Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t - Gazeta Express
string(34) "atentati-permanent-ndaj-fuqise-4-t"

OP/ED

Gazeta Express

21/04/2021 11:56

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

OP/ED

Gazeta Express

21/04/2021 11:56

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a duhet të hetohen gazetarët iu përgjigjën 83.6% e pjesëmarrësve me po! Pyetjebërësja funksionon de facto qëmoti si organ i partisë në pushtet. Führeri dhe Gëbelsi tash janë, çka mungojnë tash janë vetëm ligjet. Çka nëse pushtetet shqiptare ia dalin – siç pati suksese Vuçiç në Serbi – tu bëjnë atentat, t’i eliminojnë ose fusin nën kontroll total mediat e lira të vendit?  

Xhemal Ahmeti 

Lexo Edhe:

Ka media që shpifin. Shumica e tyre kanë joprofesionalitetin flamur. Plotë prej tyre janë shkaktare të degradimit të diskursit publik në _vanity fair_ ligjërimesh mizogjine, fashiste hoxhallarësh, të llojit që si bioelementë jetojnë në Republikën postmoderne (sipas dokumenteve konstitutive të saja) të Kosovës e me frymë e vepër janë corpus mīlitāris-e polit-sistemesh të tipave tjerë, kryesisht atyre tiranike të Orientit, Azisë dhe Afrikës. Për më keq ato viteve të fundit kanë promovuar e afirmuar një kategori degjeneratorësh publikë, një «askeri» «analist/esh», autor/esh që keqpërdorën ato për tu ngjitur shkallëve të pushtetit dhe vetërealizimit egocentrik.

Me këto sjellje ato janë bërë përgjegjës direkt anomalish e dukurish lirivrasëse.

Duke u bërë mjet propagande, njerëzish, grykës/ish, prepotent/ësh e rrymash të ndryshme joliberale ato sot s’duhet të ankohen pse plotë sulmin ndaj tyre e interpretojnë si boomerang të natyrshëm konform atij proverbit popullor «ç’a do mbjellësh atë do korrësh». Edhe pse situata është shumë më serioze se vetëm proverbiale.  

Ata që kërkojnë ngufatjen e mediave nuk e bëjnë vetëm të prirë nga hakmarrja personale, ngase kërkojnë jo zhdukjen por futjen e tyre nën kontrollin e «partisë», kategorisë, e cila beson se tash e së paku për 8-vjet mund të bëjë çka e si t’ia dojë.

Turmat i ka dosido. Edhe në të ashtuquajturat falanga semialfabete, të cilat disponojnë me aq shkollë sa për ta bërë shtabin pervers të agjitacionit dhe apologjisë mund të llogaris pushteti deri në apokalipsë.

Nën këtë rrotë të padinjitetshme – e tillë ngase në kushte robërie deklaronin të luftojnë për liri fjale e jete dhe pluralizëm – janë futur plotë veprimtarë, mësues, emigrant (a)social e veçanërisht të llojit që besojnë se po të mos ishin pellazg do ishin bërë perëndimit e lindjes ministra.

Plotë nga këta janë të pensionuar (për shkak të problemeve në kurriz apo ndryshe) dhe kanë gjithë kohën e botës për të thurur këngë e statuse. Ndonjë kozmologji specifike ndoshta mund ta di se kushedi çka presin: rritje të rrogës, pozita, hyrje në kastën e «këshilltarëve» me honorar? Sa për lirinë,  sa për «Kosovën shtet si Zvicra» (as që u ha për këtë punë, vetëm poza bëjnë, ngase me monizëm s’bëhet kurrë) mund t’i shesin kopalla dikujt tjetër e jo kosovarit aty. 

Shumica absolute e këtyre aktivistëve nga jashtë e nga brenda kanë nisur të jetojnë politikisht pas vitit 2008. E këta këndej, këta të emigracionit jetojnë shoqërive ku liria vetëm mund të ta monotonizojë jetën e jo të të bëjë ta kërkosh atë.  

Gjithë këta i kanë hy luftës për ta shkapur shtetin. Dhe siç duket duke ia shkoqur atij edhe atë copë që i ka mbetur para grahmës – t’ia pushtojnë mediat e lira.

Mundësisht ato të udhëhiqen nga ndonjë konsorcium afin për raporte të mira me diktatura, një nga ata që pyet turmat se a duhet të hetohen gazetarët dhe këta me një shumicë prej 83.6 % thonë po gëbelsa të dashur, patjetër!

Pa një Kalë Troje asnjë luftë nuk duket e përkryer.

Domethënë dhe në fakt gjithë këta së bashku, prepotentë, hoxhallarë bashkë me pushtetin, me fuqinë e tyre «absolute» tentojnë të deformojnë sistemin politik të vendit; tentojnë të drynosin lirinë e shprehjes mediale dhe tentojnë ta shpronësojnë pa ligj, pa proces dhe pa marrë vesh kush (prandaj përpjekja për t’i heshtur mediat) e në favor të kontos së tyre bankare çdonjërin që nuk pranon të jetoj në sistemin ku prona private është e rezervuar vetëm për komisarët e pushtetit – hallat, dajat, dashnor/et e tyre inkluzive dhe për askënd tjetër.  

MEDIAT SI FABRIKË ANOMALISH – Gjitha këto që listuam më lartë pra i kanë bërë mediat. Edhe këto kategoritë që mbajnë «ders» apologjik në emër të lirisë i kanë afirmuat ato – mediat.

Këto janë gabimet që ato s’kanë pse i relativizojnë. Pa këto nuk do ishin të mundshëm as Albin Kurti, as Edi Rama, as Shefqet Krasniqi, as Sami Kurteshi, as Vjosa Osmani, as Ikballe Berisha dhe do ishin shumë më pak viktima të përhumbur luftërave të IS-isit se sa që numërojmë sot. Përveç gabimeve a prodhojnë ato edhe diçka që mund ta kualifikojmë si pozitive? 

MEDIAT SI SHPËTUESE TË DEMOKRACISË – Nga ana tjetër, janë po këto media që ndalën në embrion shumë procese të dëmshme për vendin. Procese, të cilat po mos të ndaleshin,  shikuar tash nga një qasje më objektive post eventum do të ishin fatale për Kosovën.

Po të mos ishin mediat me ulërimën dhe intervenimin konkret ambasadave ndoshta sot copëtimi i Kosovës në mënyrë jotransparente do të ishte normalitet që pritet sa më shpejtë ose që do kishte ndodhur. Po të mos ishin këto media SHBA-të dhe Britanikët, të cilët gabimisht i dolën anash BE-së në formimin e gjykatës, do ta kishin braktisur centrifugën e albanosferave qëmoti; po të mos ishin këto Edi Rama për inat të evropianëve moti do ta kishte shpallur Shqipërinë krahinë zyrtare të shtetit turk; po të mos ishin mediat LVV as që kishte marrë pushtetin ndonjëherë ngase e kishin lënë pa anëtarë, pa fonde (me ligjet kundër paralarjes ngase ngritja e saj është financuar jo nga «sadakatë» e «Jetimëve të Ballkanit») dhe nuk do ta pësonte vetëm Astrit Dehari, por edhe vetë lideri i tyre, të cilin mund ta fshinin më së bukuri kur kërkonte përmbysjen e shtetit, praktikonte dhunën rrugëve dhe sulmonte edhe fizikisht personelin e ambasadave të sponsorëve kryesorë të pavarësisë së shtetit ku demonstronte.  

Nëse do heshtnin mediat ditëve të fundit, ndoshta Kosova do ta merrte ndonjë vaksinë për lëmoshë pasi t’i kishin vdekur më shumë se gjysma e popullatës. Vendi nuk do binte 7 shkallë poshtë në rankingun që masin lirinë e medias, por rankuesit s’do të kishin as burime për ta marrë vesh këtë gjë. Ka nisur me RTK-në shohim se ku del e gjitha.

Pa intervenimin e mediave Gjermania do të kërkonte llogari për akuzat e rënda për gjenocidin e paqenë dhe Serbia do pezullonte postin e ministrit të jashtëm dhe do kthente Gjuriçin nga Washington-i sërish në Mitrovicë – ndoshta! Dhe plotë të tjera si këto. 

ATENTATI DHE REZISTENCA – Kjo ekspeditë ferrave të xhunglës interne të mediave shqiptare, nga njëra anë na shpërfaq fiziologjinë e funksionimit jo gjithaq konsekuent të mediave, nga ana tjetër mirëpo shpërfik sulmet e atyre që me qëllim dhe detyrë luftojnë për difamimin dhe ngufatjen e tyre. Me gjitha gabimet (P.sh: diktimi i politikave redaktuese nga volumi i reklamave dhe investimit të grupeve në to) mediat kosovare janë të vetmet në rajon që më së miri luajnë rolin e fuqisë së katërt- ende luajnë atë rol! Ndoshta kjo është e mundshme ngase ato funksionojnë si në xhungël (për shkak të mungesë së ligjeve rreth cilësisë, transparencës dhe përgjegjësisë në kualitet gjuhësor etj.), ndoshta kjo është e mundshme ngase brenda kësaj xhungle ka edhe media serioze që politikisht mbeten të pavarura për shkak të burimeve nga google, facebook e Co.  

Megjithatë bilanci i ekzistencës së tyre është pozitiv.  Ato kanë shpëtuar vendin, demokracinë, rendin shumë më shpesh e kanë sjellë edhe anomali, të cilat e kanë për detyrë t’i heqin vetë.

Ato duhet të mendojnë thellë për qasjen e tyre ndaj fenomeneve dhe profesionit. Me këtë do të bëheshin edhe më të forta. Me këtë do të bëheshin edhe më të pathyeshme. Me këtë do ta garantonin jetën e këtij sistemi politik dhe lirinë e tyre shumë më bindshëm.  

Një vend si Kosova apo Shqipëria me media të kapura si në Serbi, Turqi e Hungari sora e qëmoti do të rezultonte ne luftë civile – ndoshta jo klasike, frontale, por diversante dhe shumë më të egër.  

Liria e mediave private dhe publike, paprekshmëria e tyre ishte dhe është fati i Kosovës që ende nuk është bërë satelite fuqish destruktive apo tavolinë ku tiranitë lindore bashkë me shërbimet e fshehta perëndimore do ta bën obduksionet e kadavrave të tyre të sjella nga Mitrovica apo fronte tjera të globit.  

Atentati1 (1) i radhës ndaj mediave duket sikur dështoi. Sa i fuqishëm do të jetë pasuesi, kur shihet se turmat e armiqësuara me ta e kanë një komandant me shumë pushtet, pritet të shihet? Një gjë është e qartë: vektorët e publicistikës shqiptare me qasje në rrjetet globale jo vetëm se duhet të jenë vigjilent, por edhe duhet të ndërtojnë planet e tyre operative në mbrojtje të lirisë së mediave dhe sistemit politik në Kosovë – pra jo vetëm atë të mediave! 

_________________________ 

(1) Atentati si term ka dy kuptime bazike: nënkupton përpjekjen e x-it për ta ekzeketuar y-in dhe shpreh poashtu ekzekutimin e x-it me motive politike. Eo ipso perceptohet si tentim dhe si akt i kryer. Atentati mund të jetë simbolik (ideor) ose konkret (fizik). Atentati pra mund të përdoret edhe si proces për të përshkruar tentimin e vazhdueshëm të dikujt për ta vrarë dikë për shkaqe politike.