Atalanta ka vulosur zyrtarisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, pas fitores 2-1 ndaj Romës me gola nga Ademola Lookman dhe Ibrahim Sulemana, duke ndërprerë kështu serinë prej 19 ndeshjesh pa humbje të verdhekuqve në kampionat.
Ndeshja ishte një përballje direkte për zonën Champions, ku Roma kishte shansin të kalonte në renditje si Lazion ashtu edhe Juventusin pas barazimit të tyre. Atalanta u përball me mungesa të shumta – Isak Hien ishte i pezulluar, ndërsa Cuadrado, Kolasinac, Scamacca, Scalvini dhe Palestra ishin të dëmtuar. Lookman dhe Kossounou luajtën pavarësisht se nuk ishin 100% gati. Nga ana tjetër, Roma, pa Dybala dhe Pellegrinin për pjesën e mbetur të sezonit, u rreshtua me skemën 3-4-2-1 me Matias Soulé më të avancuar.
Ademola Lookman, që ishte në dyshim për shkak të një inflamacioni në tendinën e Akilit, hapi rezultatin në minutën e 18-të, pasi u kthye bukur me shpinë nga porta dhe mposhti Rensch me një goditje nga 13 metra.
Atalanta pati disa raste për të dyfishuar, por Svilar ndali De Ketelaere, ndërsa Retegui humbi një mundësi të artë nga afër. Këto mungesa u ndëshkuan, pasi në minutën e 39-të, Bryan Cristante barazoi me një goditje me kokë të shkëlqyer pas një krosimi të Soulé.
Roma ishte pranë përmbysjes para pushimit, por kontrolli i dobët i Kone pas një pasimi të Shomurodov bëri që rasti të humbej. Në pjesën e dytë, një penallti e dhënë për Romën u anulua nga VAR, pasi u vërtetua se Kone kishte kontaktuar vetë me Pasalic.
Atalanta vazhdoi të shtynte dhe gjeti golin vendimtar në minutën e 84-të, kur Lookman shërbeu për Samardzic, i cili ia pasoi Sulemanës, dhe ky i fundit goditi saktë nga distanca për 2-1.
Një moment i çuditshëm ndodhi gjatë festës, kur një tifoz i Atalantës hyri në fushë dhe “shënoi” në portën e Svilar. Roma tentoi të reagojë në minutat e fundit, madje portieri Svilar u ngjit në sulm në një goditje këndi, por nuk pati sukses.
Kjo ishte humbja e parë e Romës në Serie A që nga 15 dhjetori (0-2 ndaj Comos), dhe tani ata kanë rënë në vendin e gjashtë në tabelë. Ndërkohë, Atalanta feston një sezon fantastik, duke u kthyer në Ligën e Kampionëve.