Departamenti sportiv i Atlético Madridit ka nisur tashmë punën për të identifikuar objektivat për afatin kalimtar të verës.
Ka plane për të përforcuar disa pozita në skuadrën e Diego Simeones, ndërsa një nga më urgjentet është reparti i sulmit.
Në këtë pikë pothuajse merret si e sigurt që Antoine Griezmann do të largohet nga Atleti në fund të sezonit, me Orlando Cityn që konsiderohet favorit për ta transferuar nga vera.
Edhe Alexander Sørlothi është lidhur me një largim të mundshëm, çka do të linte vetëm Julián Álvarezin dhe Ademola Lookmanin si sulmuesit e vetëm të mirëfilltë në skuadër.
Duke parashikuar veçanërisht largimin e Griezmann, drejtuesit e Atleticos kanë identifikuar Lee Kang-in si zëvendësuesin ideal.
Futbollisti i Koresë së Jugut ka pasur vështirësi të sigurojë vend titullari te Paris Saint-Germaini, prandaj drejtuesit e klubit madrilen besojnë se ai mund të tundohet të rikthehet në futbollin spanjoll, ku më parë ka luajtur për Valencian dhe Mallorcan.
Sipas “Sky Sports” (përmes “ED”), zyrtarët e Atleticos janë takuar ditët e fundit me përfaqësuesit e Lee për t’u prezantuar planet për një transferim të mundshëm gjatë verës.
25-vjeçari është i vetëdijshëm se një kalim në “Riyadh Air Metropolitano” mund të ndodhë këtë verë, edhe pse marrëveshja nuk pritet të jetë e lehtë.
Sipas raportimit, PSG-ja po punon për t’i ofruar Lee një kontratë të re, e cila nëse firmoset do ta përjashtonte mundësinë e transferimit tek Atletico.
Nëse kjo nuk ndodh, kampionët në fuqi të Europës janë të gatshëm ta lejojnë largimin e tij nëse marrin një ofertë rreth 40 milionë euro.
Kjo shumë mund të jetë e lartë për Atleticon, megjithëse klubi pagoi një shifër të ngjashme për të transferuar Lookman nga Atalanta gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Për momentin mbetet për t’u parë nëse klubi madrilen do ta rrisë interesimin për Lee ndërsa afrohet vera./GazetaExpress/