Dritarja e madhe e merkatos së verës për Atletico Madridin mund të përfshijë edhe një lëvizje të fundit para fillimit të sezonit 2025/26.
Diego Simeone është pajisur me një buxhet të madh transferimesh nga drejtuesit e klubit, teksa synon të ndërtojë një skuadër që do të sfidojë seriozisht Barcelonën dhe Real Madridin në muajt në vijim.
Los Rojiblancos përfunduan në vendin e tretë në La Liga sezonin e kaluar – hera e tetë që e përfundojnë pas dyshes “El Clasico” nën drejtimin e Simeones – dhe kapiteni Koke u ka bërë thirrje lojtarëve të rinj të ndryshojnë këtë realitet në vitin 2026.
Simeone ka shpenzuar tashmë rreth 155 milionë euro për tetë përforcime këtë verë, ndërsa vetëm 16 milionë janë arkëtuar nga largimet e Rodrigo Riquelme dhe Angel Correa.
Mbrojtësit Marc Pubill dhe David Hancko janë përforcimet më të fundit në repartin defensiv, ndërsa në mesfushë janë afruar tre emra të rinj – Alex Baena, Thiago Almada dhe Johnny Cardoso – me një kosto të përgjithshme prej 93 milionë eurosh.
Huazimi i Rodrigo De Paul te Inter Miami mund të sjellë edhe 15 milionë euro të tjera në fund të vitit 2025, nëse skuadra e MLS aktivizon klauzolën e blerjes për argjentinasin.
Mbrojtësi italian Matteo Ruggeri ka ardhur nga Atalanta, ndërsa Clement Lenglet dhe Juan Musso, të cilët ishin më parë të huazuar, janë transferuar përfundimisht te skuadra madrilene.
Edhe pse Simeone nuk është i njohur për shpenzime të mëdha në merkato, këtë verë ai është në një formë të jashtëzakonshme, dhe përforcimi i nëntë mund të jetë mesfushori i Stuttgartit, Enzo Millot.
Raportimet nga Mundo Deportivo tregojnë se skuadra gjermane i ka dhënë leje lojtarit të mos marrë pjesë në miqësoren ndaj Celta Vigos për të finalizuar detajet e fundit të transferimit në Madrid.
Atletico Madrid do të paguajë klauzolën e lirimit prej 20 milionë eurosh për 23-vjeçarin, i cili realizoi 12 gola në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar – dyfishi i atyre që kishte shënuar në ndonjë sezon të mëparshëm.
Atletico e nis fushatën përgatitore më 3 gusht ndaj Portos, ndërsa sezoni i La Ligas për Simeonen nis më 17 gusht në transfertë ndaj Espanyolit./GazetaExpress/