Atentati në Veri, as pas dy vjetësh s’kapen ekzekutorët e Oliverit - Gazeta Express
string(66) "atentati-ne-veri-as-pas-dy-vjetesh-skapen-ekzekutoret-e-oliverittt"

Atentati në Veri, as pas dy vjetësh s’kapen ekzekutorët e Oliverit

Gentiana Hasani

16/01/2020 15:53

Më 16 janar të vitit 2018, ish-politikani serb Oliver Ivanoviq, kishte nisur një ditë të zakonshme pune. Por, ai u vra në hyrje të zyrës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Personi kryesor i cili shtiu mbi të ende nuk është kapur nga organet e hetuesisë kosovare. E për vrasjen e cila tronditi Kosovën e Serbinë tashmë është ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të cilët besohen se kanë ndihmuar në forma të ndryshme në procesin e vrasjes së Ivanoviqit. Express më poshtë ju sjell kronologjinë për vrasjen e ish-politikanit serb, si dhe deklaratat e dëshmitarëve të cilët thonë se këtë akt e kryen ‘Mjekroshët” të cilët besohet se veprojnë tash e një kohë në veriun e Kosovës.

Gentiana HASANI

Lexo Edhe:

Me gjashtë plumba u qëllua për vdekje në mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018, ish-politikani serb Oliver Ivanoviq para selisë së tij në Veriun e Mitrovicës. Vetura që u përdor nga atentatorët u dogj dhe u la me kokë të kthyer në drejtim të pjesës jugore. Por ekzekutori kryesor i këtij krimi ende nuk është vënë në pranga. Ani se i gjithë skenari për vrasjen e Ivanoviqit dyshohet se u inskenua me direktivat e “peshkut të madh”, Milan Rajdojciqit.

Hetimet tash e dy vjet për ta zbardhur këtë rast kanë nisur të dy palët, ajo e Kosovës si dhe e Serbisë, përderisa nuk munguan edhe përplasjet politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Vetëm pak kohë më vonë vetë Vuçiq dhe vartësit e tij ishin kujdesur që gruan e Oliver Ivanoviqit ta punësojnë në Qeverinë serbe. Politikani i ndjerë serb që ishte pjesë e institucioneve të Kosovës disa herë, ishte gjykuar për krime ndaj shqiptarëve në vitin 1999.

Express ju sjell një kronologji të gjithë ngjarjes që tronditi Prishtinën e Beogradin.

16 JANAR 2018

Në ditën e vrasjes, janar 16, për këtë ngjarje kishin reaguar liderët e ndryshëm kosovarë por edhe ndërkombëtarë. Vrasjen e kishin dënuar presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Veriu i Mitrovicës-vendi ku u vra Ivanoviqi

Haradinaj kishte thënë se ky krim është rezultat i përfshirjeve ilegale që ndodhin në veri nga instanca tjera jashtë Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Serbisë, e cilësoi vrasjen si “akt terrorist”. Çuditërisht për herë të parë nuk i kishte fajësuar shqiptarët.

17 JANAR 2018

Një ditë pas vrasjes presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Oliver Ivanoviq, kishin zhvilluar një bisedë telefonike. Të dy këta ishin marrë vesh që t’u jepej koha e duhur institucioneve të hetuesisë si atyre të Kosovës por edhe të Serbisë për t’i rënë në gjurmë akterëve që e kishin kryer veprën.

18 JANAR 2018

Por “pakti” i presidentëve për hetime pa presione, duket se nuk zgjati shumë. Këtë herë ishte Haradinaj, ai i cili në cilësinë e kryeministrit të vendit tha se Serbia duhet të dërgojë kërkesë zyrtare për përfshirje në hetime duke thënë se të drejtën e zhvillimit të hetimeve e kanë vetëm institucionet e Kosovës.

Foto: Dy presidentët: Thaçi dhe Vuciq

Në po të njëjtën ditë kur Haradinaj tha se Kosova do t’i zhvillonte hetimet, pra më 18 janar, edhe u varros ish-politikani serb Oliver Ivanoviq.

Por kërkesë për përfshirje në hetime, kishin bërë pastaj autoritetet serbe. Kjo përmes kryeministres së këtij vendi Ana Bërnabiq. Kërkesa ishte shqyrtuar aso kohe nga ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri.

Por kur u kryen arrestimet e para për këtë rast nga ana e hetuesisë kosovare?

10 SHKURT 2018

U deshën plot 25 ditë hetime fillestare nga ana e Prokurorisë dhe policisë kosovare për të vënë në pranga dy të arrestuarit e parë për këtë rast. Ata ishin dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Të dy këta ish-policë janë arrestuar si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “të manipulimit me prova në rastin Oliver Ivanoviqit”.

23 NËNTOR 2018

Vetëm 13 ditë pas arrestimit të dy policëve, Polica e Kosovës sërish ndërmori një aksion të gjerë në Veriun e Mitrovicës.

Këtë herë Policia e Kosovës kishte arrestuar katër persona, tre prej të cilëve, janë të dyshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb nga kjo pjesë e Kosovës, Oliver Ivanoviq. Por, organet e rendit në këtë aksion kishte dështuar që ta kapte të dyshuarin kryesor për këtë rast, nënkryetarin e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, Milan Radoiçiq. Por për arrestimin e këtyre personave ishte protestuar në të njëjtën ditë në Rudarë të Komunës së Zveçanit.

Foto nga aksioni në veriun e Mitrovicës- 23 NËNTOR 2018

Prokuroria në Kosovë një ditë pas, 24 nëntor 2018, u kishte shqiptuar masën e paraburgimit këtyre personave prej një muaji për veprën “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

26 NËNTOR 2018

Por atë që nuk mundi asnjëherë ta bëjë pala kosovare për këtë rast, e bëri pala serbe. Ministria e Brendshme e Serbisë me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, e kishte intervistuar Millan Radoiçiqin. Ai ishte pyetur rreth asaj se çka di për vrasjen e Ivanoviqit.

Por pala serbe ishte mjaftuar me disa deklarata të Radojciqit, i cili e kishte konsideruar veten të pafajshëm dhe e kishte liruar atë.

Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, kishte deklaruar për mediat se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit dhe se nuk do t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës.

24 JANAR 2019

Deklaratat e Radojciqit për organet e hetuesisë serbe ishin të pamjaftueshme për palën e hetuesisë kosovare. Këtë herë, autoritetet vendore po kërkonin që ta intervistonin vetl Milan Radojciqin.

I kërkuari nga Policia- Milan Radojciqiq

24 janar të vitit 2019, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të lëshojë urdhërarrest për Millan Radoiçiq, si një prej personave të dyshuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Por urdhërarresti vendor, pas disa muajve ishte bërë ndërkombëtar për arrestimin e Milan Radojciqit. Më 12 shtator Ministria e Drejtësisë me kërkesën e Prokurorisë kishte kërkuar urdhërarrest ndërkombëtar për Radojciqin.

16 TETOR 2019

Hetimet për zbardhjen e këtij rasti nuk u ndalën thuajse që dy vite nga pala kosovare. Aksionet vazhduan këtë herë më 16 tetor të vitit që e lamë pas (2019).

16 TETOR 2019- aksioni i dytë i Policisë së Kosovës

Në këtë datë në veriun e Mitrovicës u zhvillua një aksion tjetër i gjerë i cili vuri në pranga dy persona, në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Por, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, kishte thënë për Gazetën Express se aksioni në veri, është zhvilluar mbi dyshimin për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

2 DHJETOR 2019

Pas thuajse dy vjetëve hetime, arrestime e aksione nga pala kosovare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Aktakuza u ngrit ndaj gjashtë personave.

Sipas prokurorisë aktakuza është ngritur kundër “të pandehurit N.S, M.R dhe R.B, të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M.R, Z.V dhe Zh.B, të cilët gjenden në arrati, ndaj të cilëve gjykata kompetente ka lëshuar urdhërarrest dhe letërreshtim ndërkombëtar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale”.

Prokuroria ka thënë se secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij.

Por çfarë përmban aktakuza e Prokurorisë Speciale, të cilën e kishte siguruar ekskluzivisht Gazeta Express:

Sipas aktakuzës, që e ka siguruar Gazeta Express, vrasja e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviqit mund të jetë kryer nga një grup kriminal që vepron në veriun e Mitrovicës e që quhen ‘Mjekroshët’. Të gjithë këta dyshohet se marrin urdhra nga “Peshku i madh”, Milan Radojqiq. 

Sipas fazës së hetimeve dhe grumbullimit të provave, vihet në përfundim se vrasja e Ivanoviqit u krye për motive politike dhe se ajo u ekzekutua nga grupi kriminal i organizuar dhe i udhëhequr nga Milan Radoiqiqi, i cili tash e një kohë kishte vepruar me njerëzit e tij dhe pjesëtarët e grupeve të tjera si grupi “bradonjat” (mjekroshët) të ardhur kryesisht nga qyteti i Quprisë Serbi, të cilët ishin marrë edhe me sigurinë fizike të Milan Radoiqiqit. Në vazhdim Express sjell deklaratat e dëshmitarëve rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Pjesë nga aktakuza-1

Në këtë aktakuzë 48-faqëshe jepen detaje të frikshme rreth gjithë rastit të vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i cili u gjuajt për vdekje në mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018 para selisë së partisë së tij.

Pjesë nga aktakuza -2

Janë më shumë se 25 dëshmitarë e qindra prova të tjera të cilat janë marrë parasysh si pjesë e hetimeve nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Por, pos këtyre dëshmitarëve, në aktakuzë flitet edhe për dëshmitë e katër dëshmitarëve të mbrojtur. Dëshmitari anonim A1, dëshmitari anonim D, dëshmitari anonim B1, si dhe dëshmitari anonim B3.

Njëri nga këta dëshmitarë në deklaratën e tij para hetuesisë kishte deklaruar se vetura me xhama të zi, e cila sipas tij kishte qenë e njëjta veturë që kishte qëndruar tri ditë para vrasjes së Oliver Ivanoviqit, afër vendit ku është gjetur e djegur kjo veturë e dyshuar.

Ai deklaron se një natë para natës kritike, në vendin ku ishte vrarë Ivanoviqi, kishte vërejtur tre persona, dy me uniformë të policisë së Kosovës dhe një person prapa me rroba civile.

30 DHJETOR 2019

Por seanca fillestare në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte paraparë të fillonte më 30 dhjetor ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq. Kjo seancë u shty për datën 11 shkurt të vitit 2020, pasi që Prokuroria Speciale ka ndryshuar aktakuzën.

16 JANAR 2020

Në veri të Mitrovicës shënohet dyvjetori i vrasjes së Ivanoviqit

Në veri të Mitrovicës të enjten u shënua dyvjetori i vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i cili ka udhëhequr Nismën Qytetare “Liria, demokracia, drejtësia”.

Në vendin e vrasjes u mbajtën dy ngjarje përkujtimore – njëra e organizuar nga Nisma e tij qytetare, tjetra nga familja. /GazetaExpress/