NASA ka publikuar një video mbresëlënëse ku astronautët e misionit Artemis II eksperimentojnë me një pikë uji që qëndron pezull brenda kapsulës Orion, duke shfrytëzuar kushtet e mikrogravitetit gjatë udhëtimit historik rreth Hënës.
Edhe pse ekuipazhi i Artemis II udhëtoi përtej anës së padukshme të Hënës dhe theu rekordin për distancën më të madhe të përshkuar ndonjëherë nga njerëzit larg Tokës, astronautët gjetën kohë edhe për eksperimente të vogla në hapësirë, shkruan Daily Mail.
Në videon e publikuar nga NASA, anëtarët e ekuipazhit shfaqen duke luajtur me një pikë uji brenda kapsulës Orion. Në mungesë të gravitetit, uji formon një sferë pothuajse perfekte që qëndron pezull në ajër.
Një nga momentet më interesante të videos tregon specialistin e misionit Jeremy Hansen, në fluturimin e tij të parë hapësinor, duke parë përmes sferës transparente të ujit, ndërsa imazhi i tij shfaqet i përmbysur për shkak të thyerjes së dritës.
Më pas, astronauti e “kap” sferën e ujit me një pipëz dhe e lëshon sërish të notojë në kushtet e mikrogravitetit.
“Gjatë misionit Artemis II, astronautët u argëtuan duke luajtur me ujin në kushtet e mungesës së gravitetit në hapësirë”, deklaroi NASA.
Agjencia amerikane e hapësirës bëri të ditur se ky ishte fluturimi i parë hapësinor për astronautin kanadez Jeremy Hansen dhe se pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit i treguan atij në praktikë se si sillet uji në hapësirë.
Në Tokë, uji përhapet për shkak të gravitetit, ndërsa në hapësirë, ku graviteti është shumë i dobët, dominojnë forcat e tensionit sipërfaqësor, duke bërë që uji të marrë formë sferike.
Shkencëtarët shpjegojnë se molekulat e ujit tërhiqen në mënyrë të barabartë nga të gjitha anët, ndaj sfera është forma me sipërfaqen më të vogël të mundshme për një vëllim të caktuar.
Videoja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit e cilësuan eksperimentin si një anë “thellësisht njerëzore” të eksplorimit të hapësirës.
“Eksplorimi nuk është vetëm çështje teknike. Është gjithashtu kuriozitet, përshtatje dhe të mësuar në mjedise krejtësisht të reja”, shkroi një përdorues.
Një tjetër komentoi: “Jo gjithçka në hapësirë duhet të jetë serioze, duhet edhe pak argëtim”.
Megjithatë, disa përdorues ngritën shqetësime për sigurinë e eksperimentit, duke përmendur praninë e kabllove dhe pajisjeve elektronike brenda kapsulës. “A nuk është e rrezikshme nëse uji futet te elektronikat?”, pyeti një komentues.
Astronautët e Artemis II janë kthyer tashmë në Tokë pas udhëtimit 10-ditor, gjatë të cilit arritën në një distancë prej rreth 406 mijë kilometrash nga planeti ynë, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga misioni Apollo 13.