Asociacioni është zgjidhje kushtetuese - Gazeta Express
string(38) "asociacioni-eshte-zgjidhje-kushtetuese"

Asociacioni është zgjidhje kushtetuese

OP/ED

Gazeta Express

04/06/2022 12:29

Në Kosovë të gjithë (opozita e pushteti) flasin për Asociacionin si për një gogol, (një Republika Srpska të dytë) ndonëse zgjidhje kushtetuese dhe askush nuk flet për të si obligim ndërkombëtar i shtetit, sepse druajnë se mund të humbin një grusht vota!?

Shkruan: Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk është njëetnike sepse nuk i përjashton të tjerët, sëkëndejmi nuk e thyen parimin e multietniciterit.

Lidershipi kosovar, që nga Marrëveshja e Parë me Serbinë (2013) ndonëse e ratifikuar në Kuvend me dy të tretat e votave dhe me votën e kualifikuar (shumica e dyfishtë) që është bërë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, duke marrë fuqi të një Marrëveshje Ndërkombëtare, nuk kishte dhe nuk ka analizë bindëse nëse zbatimi i kësaj marrëveshjeje sjell defunksionalizim të shtetit apo i hapë Kosovës udhën për liberalizimin e vizave, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare (si psh. Këshilli i Europës) dhe eventualisht njohje nga Serbia.

1.Në Kosovë ka shpërthyer “epidemia” e paranojës masive nga pabesia serbe! Presidenti serb ashiqare flet si një i pabesë klasik, porse, ta sqarojmë një gjë: Kosova është në dialog me bashkësinë ndërkombëtare dhe jo me Serbinë.

Pabesia nuk është kategori politike dhe nuk u prinë politikave ndërmjet kombeve.

Ajo na shfaq neve – foshnjërinë tonë si shoqëri politike – dhe nuk ka të bëjë asgjë me praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me politikën si art i së mundshmes.

Kosovarët kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë nesër, pra në një të ardhme, gjatë implementimit praktik.

Në demokracitë perëndimore, parimisht askush s’e ka të drejtën të sundojë mbi pakicat, por duhet bashkëqeverisur me ta, sepse përfundimisht po zhvlerësohet raporti pakica-shumica.

AKS-ja është thjesht autonomi individuale/personale, autonomi e plotë kulturore, por jo as territoriale dhe as politike (nuk ka Ekzekutiv dhe as Legjislativ), sepse anëtarët e Kuvendit të Asociacionit delegohen nga kryetarët dhe asambletë e zgjedhura komunale, pra nga të zgjedhurit në zgjedhjet vendore të Republikës së Kosovës dhe nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga populli. Kurse territori dhe kufijtë e Republikës së Kosovës janë çështje që sanksionohen me Kushtetutë dhe i përkasin sovranit, i cili duhet të dijë si t’i ruaj.

2.Duke analizuar marrëveshjen pikë për pikë, nuk është e zorshme të konkludohet se ajo është shkruar nga ekspertë të shkollës perëndimore juridike dhe të administrimit e negocimit dhe jo nga ballkanasit, sepse marrëveshja si e tillë kur krahasohet në të tria gjuhët (anglisht, shqip dhe serbisht) dhe nëse bëhen kërkime shtesë për nocionet e përdorura (që mund të shihen edhe si ambivalente), del se sipas marrëveshjes Asociacionin e dekreton Qeveria e Kosovës dhe jo ndonjë qeveri apo entitet tjetër juridik dhe politik, pra Asociacioni në thelb i “nënshtrohet” ligjit kosovar, dhe se në proces, të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe Statutin, i shqyrton Gjykata Kushtetuese e Kosovës (ashtu siç i shqyrtoi parimet e përgjithshme) dhe ky fakt i deplason të gjithë zërat që thonë se Kuvendi i Asociacionit gjatë amendamentimit të Statutit mund të fusë prerogativa që shpijnë legalisht në ndarjen e Kosovës.

Kjo është e pabazë për dy arsye thelbësore:

Asociacionin e dekreton Qeveria e Kosovës;

Statuti i nënshtrohet një vlerësimi të detajuar të Gjykatës Kushtetuese (me pajtimin edhe të Serbisë, me çka e njohu juridiksionin e kësaj gjykate në Kosovë;)

3.Po ashtu pika 3 e marrëveshjes nëse krahasohet në të tria gjuhët, flet qartë se nocioni “constituent” është ambivalent në anglishte, kurse në shqip dhe serbisht jo, ngase ky Kuvend sipas versionit shqip dhe serbisht është “Kuvend themelues” dhe jo Asamble Kushtetuese.

Në versionin anglisht, fjala “constituent” (d.m.th. përbërës) i ka edhe sinonimet e veta (sipas Oxford Dictionary):

a.) Që është një pjesë e një tërësie

b.) Është një anëtar që ka fuqinë e votës për të emëruar apo për të zgjedhur në një organizatë (trupi përbërës ka të drejtën e vetos),

c.) I aftë politikisht për të bërë (dhënë) ose të ndryshojë kushtetutën, një asamble kushtetuese,

d.) Anëtar i një zone, e cila zgjedh një përfaqësues në një organ legjislativ;

Porse duke e shmangur nocionin “constitucional” për “kushtetues” dhe/ose “kushtetutdhënës”, operohet me një kallëzues emëror ambivalent.

Në versionin serbisht thuhet “konstitutivna skupstina” që i bie ‘kuvend themelues’.

Kuvend kushtetutdhënës ose asamble kushtetuese” në serbishte është “ustavotvorna skupstina”, Kuvendi i Asociacionit nuk është kushtetutdhënës, sepse të tilla mund të jenë vetëm kuvendet që miratojnë Kushtetutën si aktin më të lartë juridik e politik të një shteti a entiteti të pavarur, ngjashëm me ish-republikat jugosllave apo sikur Kosova sipas Kushtetutës së vitit 1974 në ish-Jugosllavinë federale.

Mirëpo, sinonimet e nocionit “constituent” zhvlerësohen krejtësisht në pikën 21 të marrëveshjes, ku decidivisht thuhet: “Çdo amendamentim (ndryshim) i Statutit nga Kuvendi themelues që do të prezantohet nga ana e Asociacionit, do të miratohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

4.Ndërsa në pikën 12 thuhet qartë se “përfaqësuesi i Asociacionit do të ketë të drejtë të ketë qasje dhe informacione nga autoritetet qendrore në përputhje me ligjin e Kosovës”, çka i hedh poshtë spekulimet rreth termit “overview”, që realisht nuk është “mbikëqyrje” qysh thuhet në versionin shqip dhe as “nadzor” në versionin serbisht.

Fjala adekuate për “mbikëqyrje” apo “nadzor” në anglisht është “supervision” e jo “overview”.

Overview, sipas Oxford Dictionaryties, e ka kuptimin e “një raporti – pasqyre të nevojave të komunitetit”, pra një lloj informimi apo raportimi se çfarë është bërë dhe çfarë po bëhet për një çështje të caktuar.

Sovraniteti i shtetit cenohet (kujtoni Serbinë më 1999), kur kufizon të drejtat e liritë e jo kur jep ato, si në rastin kosovar…

Prandaj marrëveshja është kushtetuese, ndonëse një kompromis!

5.Asociacioni është obligim i dyfishtë ndërkombëtar i Kosovës:

E para, Asociacioni buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe ka qenë që në fillesat e negociatave të Vjenës (2005 -2007) bazë për çfarëdo kompromisi me Serbinë, për të marrë Kosova pavarësinë kombëtare jashtë kontekstit kolonial, pra si “vetëvendosje zhdëmtuese” (Marc Weller).

Pra duhej që Kosova të jepte më shumë të drejta dhe garanci shtesë për serbët kosovarë në këmbim të pavarësisë kombëtare;

Nëse Pakoja e Ahtisaarit me Asociacionin brenda e ka derivuar Kushtetutën e Kosovës, atëherë sipas ligjit të deduksionit rezulton se Asociacioni ishte kategori kushtetuese dhe së dyti, më 2013 Kuvendi i Kosovës e ka ratifikua Marrëveshjen Ndërkombëtare duke e bërë edhe de iure pjesë të sistemit të saj të brendshëm ligjor-kushtetues.

Sëkëndejmi, Asociacioni nuk mund të bjerë ndesh me prerogativat e Kushtetutës së Kosovës, u nënshtrohet ligjeve të Kosovës, varet nga institucionet qendrore, dhe brenda tij funksionojnë të gjitha institucionet e shtetit kosovar dhe agjencitë qeveritare.

6.Po kështu, Asociacioni nuk kontrollon doganat, ushtria e Kosovës do të ketë një komandë qendrore, policia kosovare ka një komandë unike (Policia e Kosovës në rajonet që i bashkohen Asociacionit do të jetë konform përbërjes etnike, kurse Asociacioni i propozon emrat e komandantëve lokalë, vetëm në katër komunat e veriut kurse ministri i Brendshëm kosovar e miraton ose jo listën.

Sistemi juridik (gjyqësori) është unik, po ashtu sistemi fiskal (sipas Marrëveshjes për Asociacionin, Auditori i përgjithshëm i Kosovës i këqyr financat e Asociacionit…)

Nuk mund të ketë vlerë ekuivalente me Kushtetutën asnjë dokument tjetër (si Statuti i AKS-ë) brenda një shteti unik.

Serbëve kosovarë u janë dhënë të drejta shtesë (autonomi e plotë në fushën e arsimit, kulturës, planifikimit hapësinor dhe shëndetësisë)

7.Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës (Pakoja Ahtisaari), ANEKSI III – DECENTRALIZIMI -Neni 9 Bashkëpunimi ndërkomunal:

Spari, Pakoja Ahtisaari parasheh krijimin e asociacioneve ne shumes (shih: 9.2 Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, në pajtueshmëri me ligjin. )

Sdyti, Pakoja Ahtisaari parasheh një organ vendimmarrës (Shih:  9.1.2 Partneritetet komunale mund t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për implementimin dhe ushtrimin e bashkëpunimit funksional, mes tjerash, përmes themelimit të një organi vendimmarrës të përbërë nga përfaqësuesit e emëruar nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse, punësimit dhe shkarkimit të personelit administrativ dhe këshillëdhënës dhe vendimeve mbi nevojat për financim dhe nevojave tjera operacionale të partneritetit.

Ndërsa ne parimet e përgjithshme te Marrëveshjes se Brukselit te 26 gushtit 2015 për Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe,  sa i përket financimit shkruan:

Buxheti dhe përkrahja

16) Asociacioni/Bashkësia do ta ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies si dhe me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik.

Këto parime posaçërisht do të vlejnë për dedikimin e fondeve, përfshirë ato të përshkuara në pikën 17d. Do të ketë auditim të shpenzimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm. (…)

8.Sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit mbrohet pa mëdyshje në në këto prerogativa:

1. Asociacioni do t’i dërgojë ministrit të Punëve të Brendshme emrat e komandantëve të policisë në komunat përkatëse.

2. Të gjitha amendamentet e Statutit të Asociacionit miratohen me dekret dhe shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese.

3. Ofron shërbime për anëtarët e tij në përputhje me Ligjet e Kosovës;

4. Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të ketë simbolet e tij zyrtare (stemën dhe flamurin), në përputhje me Ligjet e Kosovës.

5. Bashkësia/Asociacioni do të ushtrojë kompetenca tjera shtesë siç mund tu delegohen nga autoritetet qendrore.

9.Dhe në fund, në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese thuhet decidivisht se Asociacioni duhet të bëhet, kurse disa nga parimet nuk janë tërësisht ne përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [Barazia para Ligjit] , paragrafi 1, me Kapitullin II [Te Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe me Kapitullin III [Te Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtareve te tyre] te Kushtetutës se Republikës se Kosovës;” Dmth Asociacioni asht OK, nuk anulohet vetëm se Kushtetuesja paralajmëron qe ne Dekret dhe ne Statut te rishikohen disa nga pikat (parimet).

Parimet qe mund te interpretohen me nuansa qe prekin germën – por mendoj unë – jo frymën e Kushtetutës, nuk janë thelbësore për funksionalitetin e shtetit. Nuk e cenojnë sovranitetin e shtetit dhe integritetin tokësor.

Qysh ka me lëvizë Kosova nga Status-Quo-ja dhe qysh ka me u integru veriu ne sistemin juridiko-politik kosovar, nëse Asociacioni kthehet ne piken zero dhe bie ne statusin e një OJQ sipas lidershipit aktual?

Aq më parë kur amerikanët po i thonë Qeverisë Kurti 2 se Status-Quo-ja shkon në favorin e Rusisë!?

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ashiqare është nën presion nga BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare për themelimin e AKShS, dhe Kosova e ka një obligim ndërkombëtar, Marrëveshjen e Parë të ratifikuar në Kuvend më 2013 që duhet ta përmbush sipas Nenit 39, pika 2 e Kushtetutës”.

Mirëpo, kryeministri duhet t’ua bëjë të qartë partnerëve se pala e interesuar (serbët kosovarë) është në potez që ekipi përgatitor (menaxhues) i Asociacionit ta shkruaj Statutin e AKShS, konform verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe i cili, i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese deri te dekretimi nga Qeveria. Verdikti i Kushtetueses e obligon Qeverinë që ta dekretojë AKShS natyrisht pas hartimit të Statutit, i cili duhet të jetë në korniza kushtetuese,

Qeveria duhet t’ua bëjë me dije se shteti kosovar e ka kryer pjesën e vet dhe nëse pala serbe e BE nuk pajtohen me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë një zgjidhje tjetër mund të diskutohet thënë shprehimisht, 15 minuta pas njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

Mes shteteve mund të negociohet një solucion tjetër që mund të jetë kompromis i dyanshëm, serbët kosovarë për të mbajtur parimin e votës së dyfishtë në Kuvend, duhet të pajtohen me parimin që shteti (titullari i tij) të ruaj të drejtën e vetos në Kuvendin e Asociacionit/Bashkësisë.