. Për këtë gjë i erdhën në ndihmë marrëdhëniet e lidhura qysh në Manastir me përfaqësuesit më të rëndësishëm të publicistikës shqiptare.[8]
Sipas pikëpamjes së Kral-it, shmangia e kaosit lidhur me alfabetin mund të arrihej më mirë përmes përfaqësuesve të alfabetit të Samiut sesa përmes dy shoqërive letrare në Shkodër, “Bashkimi” dhe “Agimi”.[9] Nëpërmjet ndikimit këmbëngulës mbi përkrahësit e grupimit të Sami Frashërit ai më në fund ia doli që t’i nxiste ata drejt një reflektimi dhe gradualisht drejt pjesëmarrjes në diskutime dhe negociata. Me rekomandim të tij Vjena ushtroi një ndikim të përbashkët mbi pothuajse të gjitha gazetat shqiptare të kohës, duke vendosur kështu një lidhje më të ngushtë midis gazetës “Drita” në Sofje, “Albania” në Bruksel e Londër, “Shpnesa” në Trieste dhe “Kombi” në Boston. Kral-i u përpoq të ndikonte personalisht mbi Konicën, por nuk kishte shumë shpresë për shkak të karakterit jo aq të pajtueshëm të këtij të fundit. Qëllimi final ishte që toskët të binin dakord mbi përdorimin ekskluziv të shkronjave latine.[10]
Në të njëjtën kohë, konsulli ndikonte edhe mbi shoqëritë “Bashkimi” dhe “Agimi” në Shkodër.[11] Anëtarët e këtyre dy shoqërive letrare duheshin bindur për nevojën e lëshimeve ndaj alfabetit të Sami Frashërit. P. Doçi, u tregua aq jobashkëpunues, sa i konsideroi përpjekjet e Kral-it për arritjen e një marrëveshjeje si një qëndrim armiqësor kundër vetë atij. Për rrjedhojë, sipas Kral-it, Doçi bënte një fushatë të mirëfilltë kundër konsullit dhe përpiqej të sabotonte punën diplomatike të konsullatës së përgjithshme, me bindjen se largimi i Kral-it do të nënkuptonte fitoren e palës së tij. Doçi madje pretendonte në mënyrë të rreme se alfabeti i tij përdorej edhe prej myslimanëve anembanë Shqipërisë. Ndryshe nga Doçi, Mjeda u tregua shpejt i gatshëm që të merrej vesh me toskët. Një gjë e tillë u favorizua nga fakti se edhe alfabeti i tij edhe alfabeti i Samiut mbështeteshin mbi të njëjtin parim themelor, që ishte përjashtimi i shkronjave të përbëra. Në pranverë të vitit 1908 jezuitët iu bashkuan pa kushte kësaj lëvizjeje, duke deklaruar se do të bashkëpunonin fuqimisht për hartimin e një alfabeti të vlefshëm për tërë Shqipërinë, dhe se do të pranonin alfabetin e shumicës.[12]
Megjithatë Kral pengoi një shkrirje të mundshme të parakohshme të këtyre dy sistemeve, në mënyrë që alfabeti i ardhshëm të përftohej si një kompromis i marrëveshjes midis të gjitha grupimeve, përfshirë dhe atë të Doçit.[13] Përveç kësaj, alfabeti nuk duhej të ishte një produkt i bisedimeve të fshehta me shkrim, por thjesht duhej përgatitur në këtë mënyrë, për t’u bekuar më pas nga një kuvend delegatësh dhe për t‘u shpallur si një vepër e pavarur kombëtare. Një kthesë vendimtare ishte deklarata e bërë me nxitjen e Kral-it e Shahin Kolonjës, njërit prej përfaqësuesve kryesorë të alfabetit të Stambollit, për të pranuar edhe shkronja të përbëra në rast se kompromisit do t’i bashkohej edhe Bashkimi. Doçit tashmë të izoluar nuk i mbeti gjë tjetër veçse të deklaronte se edhe grupimi i tij do t’i nënshtrohej alfabetit të shumicës. Kështu, në fillim të shtatorit 1908 Kral mundi ta njoftonte më në fund Vjenën se toskët, Mjeda dhe jezuitët ishin vendosur për një kompromis dhe se Doçi do t’i nënshtrohej vullnetit të shumicës.[14]
Punët përgatitore për kongresin u lehtësuan prej lëshimeve kushtetuese të bëra gjatë revolucionit xhonturk, duke mundësuar kështu thirrjen e një kuvendi delegatësh në Shqipëri dhe jo në Bukuresht, siç ishte propozuar fillimisht nga Kral.[15] Kështu, përkrahësit e lëvizjes kombëtare shqiptare në vilajetin e Manastirit thirrën në Manastir mbledhjen e burrave të besuar nga qarqet më të rëndësishme shqiptare si brenda dhe jashtë vendit. Disa prej këtyre personave, që ishin miq të Kral-it, krijuan komitetin organizator, duke bërë që ftesat të bëheshin me nxitjen e konsullit, pa e diktuar kush ndërhyrjen e tij. Kral u paralajmërua lidhur me Mid’hat Frashërin, botuesin e gazetës shqiptare “Lirija“ në Selanik, i cili konsiderohej si përkrahës i xhonturqve dhe që, ndoshta nën ndikimin e komitetit xhonturk të Selanikut, synonte dështimin e kongresit në Manastir. Kjo frikë do të vërtetohej gjatë kongresit.[16]
Kongresi i Alfabetit[17], i mbajtur nga 14 nëntor deri më 22 nëntor 1908 në Manastir, kishte si qëllim të merrte një vendim përfundimtar mbi çështjen e alfabetit. Në kongres u diskutua mbi unifikimin e të tri alfabeteve si vijon: alfabeti i Bashkimit, alfabeti i Agimit dhe alfabeti i Samiut.[18] Njëri fraksion përkrahte përpilimin e një alfabeti të ri, që ishte thuajse identik me alfabetin e Bashkimit. Fraksioni tjetër brenda komisionit, ku hynte edhe Mjeda, mbështeste adoptimin e alfabetit të Samiut. Për shkak të krizës së aneksimit[19], diplomatët austro-hungarezë nuk duhej të shfaqeshin hapur në këtë konferencë. Kral mundi vetëm të dërgonte një shqiptar të besuar në Manastir, pa të drejtë fjale, i ngarkuar që të punonte në mënyrë diskrete midis grupimeve të veçanta për arritjen e një balancimi, por gjithsesi pa marrë pjesë zyrtarisht nëpër seanca apo gjetiu.[20] Mirëpo, Kral e kishte humbur rastin që të negocionte më parë personalisht me Mid’hat Frashërin, për ç‘arsye rryma e ndikuar prej xhonturqve iu kundërvu çdo zgjidhjeje kompromisi që mbartte në vetvete diçka austriake. Në momentin kur vetë Mjeda anonte më shumë nga “alfabeti kombëtar” i toskëve, d.m.th. alfabeti i Stambollit, atëherë u ra dakord që të njiheshin dy alfabete: së pari, një alfabet i pastër latin me 25 shkronja dhe bashkëtingëllore dyshe për tingujt e veçantë të shqipes, çka ishte afër alfabetit të Bashkimit, dhe së dyti, alfabeti i Samiut ose i Stambollit.[21]
Rezultati ishte pra një zgjidhje kompromisi në formën e një vendimi për përdorimin e barabartë si të alfabetit të Samiut ashtu edhe të alfabetit të Bashkimit, i modifikuar ky sipas një sistemi të kombinuar latin. Vlerësimi i rezultatit të arritur nga ana e Kral-it ishte se përcaktimi i një alfabeti të njësuar latin kishte një rëndësi tepër të madhe për Shqipërinë katolike të Veriut, e në veçanti për Shkodrën, sepse kështu u jepeshin fund grindjeve mes grupimeve të shumta dhe hiqej një prej shkaqeve kryesore të përplasjeve brenda klerit si dhe midis episkopatit dhe konsullatës.[22] Kështu që Kongresi i Manastirit përbënte një arritje kombëtare me shumë vlerë.
Aksioni për Shqipërinë në vitet 1908-1909 kundër Malit të Zi
Drejtimi i aksionit për Shqipërinë në vitet 1908-1909 kundër Malit të Zi, i zhvilluar në kohën e krizës së aneksimit, ndodhej në Vjenë në duart e ministrit të Jashtëm Aehrenthal, shefit të shtabit të përgjithshëm Franz Conrad von Hötzendorf dhe shefit të seksionit Karl von Macchio. Personat përgjegjës për zbatimin e aksionit në terren ishin konsulli i përgjithshëm Kral në Shkodër, konsulli Eduard von Zambaur në Prizren dhe Franz Nopcsa. Kral duhej të vepronte në Shkodër dhe Mirditë, Nopcsa ndër fiset kufitare katolike dhe Zambaur mes fiseve myslimane. Aksioni kishte si qëllim që në rast të fillimit të një lufte kundër Malit të Zi dhe Serbisë, barra e trupave k. u. k. në Bosnjë-Hercegovinë dhe Dalmaci të lehtësohej përmes mësymjes së bandave shqiptare në Mal të Zi. Aksioni u nda në katër faza: shpërndarja e parave ndër fiset kufitare shqiptare si përgatitje, transportimi i armëve prej Monarkisë drejt bregdetit shqiptar, armatosja e çetave shqiptare dhe mësymja e tyre në Mal të Zi.
Ky aksion zhvillohej para sfondit të një konkurrence midis Kral-it dhe Rémy von Kwiatkowski-t, një bashkëpunëtori të departamentit për Ballkanin në Ballhausplatz.[23] Tensionet midis Kwiatkowski-t dhe Kral-it u ashpërsuan si rrjedhojë e kandidimit të të dyve në vitin 1904 për pasimin e konsullit Ippen në Shkodër. Në fillim kjo detyrë iu ngarkua provizorisht Kwiatkowski-t, derisa postin e mori Kral. Lidhur me çështjen shqiptare diferenca midis të dyve qëndronte në faktin se Kral ishte për mbështetjen e shqiptarëve për sa i përket një autonomie të ardhshme të vendit, pa marrë parasysh konfesionin fetar të tyre, e kështu do të ishte siguruar një sipërfaqe shtetërore më e madhe. Ndërsa koncepti i Kwiatkowski-t për një Shqipëri katolike të Veriut do të kishte prodhuar një territor shtetëror shumë më të vogël. Indiferenca fetare e shqiptarëve favorizonte më shumë realizimin e planit të Kral-it.
Pas një zvarritjeje të gjatë drejtimi në Vjenë e ndërpreu aksionin në mes të prillit 1909, pasi shpresonte tek një marrëveshje e arritur mes Austro-Hungarisë dhe Perandorisë Osmane dhe besonte se pa mbështetjen ruse Serbia dhe Mali i Zi nuk do të guxonin të hapnin luftë kundër Monarkisë. Pa marrë parasysh pagesat e parave dhe shpërndarjen e 100 pushkëve Mannlicher–Schönauer, nuk pati furnizime me armë. Megjithëse i mbetur në gjysmë të rrugës, aksioni për Shqipërinë pati gjithsesi disa efekte, që mund të llogariteshin si sukses.[24] Popullsia malazeze, sidomos në zonën kufitare, i trembej tani një mësymjeje shqiptare saqë Mali i Zi vendosi trupa në kufirin shqiptar, duke dërguar atje sasi të konsiderueshme municioni. Përveç kësaj, tashmë ndikimi i agjitacionit malazez, italian dhe rus në Shqipërinë e Veriut ishte neutralizuar dhe shumica e shqiptarëve veriorë ishin sërish në anën e Austro-Hungarisë. Megjithatë Kral duhej larguar nga Shkodra sepse pjesëmarrja e tij në aksionin për Shqipërinë ishte e njohur deri diku, dhe sepse ai përkrahte përpjekjet autonomiste të shqiptarëve kundër synimeve centralizuese të qeverisë xhonturke, e cila ishte stabilizuar pas shtypjes së kundërrevolucionit të prillit 1909.
Rebelimi i vitit 1914 në Shqipërinë e Mesme
Rebelimi në Shqipërinë e Mesme, apo Kryengritja Fshatare, siç është cilësuar nga dëshmitarë të kohës e studiues të ndryshëm shqiptarë shpërtheu në maj të vitit 1914. Komitete xhonturke prej rreth 250 oficerësh osmanë kishin yshtur pakënaqësinë e një pjese të shqiptarëve të besimit mysliman, për të kërkuar largimin e Wilhelm von Wied, princit të krishterë të zgjedhur nga Fuqitë e Mëdha për të drejtuar Principatën Shqiptare. Rivendosja e Shqipërisë nën sovranitetin e Sulltanit, ose në rast se kjo dështonte, emërimi i një anëtari të Familjes Perandorake Otomane si Princ të Shqipërisë ishte kërkesa themelore e tyre.[25] Mbasi kryengritësit pushtuan Tiranën më 24 maj 1914, tashmë sundimi faktik i Wied-it në Shqipërinë e Mesme u kufizua në zonën e Durrësit, që ai ia doli ta mbante vetëm me ndihmën e anijeve austro-hungareze dhe italiane. Kërcënimi që i vinte shtetit shqiptar prej rebelimit në Shqipërinë e Mesme, dhe dobësia në udhëheqje e Princ Wied-it çuan sërish, me kërkesën e kryengritësve, drejt rolit ndërmjetësues të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Më 24 maj 1914 përfaqësuesit e Komisionit, mes të cilëve edhe konsulli i përgjithshëm Kral, filluan në Shijak bisedimet me kryengritësit, gjakrat e të cilëve ishin nxehur aq shumë saqë ekzistonte frika e shpërthimit të ndonjë vale dhune.
Në periodikun e tij “Albanische Korrespondenz” publicisti Leo Freundlich shkroi atëherë se ndërhyrja qetësuese e Kral-it kishte lënë një përshtypje shumë të mirë tek qarqet e atjeshme shqiptare.[26] Sipas tij, Kral, për shkak të njohjes praktike të realitetit shqiptar, të psikikës së popullsisë si dhe të zotërimit të përsosur të gjuhës shqipe, ishte në gjendje të hynte në kontakt dhe të merrej vesh me kryengritësit. Sjellja e tij e urtë, e sigurt dhe këmbëngulëse shkaktonte përshtypjen më të mirë të mundshme. Në fjalën e tij drejtuar kryengritësve Kral bënte thirrje për paqe dhe unitet kombëtar. Rolin vendimtar të Kral-it në këtë fazë tejet kritike të bisedimeve e ka konfirmuar edhe nënkoloneli Heinrich Clanner Ritter von Engelshofen, agjenti kryesor i shefit të shtabit të përgjithshëm Franz Conrad von Hötzendorf lidhur me çështjet shqiptare, në një raportim, i cili mbështetej në shënimet e ditarit të tij: „Kral, të cilin qysh herët e kam përshkruar si njërin prej njohësve më të mirë të Shqipërisë, jo vetëm të vendit, por edhe të botës shpirtërore të popullit, pati edhe në këtë komision një vend të spikatur. Edhe gjatë negociatave ai luajti rolin e zëdhënësit. Fillimisht Kral i kishte thënë një përfaqësie hoxhallarësh, nëse ata besonin vërtet se me ato pak burra që kishin do mund t’i kundërviheshin vullnetit të Europës. Ai nuk do të kishte besuar se hoxhallarët ishin aq budallenj. Pastaj komisioni doli në ballkonin e godinës qeveritare. Me një ton shumë energjik Kral pyeti njerëzit, nëse e dinin se para dy vitesh ishte bërë një luftë, në të cilën Turqia kishte marrë fund. Përgjigjja: Po! Nëse e dinin se territoret e saj ishin ndarë dhe se kjo tokë, që banohej prej shqiptarëve, do të bëhej një shtet i ri. Ata duhet të gëzoheshin që mund të jetonin në shtetin e tyre. Doni t’i përkisni Malit të Zi? Përgjigjja: Jo! Doni t’i përkisni Serbisë? Një jo edhe më e fuqishme! Greqisë? Jo! Pyetjes, se çfarë donin në të vërtetë, njerëzit iu përgjigjën me thirrjen: Osmanli! Çdo kundërshti ia shtonte edhe më shumë energjinë Kral-it, i cili në fund deklaroi se do të mbetej ashtu siç kishte urdhëruar Europa … Vetë konsulli i përgjithshëm Kral u kërkoi me vendosmëri njerëzve të shpërndaheshin dhe, kur pa se me negociatat nuk u arrit asnjë rezultat, pa e zgjatur mori me vete edhe robërit, një aksion ky që nuk u kundërshtua prej kryengritësve … Veprimtaria e tij njihej nga të gjitha anët. Kështu kapiteni Saar më tha se aksioni i Kral-it në Shijak ishte njëlloj me një fitore të Austrisë.”[27]
Aksioni për Shqipërinë në vitin 1914 kundër Serbisë dhe Malit të Zi
Me shpërthimin e luftës austro-hungareze-serbe në fund të korrikut 1914 mbizotëronte i njëjti konstelacion sikurse gjatë krizës së aneksimit – Serbia dhe Mali i Zi kundër Monarkisë –, kështu që shefi i shtabit të përgjithshëm Conrad iu rikthye planit të një aksioni për Shqipërinë.[28] Në kooperimin që vijoi midis ministrisë së jashtme dhe asaj të luftës, morën pjesë Nopcsa, përfaqësuesit austro-hungarezë konsulli i përgjithshëm Kral dhe i dërguari Heinrich Löwenthal në Durrës, konsulli Karl Halla në Shkodër, disa oficerë austro-hungarezë nën drejtimin e nënkolonelit Alexander Spaits dhe prijësit e çetave shqiptare Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Isa Boletini.
Njerëzit e besuar të Kral-it duhet të operonin kundër Serbisë në të ashtuquajturin “Kossovo–Action”, për çka do të angazhoheshin fiset nga Luma (përreth Kukësit), Dibra, Gjakova dhe Prizreni. Prej këtej, pas çlirimit të Kosovës prej trupave serbe, duhej të pasonte kryengritja e përgjithshme kundër Serbisë. Kral bisedoi në Durrës me Hasan Prishtinën, fisnikë dhe udhëheqës të tjerë fisesh, thuri plane për veprim, iu lut Ballhausplatz-it për dërgimin e municionit Mauser për pushkët që përdoreshin në vend, dhe u premtoi krerëve të fiseve të Mirditës dhe atyre afër kufirit shuma të mëdha parash për bashkëpunimin. Ballhausplatz informoi zyrën e evidencës, shërbimin informativ qendror të shtabit të përgjithshëm, për vlerësimin e Kral-it mbi situatën në vend dhe e propozoi këtë të fundit si drejtues logjik të një aksioni më të gjerë.[29]
Kur në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit 1914 ushtria austro-hungareze humbi Galicinë dhe u detyrua të tërhiqej përgjatë vijës së Karpateve, dhe kur dështoi ofensiva e parë kundër Serbisë, besimi i shqiptarëve tek forca e Austro-Hungarisë filloi të lëkundej. Në këtë fazë Ballhausplatz i komunikoi të dërguarit Löwenthal në Durrës se tani e tutje vëmendja kryesore e luftës kundër Serbisë ndodhej në veri dhe se futja në aksion e shqiptarëve do të kishte kuptim vetëm në rast të rifillimit të ofensivës ose të ndërhyrjes nga ana e Bullgarisë.[30] Mirëpo ndërkohë ishin arritur disa marrëveshje të fiseve kufitare me Malin e Zi, pasi shumë krerë fisesh ishin korruptuar prej Serbisë e Malit të Zi. Përveç kësaj, në Dibër erdhi Esat Pasha Toptani, që me njerëzit e tij e mbajti të qetë kufirin shqiptaro-serb.[31] Si pasojë oficerët austro-hungarezë të përfshirë në aksionin sekret u udhëzuan të tërhiqeshin në territorin e Monarkisë.
Më 16 nëntor 1914, gjatë një pushimi në vendlindje në Vjenë, konsulli i përgjithshëm Kral raportoi se nuk do të duhet të kurseheshin shpenzimet e parave, sapo një aksion i tillë të cilësohej nga pala ushtarake si pashmangshmërisht i domosdoshëm.[32] Përkohësisht mjaftonte që aktorët shqiptarë të përgatitur tashmë, veçanërisht Hasan Prishtina, të mbaheshin në gatishmëri për aksionin dhe të ndihmoheshin për të kapërcyer vështirësitë materiale të situatës së çastit.
Komisia Letrare Shqipe në Shkodër në vitet 1916 deri 1918
Komisia Letrare Shqipe në Shkodërështë themeluar me nismën[33] e komisarit civil August Kral dhe është miratuar me urdhrin[34] e komandës së korpusit ushtarak austro-hungarez më 30 qershor 1916. Ajo e filloi veprimtarinë e saj me mbledhjen e parë më 1 shtator 1916.[35] Si veprimtari të kësaj komisie numëroheshin: publikimi i veprave të paprintuara të shkrimtarëve shqiptarë, botimi i një reviste mujore (gjuhësi, letërsi, histori, raporte mbledhjesh) nën bashkëpunimin e mundshëm me albanologë të Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, botimi i librave shkollorë, botimi i një fjalori shqip-gjermanisht si dhe veprimtaria këshilluese për zyrat e tjera shqiptare lidhur me gjuhën shqipe. Gjuha dhe letërsia shqipe duhej të zhvilloheshin më tej, ortografia e të dyja dialekteve të mëdha të përmirësohej dhe të njësohej si dhe të krijoheshin fjalë të reja dhe terma teknikë për administratën dhe hartimin e librave shkollorë.[36] Më në fund Komisia Letrare Shqipe në një mendje me ministrinë e jashtme të Austro-Hungarisë e konfirmoi më 11 dhjetor 1916 vendimin e Kongresit të Elbasanit në vitin 1909 për ta zgjedhur dialektin e Elbasanit si bazë të një gjuhe të unifikuar kombëtare.[37]
Lidhur me çështjen e dialektit kishte një konflikt të brendshëm: një palë rreth Kral-it dhe Maximilian Lambertz-it donte të krijonte një gjuhë letrare të unifikuar në bazë të dialektit elbasanas, një palë tjetër rreth Gjergj Pekmezit dhe Rajko Nachtigall-it mbronte ekzistencën krah njëri-tjetrit të të dyja dialekteve të mëdha të gegërishtes dhe toskërishtes. Në qendër të konfliktit përkatës qëndronte rivaliteti midis Kral-it dhe Pekmezit. Në mes të dhjetorit 1916 Kral u ankua tek Rappaport për sjelljen destruktive të Pekmezit dhe i siguroi atij se kompromisi në çështjen e dialektit ishte arritur vetëm nëpërmjet ndikimit të Rappaport-it mbi Pekmezin.[38] Në tetor 1917 Pekmezi u vu kundër dy anëtarëve të komisionit Lambertz-i dhe Gurakuqi në çështjen tjetër shumë të rëndësishme të rregullave ortografike të gjuhës shqipe të shkruar, të cilët Kral në raportet e tij i kishte nxjerrë në pah në mënyrë lavdëruese.[39] Prandaj komisioni, në mospraninë e Pekmezit, mori një vendim që u pranua nga komanda e korpusit. Si pasojë Pekmezi dha dorëheqjen. Kral, i cili e kishte mbështetur gjithmonë Pekmezin deri atëherë, e braktisi, sepse komanda e korpusit e shtrëngoi për një vendim.
Nga dosjet e arkivit të konsullatës së Shkodrës ruajtur në Arkivin Oborrtar Shtetëror në Vjenë del se rivaliteti midis Kral-it dhe Pekmezit u acarua siç duket në një armiqësi personale, e cila u quajt në dosje “afera Pekmezi”.[40] Sipas Kral-it, Pekmezi intrigonte kundër tij tek komanda e korpusit, për të gjetur mbështetje në Komisinë Letrare Shqipe nga një komisar i ri civil. Në këtë lidhje Kral përmendi mënyrën e keqe të jetesës së bashkëshortes së Pekmezit në Shqipëri. Sipas Pekmezit, Kral-i linte të ndikohej nga kundërshtarët e Pekmezit dhe prandaj ai tregonte një qëndrim armiqësor ndaj Pekmezit. Kral-i ngriti bile një padi kundër Pekmezit për shkak të një thënieje ndërfyese, nga e cila ai hoqi dorë më vonë pas një deklarate me shkrim nga ana e Pekmezit. Gjoja Pekmezi kishte pohuar në një kafene vjeneze se Kral paskësh fituar të ardhura plotësuese në monedha të argjendta.
Dërgimi i monumenteve antike drejt Sarajevës apo ndërtimi i një muzeu kombëtar shqiptar?
Një shembull shumë i mirë për kooperimin ndëraktiv midis aktorëve të fushave të politikës, ushtrisë dhe shkencës, është çështja e shpëtimit të monumenteve antike në territoret e administrimit ushtarak austro-hungarez të Shqipërisë në vitet 1916 deri 1918. Aktorët kryesorë kolektivë ishin Ministria e Jashtme, Ministria e Përbashkët e Financave dhe Ministria e Luftës në Vjenë, instituti i Ballkanit dhe muzeu kombëtar në Sarajevë, komanda e korpusit në Shkodër dhe Shtatmadhoria në Teschen në Silezinë austriake. Aktorët kryesorë individualë në terren në Shqipëri ishin komisari civil August Kral si përfaqësues i Fushës Politike, Carl Patsch, drejtori i institutit të Ballkanit në Sarajevë, si përfaqësues i Fushës Shkencore ose Albanologjike, si edhe oficerët dhe albanologët Georg Veith dhe Camillo Praschniker në një pozicion të dyfishtë si përfaqësues edhe të Fushës Ushtarake edhe të Fushës Albanologjike. Për zgjidhjen e çështjes së përmendur shtroheshin për diskutim dy opsione: ose monumentet të dërgoheshin në Austro-Hungari, ose ato të grumbulloheshin në ndonjë vend të sigurt në Shqipëri.
Më 12 korrik 1917, Ministria e Kultit dhe Arsimit i dërgoi Ministrisë së Jashtme një kopje të raportit[41] të Praschniker-it mbi ekspeditën arkeologjike të ndërmarrë në fund të vjeshtës 1916 në Mal të Zi e në Shqipërinë e Veriut, dhe me këtë rast rekomandoi marrjen e masave të përshtatshme për ruajtjen dhe shpëtimin e monumenteve antike të Shqipërisë. Nga njëra anë nëpërmjet një dekreti që ndalonte largimin e monumenteve antike nga vendet e pushtuara, dhe nga ana tjetër përmes nxitjes për shpëtimin ose grumbullimin provizor në një vend të sigurt të të gjitha monumenteve të vlefshme për ruajtje do të duhej shmangur rrëmbimi kërcënues i objekteve antikuarë. Praschniker vuri në dukje se tashmënë Shqipëri ishte marrëprej vendasve dhe serbëve një pjesë e konsiderueshme e inventarit të monumenteve të njohura deri atëkohë. Përveç kësaj ai u ankua për oficerët austro-hungarezë, të cilët blinin objekte antike prej shqiptarëve dhe i dërgonin ato në prapavijë. Për këtë arsye largimi i tyre këshillohej të bëhej në tokë të sigurt austriake ose së paku në ndonjë vend të sigurt shqiptar si Shkodra ose Durrësi.
Gjatë një udhëtimi pune në nëntor 1917 Kral, së bashku me Dr. Carl Patsch nga instituti i Ballkanit në Sarajevë, hulumtoi disa prej vendgjetjeve më të rëndësishme të mbetjeve antike. Në Fier atyre iu bashkua për dy ekspedita nënkoloneli Georg Veith, i njohur edhe si studiues i antikitetit. Në bazë të përvojave të bëra Kral dhe Patsch panë nevojën e angazhimit të një arkeologu më të ri për drejtimin e punimeve të nevojshme si dhe për konservimin dhe sigurimin shkencor të materialit të gjetur.[42] Me kërkesë të komisarit civil Kral tek Shtatmadhoria dhe me nxitjen e drejtorit të institutit arkeologjik austriak departamenti për orientin në ministrinë e luftës caktoi në nëntor 1917 Praschniker-in si arkeolog pranë komandës së korpusit të 19-të që vepronte në Shqipëri, me qëllim që të fillonte nga puna për shpëtimin e propozuar nga ai vetë të monumenteve antike të Shqipërisë në formën e një grumbullimi, përshkrimi dhe katalogizimi.[43]
Plani fillestar i Patsch-it, i cili vepronte me porosi të Vjenës, ishte dërgimi i monumenteve në muzeun kombëtar të Sarajevës.[44] Ishte ideja e Kral-it që monumentet të mbeteshin në Shqipëri dhe që të ndërtohej një muze kombëtar shqiptar për strehimin e tyre. Pas ndërhyrjes së Ministrisë së Financave nga fundi i shkurtit 1918 në Ballhausplatz u favorizua opsioni i dërgimit të monumenteve në muzeun kombëtar të Sarajevës.[45] Një muaj më vonë, më 23 mars 1918, Kral u përpoq të mbronte pikëpamjen e tij të kundërt, duke i drejtuar një raport të hollësishëm ministrit të Jashtëm Ottokar Czernin lidhur me fillesat e një muzeu kombëtar shqiptar dhe emërimin e përhershëm të një arkeologu të ri në Shqipëri.[46] Që prej vitit 1916 ai ishte përpjekur të nxiste komandën e korpusit drejt masave në favor të sigurimit të shumë mbetjeve nga kultura romake e greke si dhe të monumenteve të tjera arti të rëndësishme për historinë e vendit. Sipas Kral-it, si rezultat i hapave të ndërmarra prej tij më 23 dhjetor 1916 u lëshua një urdhër i komandës së korpusit, nr. 582, pika 12, përmes të cilit u kërkohej të gjitha komandave vartëse që të mbronin objektet e artit prej shkatërrimit dhe rrëmbimit, duke i transferuar në një ambient të posaçëm për këtë qëllim brenda shtëpisë së komandës në Durrës (dikur pallati i Wied-it). Meqë si rrjedhojë e kalimit të vrullshëm të trupave dhe për shkak të operacioneve të tjera luftarake ekzistonte rreziku imediat i rrëmbimeve të mëtejshme të shumë objekteve të artit që më vonë do të ishin sigurisht të pazëvendësueshme, dhe duke ditur se në kohë lufte ky rrezik nuk mund të eliminohej as edhe përmes urdhrave më të prerë, duhej shpalosur sakaq një punë intensive grumbulluese për muzeun e ardhshëm kombëtar, madje të fillonte organizimi i vetë muzeut, të paktën në trajtat e tija fillestare.[47]
Qysh në fund të shkurtit 1918 u arrit të dërgohej në Durrës një koleksion statujash dhe mbishkrimesh antike, pjesërisht me shumë vlera, për të krijuar bazën e një muzeu shqiptar të antikitetit. Veith, i cili parimisht sikurse Kral dhe Patsch ishte edhe për ngritjen e një muzeu kombëtar shqiptar, për shkak të vlerësimeve të tij pesimiste për Shqipërinë e ardhshme, ndërhyri për një transferim provizor të monumenteve në muzeun kombëtar të Sarajevës ose të paktën për deponimin provizor të tyre në Durrës për qëllime studimore nga ana e institutit të Ballkanit.[48] Në letrën e tij nga Shqipëria në fillim të qershorit 1918 adresuar Patsch-it lidhur me transportimin e monumenteve të mbledhura prej tij në Shqipëri drejt muzeut kombëtar të Bosnjës, Praschniker, duke marrë parasysh situatën e ndryshuar të luftës në vend, devijoi nga ideja fillestare për ndërtimin e një muzeu kombëtar shqiptar dhe favorizoi tanimë idenë e dërgimit të objekteve antike për në Sarajevë.[49]
Ideja fillestare e Kral-it u rimor pak vite pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore nga qeveria shqiptare, e cila më 1922 ngarkoi Patsch-in me punën organizative për themelimin e një muzeu kombëtar shqiptar, çka përfundimisht mbeti veç në fazën planifikuese për shkak të trazirave politike të brendshme në vend.[50]
Komanda e korpusit kundër Kral-it në vitin 1918: Debati mbi ndarjen e agjendës së komisarit civil nga ajo e përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme
Në një dosje të veçantë në trashëgiminë arkivore të Kral-it bëhet fjalë për “konfliktin me ushtarakët në vitin 1918”[51] dhe jepen informacione mbi debatin e ashpër lidhur me kompetencat midis aktorëve udhëheqës të fushës politike dhe atyre të fushës ushtarake në lidhje me çështjen shqiptare në fazën e nxehtë të Luftës së Parë Botërore. Si objekt i dosjes është dhënë “Ndarja e agjendës së komisarit civil në Shqipëri nga ajo e përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme”. Qysh në tetor 1917 Kral u paralajmërua përmes një letre sekrete nga Rappaport se sipas një informacioni sekret korrespondenca e tij ishte hapur në komandën e korpusit të 19-të.[52]
Në telegramin e shefit të shtabit të përgjithshëm Artur Baron Arz von Straußenburg drejtuar ministrit të Jashtëm Burián, më 22 prilll 1918 pasqyrohet kërkesa e komandës së korpusit të 19-të për të ekzekutuar menjëherë shkarkimin e Kral-it.[53] Në një telegram drejtuar Burián-it dy ditë më vonë Kral shprehu qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje.[54] Pas kërkesës së bankës tregtare hungareze të Pest-it, Kral ishte ngarkuar nga Ministria e Jashtme që ta mbështeste këtë kërkesë për marrjen parasysh në mënyrë paritetike[55] të pagimit të interesave të tepricave shqiptare njëlloj me shoqërinë bankare vjeneze. Por këtu Kral kishte hasur në kundërshtimin e papritur të komandës së korpusit. Faktorë të ndryshëm në komandën e korpusit dukej se nuk e dëshironin pjesëmarrjen e bankës hungareze. Ngarkimi i shoqërisë bankare vjeneze me administrimin e tepricave financiare shqiptare ishte bërë atëkohë me iniciativën vetjake të komandës së korpusit dhe i ishte komunikuar Shtatmadhorisë më vonë. Me tej Kral u mbrojt kundër intrigës së referentit financiar, kapitenit Dr. Wagner[56], i cili, edhe pse për çështje financiare ishte në vartësi të komisarit civil, kishte kundërshtuar urdhrin e Kral-it, sepse, duke u nisur nga administrata ekzistuese ushtarake, ai u bindej vetëm eprorëve ushtarakë, dhe sepse sipas tij një marrëdhënie vartësie e referentëve të veçantë ndaj komisarit civil nuk ekzistonte, dhe kishte pretenduar më pas se Kral e kishte trajtuar pa respekt dhe kishte kërcënuar komandën e korpusit.
Në telegramin e datës 1 maj 1918 drejtuar Burián-it, Kral përshkroi hollësishëm intrigat e ushtarakëve në terren kundër tij dhe në përmbyllje u lut për lejen e ministrit të Jashtëm që t’i drejtonte komandantit të korpusit kërkesën për heqjen e tij nga detyra e komisarit civil.[57] Burián e refuzoi menjëherë idenë e Kral-it për t’u dorëhequr si komisar civil, edhe për arsyen që të mos dobësonte pozitën e Ministrisë së Jashtme kundrejt Shtatmadhorisë.[58] Pa kaluar java, në një shkresë drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm Arz me titull “Konsulli i përgjithshëm Kral dhe funksionet e tij në Shqipëri”, Burián hodhi poshtë në mënyrë të mirëargumentuar të gjitha akuzat e komandës së korpusit të 19-të kundër Kral-it dhe në fund rikujtoi në mënyrë të përsëritur dhe shprehurazi epërsinë e politikës së jashtme kundrejt politikës ushtarake.[59]
Në një telegram të Burián-it drejtuar Kral-it më 23 qershor 1918 pasqyrohet një pjesë nga një notë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm drejtuar ministrit të jashtëm pa datë. Në këtë Arz kërkoi ndarjen e funksionit të përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme nga ai i komisarit civil. Sipas tij, ky i fundit ishte një organ i komandantit të korpusit, i cili ishte përgjegjës për administratën në Shqipëri, dhe duhej të ishte në çdo aspekt nën vartësinë e tij. Përveç kësaj, si komandanti i korpusit ashtu dhe gjenerali i atashuar kishin kërkuar sërish për arsye personale dhe disiplinore heqjen sa më të shpejtë të konsullit të përgjithshëm Kral. Kjo dëshirë duhej marrë në konsideratë patjetër.[60]
Edhe përgjigjja e Burián-it drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm jepet në telegramin e datës 23 qershor 1918. Sipas tij, shkëputja e administratës vendore nga komanda e korpusit të 19-të ishte e parakohshme. Aprovimi i Burián-it lidhur me ndarjen e funksionit të komisarit civil nga ai i përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme varej nga plotësimi i kushteve të mëposhtme: së pari, duhej emëruar një tjetër komisar civil, njohës i vendit dhe i gjuhës, duke marrë mendimin e Ballhausplatz-it dhe me kompetencë në tërë administratën vendore; së dyti, Ministria e Jashtme rezervonte të drejtën e shprehjes së qëndrimit ndaj të gjitha vendimeve parimore lidhur me administratën e Shqipërisë; së treti, duheshin hequr nga posti oponentët më në zë kundër përfilljes së politikës së jashtme në administratën vendore siç ishin nënkoloneli Jucha[61], majori i Shtabit të Përgjithshëm Krömer[62] dhe sekretari i financave kapiteni Dr. Wagner; së katërti, komanda e korpusit duhet të bënte kërkesën për dekorimin më të lartë të Kral-it me yllin me dekoratën e luftës për kryqin komtur të urdhrit Franz Josef me rastin e heqjes së tij nga funksioni i komisarit civil dhe në mirënjohje të aktivitetit të tij prej dy vitesh e gjysmë; dhe së pesti, pozicioni dhe të drejtat e përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme në komandën e korpusit duhet të mbeteshin të pandryshuara.
Në një telegram në fund të qershorit 1918 Kral i përcolli ministrit të Jashtëm edhe njëherë qëndrimin e tij lidhur me akuzat nga ana e ushtarakëve. Ai sqaroi aferën Wagner–Jucha, cilësoi sulmet e komandës së korpusit kundër personit të tij si të qëllimshme, falënderoi Burián-in për besimin dhe shpjegoi arsyet e vërteta që fshiheshin prapa intrigës, konkretisht sprapsjen e ndikimit të Ministrisë së Jashtme përmes mënjanimit të përfaqësuesit të saj të deriatëhershëm dhe bashkimin në një seksion e të dyja grupeve administrative ekzistuese nën drejtimin e përbashkët ushtarak të nënkolonelit Jucha.[63]
Më 7 korrik 1918 shefi i Shtabit të Përgjithshëm Arz i drejtoi një notë C. Trauttmannsdorff-it[64], përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme në Shtatmadhori, të cilën ky i fundit ia përcolli ministrit të Jashtëm Burián. Në këtë notë Shtatmadhoria u lut për heqjen e Kral-it nga funksioni i tij si komisar civil.[65] Si përfundim Ballhausplatz ia imponoi qëndrimin e vet Shtatmadhorisë, sepse deri më 17 tetor 1918 Kral mbeti komisar civil pranë komandës së forcave luftarake austro-hungareze që operonin në Shqipëri.
Analizë e veprimit të Kral-it në Shqipëri
Kral kishte si kapital kulturor të vetin kryerjen e akademisë orientale në Vjenë dhe një karrierë si zëvendëskonsull, konsull e pastaj si kryekonsull. Kapitali i tij social rezultoi vetvetiu nëpërmjet stacioneve të tija të shumta konsullore, ku ai arriti të lidhte një mori kontaktesh të gjithfarshme në qarqet diplomatike dhe elitën shqiptare. Kapitalin e tij simbolik Kral, sikurse shumë aktorë të tjerë të fushës politike, e fitoi nga njëra anë në Monarki dhe nga ana tjetër mes shqiptarëve. Si konsull në Shkodër ai mësoi shqipen, zotërimi i shpejtë dhe i përsosur i së cilës ia hapi të gjitha dyert në vendbanimet shqiptare të Perandorisë Osmane.[66] Ai vepronte vazhdimisht për lindjen e një ndjenje përkatësie shqiptare dhe për bashkimin kombëtar të të tria besimeve fetare si dhe konsiderohej si një njohës i thellë i shqipes dhe dialekteve të saja, të cilit i detyrohej jo vetëm krijimi, por edhe vazhdimësia e gjuhës së njësuar letrare shqiptare.[67] Qysh në vitet 80 të shekullit të 19-të ai mbronte mendimin se një bashkim kombëtar në Shqipëri do të ishte i mundur vetëm në qoftë se kishte një alfabet të njësuar dhe një gjuhë letrare të përbashkët.
Më 1908 Kral organizoi kongresin për njësimin e alfabeteve shqiptare në Manastir, ku ndikoi suksesshëm në arritjen e një kompromisi. Gjatë krizës së aneksimit ai drejtoi në terren në Shkodër aksionin për Shqipërinë 1908-1909 kundër Malit të Zi. Një rritje shumë të madhe pati kapitali i tij simbolik edhe në Monarki edhe në Shqipëri, kur ai veproi më 1914 në rangun e kryekonsullit të klasit të parë si komisar austro-hungarez në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë, ku bashkëpunoi ngushtë me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare Myfit Libohovën dhe Mehdi Frashërin në drejtim të konsolidimit të pavarësisë së Shqipërisë.[68] Në këtë pozicion ai u dallua shumë, veçanërisht gjatë negociatave në Korfuz dhe ballafaqimit të tij me kryengritësit e Shqipërisë së Mesme në Shijak në fund të majit 1914, kur ndërmjetësoi me sukses mes palëve armike duke vënë në rrezik jetën e tij.[69] Në shenjë mirënjohjeje ndaj këtij akti heroik Kral u zgjodh anëtar nderi i komitetit për Shqipërinë në Vjenë.[70] Një dëshmitar i rëndësishëm ushtarak i kohës, nënkoloneli Clanner, dora e djathtë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm Conrad në Shqipëri, raportoi atëkohë se kishte qenë me fat që pas mbërritjes së tij në Shqipëri ishte instruktuar nga Kral, eksperti më i mirë për Shqipërinë – interesant është fakti që Clanner preferoi Kral-in ndaj Nopcsa-s, ndonëse Nopcsa kishte kryer shërbime tepër të rëndësishme për Conrad-in –, dhe se ishte për të ardhur keq që nuk e kishin emëruar si të dërguar austro-hungarez në Shqipëri.[71] Kryekonsulli Kral, nëpërmjet pozicionit të tij të spikatur në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, kishte parandaluar më të keqen duke u ballafaquar energjikisht me kryengritësit dhe duke përllogaritur saktë mentalitetin shqiptar, për ç’arsye kishte fituar nga të gjitha anët një mirënjohje të pakufizuar.[72]
Sikur të mund të kishte edhe një shkallë më të lartë për sa i përket prestigjit, në periudhën kur Kral ishte komisar civil i administratës ushtarake austro-hungareze të Shqipërisë, me kërkesë të tij u realizuan arritjet si vijon: ngritja e drejtorive të përgjithshme për financa, arsim dhe drejtësi të ngjashme me ministri me funksionarë shqiptarë në krye; krijimi i autoritetit më të lartë të pavarur mysliman “kryemyfti“; themelimi i Komisisë Letrare nga ana e Gjergj Fishtës dhe Luigj Gurakuqit, e cila kontrollonte në drejtim të një shprehjeje të njësuar dhe korrekte të gjitha dispozitat zyrtare të autoriteteve civile shqiptare dhe atyre ushtarake të huaja si dhe të gjitha publikimet zyrtare, librat shkollorë etj., përpara se këto të dilnin në botim; vendosja e drejtorisë së statistikës, e cila kreu të parin numërim të popullsisë dhe futi në përdorim mbiemrat familjarë.[73] Përveç kësaj ishte merita e Kral-it që shqipja u shpall gjuha e vetme zyrtare në pjesën e pushtuar të Shqipërisë, çka i motivoi vendasit për mësimin e shkrimit shqip sipas alfabetit të Manastirit dhe për krijimin e një ortografie dhe gjuhe të shkruar të njësuar. Nëpunësit shqiptarë të përzgjedhur nën mbikëqyrjen e Kral-it, dhanë prova dhe e ruajtën postin e tyre edhe në qeveritë që pasuan. Sistemi administrativ i krijuar atëkohë mbeti baza e administratës shqiptare deri në periudhën midis dy luftrave botërore. Në qoftë se marrim në konsideratë të gjitha këto merita, atëherë mund të kuptojmë se përse qysh më 1913 Kral mori nga perandori Franz Josef dekoratën e mirënjohjes më të lartë dhe përse ai më 1917 u ngrit nga perandori Karl në rangun e kalorësisë.[74]
Në rrjetin e miqve dhe njohjeve të Kral-it, që me kohë u bë më i madh dhe më i dendur për shkak të aktiviteteve të tija të ndryshme, mund të llogarisim ndër të tjerë Nopcsa-n, Lambertz-in, Patsch-in, Veith-in, Praschniker-in dhe Clanner-in. Me Kwiatkowski-n, konkurrentin e tij për të pasuar Ippen-in si konsull të përgjithshëm në Shkodër, kuptohet vetiu se Kral nuk donte të kishte marrëdhënie. Të favorizuarit e tij ndër aktorët austrofilë ishin ndër të tjerë Faik Konica, Myfit Libohova, Lazër Mjeda dhe Mehdi Frashëri. Lojën me dy fytyra të Doçit ai e kuptoi relativisht shpejt dhe nga Jak Serreqi u distancua gjithashtu shpejt. Me Pekmezin, mbi të cilin Rappaport kishte shumë ndikim, ai pati lidhje të mira deri në momentin e mosmarrëveshjes lidhur me drejtimin e Komisisë Letrare në Shkodër në vitet 1916-1917. Clanner qe për Kral-in një hallkë e rëndësishme ndërlidhëse me fushën ushtarake, me aktorët kryesorë të së cilës komisari civil gjatë periudhës së administratës ushtarake austro-hungareze ishte në gjendje lufte të vazhdueshme. Megjithëse Kral nuk bëri aspak pjesë në klikën e Rappaport-it, me disa anëtarë të së cilës nuk kishte marrëdhënie të mira, në literaturë dhe në dosjet ministeriale nuk mund të gjendet asnjë tregues se Kral dhe Rappaport kanë qenë të armiqësuar me njëri-tjetrin. Përkundrazi: me siguri që nga viti 1916, por ndoshta edhe më herët, ata i flisnin njëri-tjetrit me “ti” dhe ka të ngjarë të kishin madje lidhje miqësore, duke formuar kështu së bashku boshtin kryesor – Rappaport në Austro-Hungari, Kral në Shqipëri – të ekspertizës më të lartë lidhur me çështjet shqiptare.
[1] Austrian Science Fund (FWF), projectnr. P26437–G15; mbi këtë shih më hollësishëm Kurt Gostentschnigg, Karl Kaser, “Albanologjia austro–hungareze 1867–1918 – një rast i imperializmit kulturor?”, në: Hylli i Dritës, 1–2 (279–280), Shkodër, 2014, f. 3–26.
[2] Këtej e tutje do të përdoret termi i mirënjohur në gjermanisht “Ballhausplatz“, që i referohet institucionit të Ministrisë së Jashtme austro-hungareze në Vjenë.
[3] Burri është koka e familjes, gruaja qafa. Me fjalë të tjera: Burri bën atë që i thotë gruaja, e cila për rrjedhojë – pa rënë në sy së jashtmi – e drejton burrin në të vërtetë. Kjo gjë zë fill në kohën patriarkale, përpara fillimit të emancipimit të gruas shqiptare, kur marrëdhënia ndërgjinore ende shihej si një luftë për pushtet.
[4] Mbi të dhënat biografike të Kral-it shih Haus-, Hof- und Staatsarchiv Wien (më tej: HHStA), Archivbefehl XIX/84, NL Kral, K 5; Robert Elsie, A Biographical Dictionary of Albanian History, London: I. B. Tauris, 2013, f. 255.
[5] HHStA, AR, F 27, K 35, Raport nr. 122 i konsullit Kral dërguar nga Shkodra për ministrin e Jashtëm, Aehrenthal, Shkodër, 9.11.1908.
[6] Po aty.
[7] Bëhet fjalë për alfabetin e Sami Frashërit.
[8] HHStA, AR, F 27, K 35, Raport nr. 122 i konsullit Kral dërguar nga Shkodra për ministrin e Jashtëm, Aehrenthal, Shkodër, 9.11.1908.
[9] Po aty.
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Po aty.
[14] Po aty.
[15] Po aty.
[16] Po aty.
[17] Për këtë shih më detajuar: Robert Schwanke, “Österreich–Ungarn und der albanische Sprachkongress zu Manastir (Bitola) im Jahre 1908“, në: Gjurmime albanologjike 8, 1, Prishtinë: 1969, f. 58–76; Stavro Skendi, The Albanian National Awakening 1878–1912, Princeton: Princeton University Press, 1967, f. 366–390.
[18] HHStA, AR, F 27, K 35, Kral në Shkodër drejtuar ministrit të Jashtëm Aehrenthal, Shkodër, 20.9.1909.
[19] Me këtë kuptohet kriza diplomatike në Europë, që pasoi me aneksimin e krahinave të Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria më 1908, që sipas së drejtës ndërkombëtare deri atëherë kishin qenë pjesë e Perandorisë Osmane.
[20] HHStA, AR, F 27, K 35, Kral në Shkodër drejtuar ministrit të Jashtëm Aehrenthal, Shkodër, 20.9.1909.
[21] Peter Bartl, Albanien. Vom Mittelalter bis zur Gegenwart, Regensburg: Pustet, 1995, f. 117.
[22] HHStA, AR, F 27, K 35, Kral nga Shkodra drejtuar ministrit të jashtëm Aehrenthal, Shkodër, 20.9.1909.
[23] Gert Robel, Franz Baron Nopcsa und Albanien, Wiesbaden: Harrassowitz, 1966, f. 69.
[24] Po aty, f. 66.
[25] Për këtë shih më detajuar: Hanns Christian Löhr, Die Gründung Albaniens. Wilhelm zu Wied und die Balkan–Diplomatie der Großmächte 1912–1914. Frankfurt/Main: Lang, 2010, f. 210–223; Marenglen Verli, “Fillimi i rebelimit në Shqipërinë e Mesme në optikën e diplomacisë austro–hungareze”, në: Studime Historike 50, 3–4, Tiranë: 2013, f. 223–234; Hasan Bello, “Ndërhyrja politike e Fuqive të Mëdha dhe e shteteve ballkanike në fazën e parë të Kryengritjes në Shqipërinë e Mesme (maj–shtator 1914)”, në: Studime Historike 51, 3–4, Tiranë: 2014, f. 85–109.
[26] Robert Elsie, Leo Freundlich: Die Albanische Korrespondenz: Agenturmeldungen aus Krisenzeiten (Juni 1913 bis August 1914), München: Oldenbourg, 2012, f. 450.
[27] Kriegsarchiv Wien (më tej: KA), Nachlässe und Sammlungen, B 617, Nachlass Heinrich Clanner Ritter von Engelshofen, K 859, Nr. 1. Clanner: Periudha e mbretërisë së re të Shqipërisë nën qeverisjen e Princit Wilhelm zu Wied. Nga prilli 1914 deri në shpërthimin e luftës, sipas shënimeve në ditarin e nënkolonelit von Clanner–Engelshofen. 69 faqe.
[28] Mbi këtë shih: HHStA, PA I, K 936, Liasse Krieg 17–18, 1914–1915; Robert Elsie, Reisen in den Balkan. Die Lebenserinnerungen des Franz Baron Nopcsa, Peja: Dukagjini, 2001, f. 423–441.
[29] HHStA, PA I, K 936, Liasse Krieg 17–18, 1914–1915, Ministria e Jashtme (gjerm.: Ministerium des Äußeren; më tej: MdÄ) drejtuar zyrës së evidencës, 29.7.1914.
[30] HHStA, PA I, K 936, Liasse Krieg 17–18, 1914–1915, MdÄ drejtuar Löwenthal-it në Durrës, 29.8.1914.
[31] HHStA, PA I, K 936, Liasse Krieg 17–18, 1914–1915, Halla në Shkodër drejtuar MdÄ, 26.9.1914.
[32] HHStA, PA I, K 936, Liasse Krieg 17–18, 1914–1915, Kral në Vjenë drejtuar MdÄ, 16.11.1914.
[33] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–3 Literatur: Komisia Letrare, Letër private e Kral-it drejtuar Rappaport-it, 5.9.1916.
[34] Mariano San Nicolo, Die Verwaltung Albaniens durch die k. u. k. österreichisch–ungarischen Truppen in den ersten zwei Jahren der Besetzung des Landes an der Hand der ergangenen Befehle. Zum Amtsgebrauch bearbeitete Sammlung der vom Höchsten Kommando in Albanien erlassenen Verordnungen normativen Charakters, Wien: Kriegsministerium, 1918, f. 248.
[35] Laimet e Komisis Letrare Shqipe, Shkodra, 1918, f. 2.
[36] Robert Schwanke, “Österreich–Ungarns Beitrag zur Gestaltung der albanischen Schriftsprache“, në: Akten des internationalen Kolloquiums Innsbruck 1972 zum Gedächtnis an Norbert Jokl, Innsbruck: Institut für Sprachwissenschaft, 1977, f. 717.
[37] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–3 Literatur: komisia letrare, Präs. Nr. 1165, Letër private e Kral-it drejtuar Rappaport-it, 16.12.1916.
[38] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–3 Literatur: Literarische Kommission, Präs. Nr. 1165, Letër private e Kral-it drejtuar Rappaport-it, 16.12.1916.
[39] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–3 Literatur: Literarische Kommission, Kral nga Shkodra drejtuar Ministrisë së Jashtme, 20.10.1917, lidhur me ortografinë shqipe, komisinë letrare shqipe dhe dorëheqjen e Pekmezit.
[40] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari (1916–1918), K 10–5 Affäre Pekmezi.
[41] HHStA, MdÄ, AR, F 74/3, Nr. 67433/8, 12.7.1917.
[42] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 309, 8.4.1918, Raport politik i Kral-it drejtuar ministrit të Jashtëm Czernin, 23.3.1918.
[43] Camillo Praschniker, Muzakhia und Malakastra. Archäologische Untersuchungen in Mittelalbanien, Wien: Hölder, 1920, Vorwort, Sp. 7 v..
[44] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 187, 2.3.1918, Raport i Hofrat C. Patsch më 16.12.1917 lidhur me udhëtimin studimor të tij në Shqipëri në vjeshtë 1917.
[45] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 187, 2.3.1918, Shkresë e MdÄ drejtuar Kral-it në Shkodër, 22.2.1918.
[46] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 309, 8.4.1918, Raport politik i Kral-it drejtuar ministrit të Jashtëm Czernin, 23.3.1918.
[47] Po aty.
[48] Bayerisches Hauptstaatsarchiv (më tej: BHStA), BSOI, Nachlass Patsch, K 6, AE 284: Letër nga Georg Veith drejtuar Carl Patsch-it 1910–1918; Letër e datës 15.3.1918, aneksi 2, shkresë e Veith-it drejtuar komandës së korpusit të 19-të, 25.2.1918, ad Depesche nr. 3240 e datës 22.2.1918.
[49] BHStA, BSOI, Nachlass Patsch, K 5, AE 278: letër nga Praschniker drejtuar Patsch-it, 1913 dhe 1918, Letra nga Shqipëria e datës 6.6.1918.
[50] Mbi këtë shih: Nathalie Clayer, “Carl Patsch et le Musée national de Tirana (1922-1925)“, në: Revue germanique internationale, 16, 2012, f. 91-104.
[51] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918.
[52] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 3: letër sekrete e Rappaport-it nga Vjena drejtuar komisarit civil Kral në Shkodër, 20.10.1917.
[53] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Telegram i shefit të shtabit të përgjithshëm Arz drejtuar ministrit të Jashtëm Burián, 22.4.1918.
[54] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Telegram i koduar i Kral-it nga Shkodra drejtuar Burián-it, 24.4.1918.
[55] Paritet = barazi.
[56] Emri i parë nuk është dhënë dhe nuk është gjetur.
[57] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Telegram i koduar i Kral-it nga Shkodra drejtuar Burián-it, 1.5.1918.
[58] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Telegram i koduar i Burián-it drejtuar Kral-it, 4.5.1918.
[59] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Shkresë e Burián-it drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm Arz, 10.5.1918.
[60] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Telegram i koduar i Burián-it drejtuar Kral-it, 23.6.1918.
[61] Emri i parë nuk është dhënë dhe nuk është gjetur.
[62] Emri i parë nuk është dhënë dhe nuk është gjetur.
[63] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Telegram i Kral-it drejtuar Burián-it, 27.6.1918.
[64] Emri i parë nuk është dhënë dhe nuk është gjetur.
[65] HHStA, MdÄ, SB, Nachlass Kral, K 2: konflikt me ushtarakët 1918, Notë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm Arz drejtuar C. Trauttmannsdorff-it, përfaqësues i MdÄ në Shtatmadhori, 7.7.1918.
[66] R. Elsie, A Biographical Dictionary of Albanian History, f. 255.
[67] HHStA, Archivbefehl XIX/84, NL Kral, K 5.
[68] Po aty.
[69] Robert Elsie, Freundlich: Albanische Korrespondenz, vëll. 3, PDF–Download Elsie–Homepage, Lajm i datës 1.5.1917.
[70] R. Elsie, Leo Freundlich: Die Albanische Korrespondenz: Agenturmeldungen aus Krisenzeiten (Juni 1913 bis August 1914), f. 454.
[71] KA, Nachlässe und Sammlungen, B 617, Nachlass Heinrich Clanner Ritter von Engelshofen, K 859, Nr. 1. Clanner: Periudha e mbretërisë së re të Shqipërisë nën qeverisjen e princit Wilhelm zu Wied. Nga prilli 1914 deri në shpërthimin e luftës sipas shënimeve në ditarin e nënkolonelit von Clanner–Engelshofen, f. 5.
[72] Po aty, f. 46–48.
[73] HHStA, Archivbefehl XIX/84, NL Kral, K 5.
[74] R. Elsie, Freundlich: Albanische Korrespondenz, vëll. 3, lajm i datës 1.5.1917.