"Astrit Dehari u vra": Çfarë di Kadri Veseli për rastin dhe pse u takua me familjen Dehari? - Gazeta Express
string(87) "astrit-dehari-u-vra-cfare-di-kadri-veseli-per-rastin-dhe-pse-u-takua-me-familjen-dehari"

Gazeta Express

06/02/2020 7:38

“Astrit Dehari u vra”: Çfarë di Kadri Veseli për rastin dhe pse u takua me familjen Dehari?

Gazeta Express

06/02/2020 7:38

Më 5 nëntor të vitit 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ndodhi një ngjarje e rëndë. Në qelinë A3 u gjet i vdekur aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari

Kjo ngjarje edhe pas katër vjetësh ka mbetur akoma e pazgjidhur nga autoritetet kosovare, të cilat nuk kanë përfunduar ende epilogun e kësaj ngjarjeje të rëndë që pësoi familja Dehari.

Kadri Veseli gjatë katër viteve heshti duke kërkuar vetëm drejtësi nga autoritetet e vendore, mirëpo për herë të parë ai u rendit krah atyre që thonë se aktivisti i VV-së Astrit Dehari u vra në burg.

Veseli për herë të parë në Klan Kosova ka deklaruar se “Astrit Dehari është vrarë”, jo vetëm kjo, ai në seancën e 3 shkurtit i tha kryeministrit të ri Albin Kurti se në Kuvendin e Kosovës do të flasin edhe “për vrasjen e Astrit Deharit”, shkruan Gazeta Metro.

“Do të flasim edhe për vrasjen e Astrit Deharit, me emrin e të cilit keni abuzuar dhe akuzuar çdo kundërshtar politik, përfshirë këta që i keni në koalicion”, tha Veseli në Kuvend.

Veseli si njeriu më i informuar në Kosovë për shkak të kaluarës së tij si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe rolit të tij në qeverinë e Kosovës për disa vite, mund të zbulojë se për çfarë bëhet fjalë në “rastin Dehari”, shkruan Gazeta Metro.

E vetë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, deklaroi se në seancën ku u formua Qeveria e re, prindërit e aktivistit të VV-së Astrit Dehari, e kanë përshëndetur kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

Deliu ka lënë të nënkuptohet se Veseli mund të jetë takuar me familjen e Deharit apo të dijë më shumë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë dhe t’u ketë dhënë informacionet e tij në lidhje me “vrasjen e tij”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe avokati i rastit Tomë Gashi, kanë kërkuar nga Prokuroria që ta thërrasin si dëshmitar në lidhje me këtë rast.

Kujtojmë se autoritetet kosovare e kanë cilësuar se “Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje”, kurse mjekësia ligjore e Lozanës në Zvicër doli me një raport të gjerë rreth vdekjes së Deharit. Ky raport konkludonte që ka pak gjasë që Dehari të ketë kryer vetëvrasje.