Aubameyangu ia jep dritën e gjelbër Barcelonës - Gazeta Express

Aubameyangu ia jep dritën e gjelbër Barcelonës

Sport

Gazeta Express

23/01/2020 12:44

Sulmuesi i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, i ka thënë Barcelonës se ësshtë i gatshëm të largohet nga skuadra e Topçinjve, sipas disa mediumeve spanjolle.

Pierre-Emerick Aubameyang e kryeson listën e lojtarëve që Barcelona po i kërkon këtë muaj, në kërkim të një zëvendësuesi për Luis Suarezin, i cili pritet të mungojë për katër muaj shkaku i një lëndimi të gjurit, transmeton Gazeta Express.

Aubameyangu do ta ketë vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Arsenalin në fund të këtij sezoni dhe 30-vjeçari nuk ka arritur ende marrëveshje me klubin londinez për ta rinovuar kontratën.

Mundo Deportivo raporton se Aubameyangu dëshiron të largohet nga Arsenali, pasi që synon të fitojë trofe të mëdha dhe beson se një gjë të tillë s’do të mundë ta arrijë me londinezët. Në anën tjetër, klubi ende shpreson se sulmuesi do të nënshkruajë kontratë të re.

Barcelona beson se do të jetë në gjendje ta sigurojë transferimin e Aubameyangut nëse futbollisti, i cili aktualisht është kapiten i skuadrës, do të tentojë ta detyrojë klubin ta shesë atë në Camp Nou.

Megjithatë, Arsenalit i duhet Aubameyangu në luftën për t’u ngritur në tabelë dhe për t’u radhitur në mesin e top katërshes së Anglisë, me qëllim për t’u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Artetas  momentalisht radhitet në pozitën e dhjetë në tabelën e Premierligës dhe është dhjetë pikë prapa Chelseat në tabelë. Kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve mund ta sigurojë edhe përmes triumfit në Ligën e Evropës. /Gazeta Express/