Barcelona pritet të vazhdojë me shitjen e lojtarëve këtë verë për të arritur të rikthehet në rregullin 1:1 të La Liga-s – gjë që do t’i ndihmonte gjithashtu të regjistrojnë disa lojtarë të ekipit të parë, përfshirë Joan Garcia, Ëojciech Szczesny dhe Marcus Rashford.
Emra si Marc-André ter Stegen dhe Andreas Christensen konsiderohen si kandidatët kryesorë për t’u larguar, por aktualisht nuk pritet që asnjëri prej tyre të largohet. Në vend të tyre, janë shfaqur opsione të tjera dhe njëri prej tyre është Marc Casado.
Barcelona e vlerëson Casado-n me 30 milionë euro dhe besohet se shitja e tij do t’i mundësonte klubit regjistrimin e Garcias, Szczesny-t dhe Rashford-it në La Liga. Disa klube të Premier League janë lidhur me lojtarin, ndërsa sipas Sport, edhe Atletico Madrid është e interesuar për të nënshkruar me mesfushorin mbrojtës 21-vjeçar.
Diego Simeone është një admirues i madh i Casado-s dhe pas largimit të Rodrigo De Paul drejt Inter Miami, ekziston mundësia që Atletico të sjellë një mesfushor tjetër qendror, pasi më herët këtë verë kanë nënshkruar me Johnny Cardoso nga Real Betis.
Tema e largimit të mundshëm të Casado-s ka shkaktuar shumë debat brenda Barcelonës, me mendime të ndara. Shitja e tij padyshim do ta ndihmonte klubin të lehtësonte problemet financiare, por njëkohësisht do të humbnin një lojtar që mund të ishte pjesë e skuadrës për më shumë se një dekadë.
Nuk ka dyshim se Casado do të ishte një përforcim fantastik për Atletico Madrid, duke vazhduar fokusin e tyre në afrimin e lojtarëve të rinj për ekipin e Simeone-s. Në të njëjtën kohë, kjo do të dobësonte opsionet e Barcelonës në mesfushë, edhe pse mesfushori i kombëtares së të rinjve të Spanjës nuk është planifikuar të jetë titullar i rregullt gjatë sezonit 2024-25. Për momentin, mbetet për t’u parë nëse do të ketë lëvizje konkrete në këtë drejtim./GazetaExpress/