Auditori ngre dyshime për ushqimin që hanë qytetarët e Kosovës - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

23/01/2020 15:26

Auditori ngre dyshime për ushqimin që hanë qytetarët e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

23/01/2020 15:26

Për mishin që konsumojnë qytetarët e Kosovës  janë bërë qindra raportime, janë ngritur dyshime të shumta e janë arrestuar edhe njerëz. Por, dyshimi se çfarë mishi hanë kosovaret vazhdon të jetë temë diskutimi ende. Madje ditë më parë  dolën dëshmi se qytetareve të Kosovës u servohet dhe mish i kalit si suxhuk.

E, përkundër kësaj mish me sasi të madhe po vazhdon të futet në Kosovë. Me cilësi të dyshimtë po vlerësohet edhe buka e mielli që konsumojnë qytetarët e Kosovës.

Vlerësohet se furrat po manipulojnë me aditivët dhe higjienën e bukës. Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë një raport dhe hetim për këto produkte, për të cilat edhe ka ngritur dyshime të mëdha. 

“Siguria e Ushqimit, rast studimi: Produktet e mishit dhe të grurit”, kështu quhet raporti që ka nxjerrë në pah cilësinë e dy produkteve që konsumohen më së shumti nga qytetarët e Kosovës.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës ka bërë një hetim dhe hulumtim gjatë vitit 2019 për mishin dhe grurin që hynë në Kosovë dhe që konsumohet nga qytetarët.

ZKA në këtë raport ka nxjerr konkluzione se këto dy produkte nuk kontrollohen mirë gjatë importimit por edhe gjatë shitjes.

“AUV-ja ka rol kyç për të ofruar siguri në ushqim dhe për këtë ka hartuar rregullore, Procedura Standarde të Operimit dhe lista kontrolluese. Megjithatë, ka ende mangësi pasi procedurat e vendosura nuk mbulojnë tërë procesin e sigurisë ushqimore. Po ashtu, edhe procedurat e vendosura nuk janë zbatuar mjaftueshëm për të dhënë siguri se ushqimi në treg është I kontrolluar mjaftueshëm dhe ka siguri për konsumatorin”, thuhet në raport.

Aty tutje bëhët e ditur se një gjendje më e mirë në aspektin e procedurave qëndron në sektorin veterinar, por jo edhe sektorin sanitar dhe fitosanitar. Listat kontrolluese nuk adresojnë plotësisht kërkesat e Ligjit për Ushqim dhe Parimet e HACCP-së.

“Edhe pse AUV-ja kryen numër të madh të kontrolleve në baza vjetore, nuk ka regjistër të plotë për kompanitë në sektorin e ushqimit dhe kjo paraqet mangësi për AUV-në për mbulimin e tërë tregu e cila mund të rritë rrezikun në ushqim”.

Auditori ka treguar se DShP-ja nuk ka arritur të hartojë plane për të gjithë sektorët, duke e mundësuar sektorit fitosanitar të bëjë vetë plane dhe njëkohësisht të ekzekutojë ato duke krijuar konflikt në mundësinë e planeve sipas vlerësimit të rrezikut.

“Përderisa te furrat planet për dy vjetët e audituara janë të orientuara në periudha specifika pa ndonjë analizë të rrezikut duke krijuar mundësinë te furrat që në periudhat të tjera të manipulojnë me aditivët dhe higjienën e bukës”.

Në këtë raport thuhet se kontrollet nuk janë efektive pasi që listat kontrolluese kanë mungesë të informacioneve dhe kështu rëndësia e tyre është e ulët duke përfunduar pa ndonjë vlerë.

“Për më tepër, këto lista kontrolluese as nuk dorëzohen në DShP nga Drejtoria e Inspektoratit dhe kështu kategorizimi i kompanive dhe kontrolli tyre nuk është i bërë në pajtim me gjendjen reale të tyre. Tërë këtë proces e ka vështirësuar edhe mungesa e një aplikacioni elektronik ku zyrat regjionale të AUV-së do të shkarkonin të gjitha të dhënat për kompanitë dhe DShP-ja do të mund t’i përdorte gjatë hartimit të planeve vjetor duke bërë kategorizimin e kompanive”.

Autitori tregon se pjesë e diagramit janë ushqimet më të konsumueshme në vend.

“Për shembull, për të mbuluar konsumin e mishit, Kosova importon rreth 40,000 ton/vit apo mbi 80% e konsumit të  përgjithshëm, përderisa rreth 20% mbulohet nga prodhimi vendor. Po ashtu, edhe grurë për vitin 2018 janë importuar 101,980 ton apo rreth 95% e nevojave vendore. Këto të dhëna tregojnë se rëndësia e kontrollit të sigurisë për produktet e importuara është mjaft e lartë”.

Rreziku nga tregjet e kafshëve

Zyra Kombëtare e Auditimitka treguar se f”rekuenca e kontrolleve në të gjithë sektorët nuk është bërë në të gjithë muajt e vitit apo në bazë të vlerësimit të rrezikut duke rezultuar me periudha të vitit të pakontrolluara fare.

“Përveç kësaj, tregjet e kafshëve dhe produkteve me prejardhje bimore që nuk kontrollohen mundësojnë shitjen dhe therjen e kafshëve me rrezik të lartë për konsum”.

Më tutje, sipas Auditorit në komuna funksionon tregu i kafshëve dhe tregu i gjelbër apo ato që ofrojnë ushqim të ndryshëm që nuk janë të licencuara.

“Sipas zyrtarëve të AUV, tregjet e kafshëve në vend nuk i plotësojnë kriteret e parapara për tregje por as nuk kontrollohen nga inspektorët e AUV-së apo komunal. Në këto tregje bëhet therja e pa kontrolluar e kafshëve dhe mos kontrolli i tyre nga inspektorët veterinar rrit rrezikun e therjes/shitjes së mishit me sëmundje që mund të barten edhe tek njerëzit”.

Një shqetësim tjetër nga këtë raport është ngritur edhe mënyra e marrjes së mostrave në Pikat Inspektuese Kufitare. Auditori ka treguar se ky proces nuk ofron mjaftueshëm siguri se produktet të cilat hyjnë në treg kontrollohen si duhet dhe sipas procedurave të vendosura.

“AUV-ja nuk ka ndërmarrë veprime adekuate për të siguruar se laboratorët e kontraktuar dorëzojnë rezultatet e analizës në kohë optimale për të ndërmarrë veprime adekuate në pajtim me rezultatin. AUV-ja zbaton Ligjin për Ushqimin lidhur me asgjësimin por gjatë përgatitjes së raporteve AUV-ja nuk specifikon se cila ka qenë arsyeja e asgjësimit të produkteve gjë që shkakton që gjatë planifikimit të kontrolleve për vitin vijues, AUV-ja nuk ka informacione të duhura për planifikim të kontrolleve”.

Dyshime mbi bizneset e ushqimit

Gjatë vitit 2019, AUV-ja ka filluar krijimin e bazës së të dhënave duke regjistruar bizneset që kanë veprimtari në industrinë ushqimore më origjinë shtazore dhe bimore.

“ Nga raportet mujore dhe vjetore të kontrolleve zyrtare nuk mund të kuptohet nëse është arritur të kontrollohet zinxhiri ushqimor pasi që nuk ka listë të plotë të bizneseve që mundëson një verifikim të tillë. Ky proces është vonuar për shkak të mos marrjes së masave në kohë nga AUV dhe si pasojë që nga themelimi i AUV-së e deri në fund të muajit korrik 2019 nuk mund të dihet nëse të gjithë ofruesit e produkteve me origjinë shtazore dhe bimore janë kontrolluar”.

Po ashtu, sipas Auditorit as në komunën e Gjilanit dhe të Vushtrrisë nuk ka ndonjë listë të bizneseve të sektorit të ushqimit që veprojnë në këto komuna.

“Duke marrë parasysh, numrin e madh të bizneseve të vogla në kuadër të komunave dhe numrin e kontrolleve të raportuara brenda vitit 2018 dhe 2019. Në bazë të rregullores për organizim të AUV,16 funksionojnë gjashtë Zyra Regjionale të udhëhequra nga koordinatori i zyrës. Në praktikë koordinatorët nuk janë të përfshirë në hartimin e planeve vjetore apo mujore dhe nuk kërkohet ndonjë informatë nga ta për hartimin e planit vjetor apo mujor për regjionin e caktuar”.

Ndërsa, sic ka treguar Auditori produktet që importohen kalojnë kontrollin e dokumentacionit të nevojshëm dhe në kuadër të saj ka edhe plan për marrjen e mostrës për analizë.

“Në rastet kur analiza del pozitive atëherë malli asgjësohet apo kthehet në vendin e origjinës, kurse e njëjta kompani duhet t’i nënshtrohet marrjes së mostrës për dhjetë kontingjentet e radhës. Ky proces është i organizuar përmes sistemit elektronik. Mirëpo, ky sistem nuk jep mundësinë për të përcjellë dhe të sigurojë se janë marrë mostra për analizë në 10 kontingjentet e radhës. Ajo që ndodhë në rastet kur analiza është pozitive, përmes email-it njoftohen inspektorët por që marr parasyshvolumin e lartëtëimportitështëvështirëtësigurohetnëseështëmarrënumriimostravetëduhura”.

Bashkimi Evropian, në Raportet e Progresit  ka konstatuar se në Kosovë ka pak progres në fushën e sigurisë ushqimore. Pjesë e këtij raporti është paraqitur edhe nevoja për të kompletuar legjislacionin që rregullon fushën e sigurisë së ushqimit. Po ashtu, është theksuar edhe mungesa e planeve afatgjata të kontrolleve për sigurinë e ushqimit.

Shoqata për mbrojtjen e konsumatorit dhe mediat në vazhdimësi kanë raportuar për mungesë të sigurisë në ushqim. Rastet e asgjësimit të ushqimit japin sinjale se ushqimi në treg nuk është aq i sigurt dhe nuk është i kontrolluar në tërësi. /Monitor.al/