Atentat në Fier ndaj Shkëlzen Kastratit/ Hasmëria 22-vjeçare mes dy fiseve Binjaku dhe Kastrati - Gazeta Express
string(94) "atentat-ne-fier-ndaj-shkelzen-kastratit-hasmeria-22-vjecare-mes-dy-fiseve-binjaku-dhe-kastrati"

Shqiperi

Gazeta Express

01/02/2021 12:08

Atentat në Fier ndaj Shkëlzen Kastratit/ Hasmëria 22-vjeçare mes dy fiseve Binjaku dhe Kastrati

Shqiperi

Gazeta Express

01/02/2021 12:08

42-vjeçari Shkëlzen Kastrati mbeti i vrarë sot në një atentat të mirëorganizuar në rrethrrotullimin e Sheqit në Fier.

Sipas policisë, ai u qëllua disa herë nga një person, i cili u largua me pas me një automjet tip “Range Rover”.

Makina që u largua autori u gjet më pas e djegur në fshatin Daullas të Fierit.

Dy janë pistat paraprake ku po heton policia për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. E para është ajo e hakmarrjes për ngjarje të vjetra që Kastrati mund të ketë qenë i përfshirë në qytetin e Kukësit, nga ku 40-vjeçari ka origjinën, dhe e dyta një përplasje mes grupeve rivale kriminale, pasi i vëllai i tij, Klement Kastrati, në vitin 2016 i ka shpëtuar për mrekulli një atentati që iu bë sërish në qendër të Fierit. Por i vëllai nuk kishte kaq shumë fat. Në ngjarjen e 8 janarit 2016, plumbat i mori miku i Klementit, Denis Kasaj, i cili ngeli i vrarë në vend.

Atentati i 8 janarit në Mbrostar me një të vrarë dhe dy të plagosur kanë kthyer Policinë dhe Prokurorinë e Fierit në pistën fillestare, atë të hasmërisë mes fiseve Binjaku dhe Kastrati.

Kjo për faktin se përgjimet e kryera telefonike dhe lidhjet mes autorëve dhe viktimave të çonin në këtë motiv për ekzekutimin, ku në fakt shënjestra shpëtoi me plagosje, por kunati i tij Denis Kasaj humbi jetën. Hetimet u komplikuan së tepërmi nga fakti se Kasaj ishte kthyer nga Holanda dhe kishte ndryshuar emrin dhe për më tepër mbeti viktimë e sulmit, ndaj u dyshua edhe për përplasje mes grupeve rivale të drogës për larje hesapesh.

Burime zyrtare thanë se shënjestër e plumbave të atentatorëve ka qenë pikërisht Klement Kastrati, i afërm i Kasajt, që u plagos me disa plumba. Ai i mbijetoi atentatit dhe që në nisje të hetimeve policia do deklaronte se Kastrati kishte qenë i hetuar për një vrasje të 12 viteve më parë dhe gjithashtu i dënuar për armëmbajtje pa leje. Në kërkim si autor për vrasjen është shpallur Ermal Binjaku prej ditës së mërkurë, një emër shumë i njohur për policinë, pasi është dyshuar edhe për një tjetër vrasje të anëtarëve të fisit Kastrati gjatë viteve 2000, po për hakmarrje.

Historia e hakmarrjes mes dy fiseve nis në vitet 1994-1995 me një të vrarë nga fisi Kastrati, ngjarje për të cilën u akuzua fisi Binjaku. Por të gjitha këto krime kanë mbetur pa autorë ndër vite. Kjo derisa emri i Ermal Binjakut doli përsëri nga përgjimet telefonike dhe ambientale, ku ai flet për atentatin e Mbrostarit, te “Kthesa e Mullirit të Vjetër”. Gjithashtu u arrestua edhe Ylli Nazëraj, 54 vjeç, nga Ballshi, për të cilin hetuesit kanë prova se ka fshehur në magazinat e tij në “Qafën e Koshovicës” të makinës “Toyota” të autorëve, para atentatit. Gjithashtu u ka siguruar edhe mjete për kryerjen e sulmit të armatosur mbrëmjen e 8 janarit.

Nazëraj është kapur duke biseduar me Ermal Binjakun për atë krim dhe fshehjen e gjurmëve. Më herët ishte arrestuar edhe Ilir Memushaj, nga Vlora. Ky një lidhje e ngushtë miqësore me Ermal Binjakun. Ndërsa Memushaj furnizohej me informacione nga agjenti i SHISH, Florian Bushi, që i dërgonte përgjimet telefonike me celular për lëvizjet e viktimës Denis Kasaj. Policia gjithashtu ka zbuluar se shumë vite më parë të gjithë të dyshuarit dhe viktimat kanë pasur lidhje shoqërore mes tyre, derisa kanë nisur mosmarrëveshjet dhe më pas vala e atentateve. Policia ka të paktën 3 emra të vrarësh mes dy fiseve ndër vite, por që vetëm kjo e fundit ka një autor në kërkim. Ermal Binjaku dyshohet se është përfshirë direkt në ekzekutimin e Denis Kasajt, teksa shënjestra e vërtetë ka qenë Klement Kastrati, kunati i viktimës.

Hasmëria 22-vjeçare mes dy fiseve

Sipas dosjeve hetimore në arkivat e Policisë së Fierit, mes fiseve Kastrati dhe Binjaku në këtë qytet ka një hasmëri 22 vjeçare. Në vitin 1994 ka ndodhur vrasja e anëtarit të parë të fisit Kastrati. Atëkohë dyshimet ranë mbi fisin tjetër Binjaku, për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin, por ngjarja nuk u zbardh. Në vitin 2000, një tjetër pjesëtar i Kastratëve u vra. I dyshuar ishte Ermal Binjaku, por edhe kjo ngjarje u arkivua e pazbardhur. Në vitin 2002 ndodh sulmi ndaj fisit Binjaku, me një të vrarë e disa të plagosur. U akuzuan anëtarët e fisit Kastrati dhe Klementi ishte i dyshuari kryesor. Derisa më 8 janar 2016 vjen atentati më i fundit, ku shënjestra Kastrati u plagos dhe kunati i tij Kasaj u vra, kurse shoku Elton Margariti gjithashtu u plagos rëndë.