Plumba janë zbrazuar drejt makinës së një 46 vjeçari në Berat pasditen e sotme.
Fatmirësisht shënjestra i ka shpëtuar atentatit dhe ndodhet në spital. Ngjarja u regjistrua rreth orës 16.10, në rrugën e fshatit Dushnik.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, Forcat Operacionale dhe ato Shqiponja të DVP Berat dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. 46 vjeçari njihet si person me precedent penalë.
Njëkohësisht është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë i cili ndodhet në vendngjarje. Gjithashtu në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve dhe gjatë kontrollit të zonës në fshatin Kozare kanë gjetur një automjet që po digjej që dyshohet se mund të jetë i autorëve.