Ata që vranë gratë i priti burgimi i përjetshëm - Gazeta Express
string(47) "ata-qe-vrane-grate-i-priti-burgimi-i-perjetshem"

Ata që vranë gratë i priti burgimi i përjetshëm

Lajme

Gazeta Express

05/12/2020 23:31

Gjykatat në Kosovë kanë shtuar rastet e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm.

Më 25 korrik të këtij viti, në Berivojcë të Kamenicës, Nuhi Mavrovqani vrau gruan e tij, duke e goditur disa herë më shufër metalike.

Lexo Edhe:

Për këtë vepër penale, 42 vjeçarit një ditë më parë ju shqiptua dënimi me burgim të përjetshëm, nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Mavrovqani këtë vepër e kishte kryer në prezencën e fëmijëve.

E për t’i larguar fëmijët nga shtëpia ku ndodhi vrasja, Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro.

Por një rast tjetër përfundoi me fatalitet edhe për vet fëmijët. Pjetër Ndrecaj nga Gjakova, kishte vrarë gruan dhe të bijën e tij, korrikun e vitit 2018.

Të njëjtit fillimisht Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, i kishte shqiptuar dënimin me 24 vjet burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, kishin bërë ankesë të gjitha palët.

Përderisa Prokurori i Shtetit dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar burgim të përjetshëm, mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë.

Por, më 1 mars 2019, Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Por, kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Pas kësaj Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi Pjetër Ndrecajn me 24 vjet burgim e 6 muaj burgim për vrasjen e gruas dhe të vajzës së tij.

Me burgim të përjetshëm është dënuar edhe Naser Pajazitaj, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, në vitin 2015.

E trajtimi i këtyre rasteve nga institucionet relevante po shihet si i drejtë.

Sipas avokates Fehmije Gashi Bytyqi, dënimi maksimal vetëdijëson njerëzit për pasojat që i presin nëse kryejnë vepra të tilla penale.

Mirëpo ajo thotë se rastet e dhunës duhet të trajtohen edhe më shumë, pasi që shpesh gjithcka fillon me dhunë.

Ndërkohë rastet e dhunës në bazë gjinore në familje janë rritur për rreth 17% gjatë pandemisë.